Jump to content

Shoqëria dhe politika ilire në lashtësi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore.

Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.

Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të kësaj kohe, shumica e popullsisë në Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në numër të vogël. Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë, por burimet bëjnë fjalë edhe për një popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë 300 mijë prospelatë si helotë...”. Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një popullsi të varur që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve të saj si detyrim një pjesë të prodhimit. Duke i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta ishin, sikurse helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie. Nuk kemi prova nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një fis tjetër ilir që pësoi këtë fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar, por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë me një masë popullsie mbi të cilën ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike.

Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë për ardianët. Një shekull më vonë Agatharkidi në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë se “dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai i quan këta me emrin “dullos”), sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta në kohë paqeje punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri duke pasur si prijës zotin (“despotes”) e tij”.

Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme e bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një popullsi të tipit të prospelatëve ardianë. Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret këtu me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh shpesh që autorët antikë i quajnë helotët “dullë të lakeldemonëve”.

Një rast tjetër është ai që përmend Atheneu, për penestët. Sipas tij “thesalët quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por ata që shtihen në dorë me anë të luftës”. Dihet se me emrin penestë quhej një fis i tërë në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët e dardanëve.

Prania e një popullsie të tillë të varur e të shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve, është një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të dhënat e autorëve antikë, popullsia e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte në këtë kohë në Iliri një formë të hershme të skllavërisë që ekzistonte në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori njerëzish përdorej në masë në punimet bujqësore dhe mbase edhe në shfrytëzimin e minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin në qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe ata e kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë se sunduesit e prospelatëve ardianë “çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin në gosti, të dhënë pas të ngrënit e të pirit”. Pjesën tjetër të popullsisë e përbënte masa e fshatarëve të lirë që luante, me sa duket, ende një rol kryesor në prodhimin shoqëror.

Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase, shtresa e pasur siguronte të mira materiale nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve fqinjë me anë të luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë sistematike.

Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të punës së huaj.

Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të hershme mund të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj në botën fshatare që e rrethon. E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo njeh tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë së tipit helot. Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një rol e peshë të ndjeshme në jetën ekonomike e shoqërore të Ilirisë. Si i tillë ai shërbeu si bazë e organizimit politik shtetëror.

Që në fillim në kolonitë helene të bregdetit ilir u vendos mënyra antike e prodhimit. Në ndarjen e shoqërisë në kolonitë rol të veçantë luante prejardhja shoqërore dhe etnike e njerëzve. Në kushte më të privilegjuara ishte shtresa me prejardhje aristokrate, që kishte qenë shpesh përkrahëse e themelimit të kolonive. Përbërja shoqërore e shtresave të lira ishte e larmishme. Krahas të mërguarve, për arsye politike gjatë luftërave të demosit me aristokracinë në metropole, kishte fisnikë të varfëruar, zejtarë të zhveshur nga mjetet e prodhimit, fshatarë të shpronësuar, tregtarë e detarë. Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht si rrjedhim i dyndjeve të herëpashershme nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent i madh njerëzish të tillë erdhi në gjysmën e dytë të shek.V.

Në Dyrrah e në Apoloni shtresa e skllevërve përbënte forcën kryesore të fuqisë punëtore. Ajo ndahej në tri kategori: në skllevër të qytet-shtetit skllavopronar, të cilët punonin në punishtet e tjegullave dhe të tullave, në thyerjen, transportimin dhe në skalitjen e gurëve, në përpunimin e metaleve e në prerjen e monedhave, pra në punët më të rënda. Të shumtë ishin edhe skllevërit privatë që përbënin kategorinë e dytë, të cilët përveç ergasterive shërbenin edhe në ekonomitë shtëpiake.

Një pjesë të popullsisë, gjithmonë në rritje, e përbënin “të huajt”, kategoria e tretë ose banorët me origjinë ilire. Këta në dhjetëvjeçarët e parë ishin të privuar nga të drejtat shoqërore dhe politike.

Në përputhje me këtë përbërje shoqërore të popullsisë, rendi politik në Apoloni e Dyrrah kishte në fillim karakter oligarkik. Pushteti i takonte një pakice me prejardhje aristokrate. Shumica dërrmuese e popullsisë, ashtu edhe ilirët, duke mos bërë fjalë për skllevërit, nuk gëzonte të drejta në qeverisjen e qytetit.

Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut dhe i Apolonisë në shek.VI-V shoqërohet me ndryshime në rendin shoqëror e politik të dy kolonive, si rrjedhim i një lufte të ashpër sociale e politike. Me zgjerimin e prodhimit zejtar dhe të shkëmbimit të mallrave me ilirët dhe me Greqinë, u pasuruan dhe u forcuan ekonomikisht shtresat tregtare e zejtare të kolonive. Këto shtresa dolën tani si forca të pavarura në arenën politike kundër grupit oligarkik, me synimin për të marrë pushtetin dhe për ta përdorur atë në dobi të interesave të tyre. Si rrjedhim i kësaj, në vitin 437 shpërtheu në Dyrrah një kryengritje e demosit, e njohur në historinë antike për rolin që luajti në prag të luftës së Peloponezit. Në arenën e kësaj lufte përveç forcave të demosit dhe aristokracisë, u duk edhe ndeshja e interesave të Korkyrës, prapa së cilës qëndronte Athina dhe Korinthi. Të dyja fuqitë synonin të përfitonin mundësi më të gjera në tregun ilir. Gjithashtu në këtë ndeshje morën pjesë aktive edhe ilirët fqinjë, të cilët duke ndihmuar aristokratët e dëbuar nga qyteti, u radhitën me forcat që përkahnin Athinën në luftën kundër lidhjes së Peloponezit.

Rrjedhimi kryesor i luftës civile në Dyrrah ishte triumfi i plotë i parimit të ndarjes klasore të shoqërisë, forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti tani kalon nga rrethi i kufizuar i aristokracisë skllavopronare në duart e gjithë skllavopronarëve si klasë. Baza shoqërore e tij u zgjerua me pjesëmarrjen e shtresave më të gjera skllavopronare, të pronarëve të punishteve, të tregtarëve etj., duke bërë kështu më të theksuar mënyrën antike të prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua edhe pozita shoqërore e ilirëve që banonin në qytet. Një dukuri e tillë e ngjashme u zhvillua edhe në Apoloni.

Këto ndryshime u pasqyruan edhe në përbërjen dhe në funksionet shtetërore. Vendin e krerëve (fylarkëve) aristokratë, në duart e të cilëve qe përqendruar pushteti gjatë regjimit oligarkik, e zuri tani një organ kolegjial, buleja (këshilli). Anëtarët e saj mund të ishin jo vetëm nga fisnikët, por edhe nga shtresat e tjera të skllavopronarëve. U krijua edhe organi i mbledhjes së përgjithshme të popullit, helieja. Detyrat kryesore të saj ishin miratimi i ligjeve, marrja e vendimeve me rëndësi dhe zgjedhja e kontrollimi i veprimtarisë së organeve ekzekutive të qytetit. Me gjithë pjesëmarrjen e popullit të lirë, edhe ky organ ishte në duart e skllavopronarëve, pa praninë e të cilëve helieja nuk kishte të drejtë të zgjidhte organet e larta ekzekutive të qytetit. Nga anëtarët e bulesë në krye të çdo viti zgjidhej prytani, i cili ishte funksionari më i lartë civil i qytetit. Me emrin e tij lidheshin të gjitha ligjet, dekretet e vendimet me rëndësi të shpallura gjatë vitit. Me çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen ushtarake dhe me luftën merrej toksarku, që ishte komandanti i shigjetarëve. Sekretarit i binte për detyrë kryesore të kujdesej për ngulitjen mbi gur ose mbi tabela bakri të ligjeve, të dekreteve e vendimeve të marra nga helieja apo organet e larta ekzekutive dhe t’i shpallte ato publikisht. Të tre hieramnamonët, merreshin jo vetëm me çështjet e kultit, me organizimin e lojërave e të festave, por me sa duket edhe me çështjet financiare të qytetit. Veç këtyre kishte edhe nëpunës të tjerë, të një rangu më të ulët, por që në të vërtetë luanin një rol me rëndësi në jetën ekonomike. I tillë ishte nëpunësi i ngarkuar me prerjen e monedhave, i cili kishte për detyrë të kujdesej si për sigurimin e lëndës së parë, ashtu edhe për prerjen dhe shpërndarjen e monedhave. Mbi drahmet e argjendta emri i tij vendosej krahas atij të prytanit. Një funksionar tjetër ishte poleti që merrej me rregullimin e tregtisë me ilirët.

Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet shoqërore e politike të qytetit. Kjo duket edhe nga shkrirja e funksioneve fetare me ato shtetërore (hieramnamonët). Hyjnitë më të adhuruara në Apoloni ishin Apoloni, që i dha emrin qytetit, hyjnesha ilire e brigjeve u unjisua nga kolonistët me Artemisin; Dionizi ishte hyu i vreshtave etj. Perënditë kryesore, të cilëve u faleshin më shumë dyrrahasit, ishin Zeusi, Dielli dhe bashkëthemeluesi legjendar i qytetit Herakliu.

Kolonitë helene u vendosën në Iliri në rrethanat e marrëdhënieve të ngushta ekonomike me ilirët, që kushtëzoheshin nga interesat reciproke. Fuqizimi i mëtejshëm i kolonive përkon me lindjen e qyteteve ilire dhe me formimin e shtetit ilir. Tek këta kolonitë do të gjejnë një bazë për t’u mbështetur në synimet e tyre për çlirimin e plotë ekonomik dhe politik nga metropolet. Nuk kanë munguar edhe konfliktet midis ilirëve dhe kolonive, me sa duket, si rrjedhim i shpërdorimeve të kolonistëve në marrëdhëniet me ilirët dhe për kufijtë midis tyre. Këto morën forma të armatosura në luftën e Apolonisë me qytetin ilir Thronion rreth mesit të shek.V dhe në luftën e ilirëve kundër Isës më 385 p.e.sonë.

Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë historia e kolonive helene të bregdetit të Ilirisë zhvillohet në marrëdhënie të ngushta me historinë politike të shtetit ilir dhe në kornizën e saj.