Jump to content

Teleskopi Hapësinor Hubble

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Teleskopi Hapësinor Hubble (Habëll) është një teleskop hapësinor që orbiton planetin Toke dhe operohet nga NASA si pjesë e programit te Observatoreve te Medhenj.

Teleskopi Hapësinor Hubble

Teleskopi Hapësinor Hubble është zgjidhja direkte e një problemi që teleskopët kanë hasur që në ditët e para të shpikjes së tyre: atmosfera. Xhepat e ajrit lëvizës në atmosferën e Tokës shtrembërojnë pamjen e teleskopëve në tokë, sado të mëdhenj apo të avancuar të jenë ata. Atmosfera gjithashtu bllokon apo përthith pjesërisht gjatësi vale të caktuara të rrezatimit, si ultravjollce, rrezet gama dhe rrezet X, përpara se ato të arrijnë Tokën, ndërkohë që shkencëtarët mund ta ekzaminojnë më mirë një yll duke studiuar të gjitha gjatësitë e valëve që ai emeton. Mënyra më efektive për të shmangur problemet e atmosferës është ta vendosësh teleskopin përtej atmosferës, në rastin e Hubble 569 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.

Çdo 97 minuta, Hubble kompleton një rrotullim rreth Tokës, duke lëvizur me një shpejtësi rreth 8 km/sekondë. Gjatë udhëtimit, pasqyra e Hubble-it kap driten dhe e drejton atë në instrumentet e tij të ndryshme shkencore. Drita godet pasqyrën primare të teleskopit, pasqyrohet nga ajo dhe takon një pasqyrë sekondare. Pasqyra sekondare e fokuson dritën nëpërmjet një vrime në qëndrën e pasqyrës primare drejt e në instrumentet shkencore. Pasqyra primare ka diametër 2.4 metra, e vogël krahasuar me pasqyrat e teleskopëve në sipërfaqen e Tokës që shkojnë deri në 10 m, por vendodhja e Hubble përtej atmosferës i jep asaj një qartësi të jashtëzakonshme. Pas kapjes së dritës, instrumentet shkencore punojnë së bashku ose individualisht. Çdo instrument është dizenjuar për ta ekzaminuar Universin në një mënyrë të ndryshme.

"Mali Mistik", foto e Nebulës Carina, e shpërndarë në 2010 për të festuar 20 vjetorin e Hubble në hapësirë

Instrumentet shkencore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kamera e Fushës së Gjerë 3

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

WFC3 studion në zonat afër-ultravjollcë, në zonën e dukshme dhe afër-infra të kuqe. Rezolucioni i saj është më i madhi ndër instrumentet e tjera dhe ajo do të përdoret për të studiuar energjinë e errët, materien e errët dhe formimin e yjeve individuale.

Spektografi i Origjinës Kozmike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

COS është një spektograf që punon ekskluzivisht në zonën ultravjollcë. Spektografët e zbërthejnë dritën në komponentët e saj, duke dhënë një informacion të saktë rreth temperatures, përbërjes kimike, dendësisë dhe lëvizjes së objektit që studiohet.

Kamera e Avancuar për Vëzhgime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

ACS shikon dritën e dukshme dhe ndihmon në studimin e shpërndarjes së materies së errët, në zbulimin e objekteve më të largëta në Univers, në kërkimin për planete masivë dhe studimin e evolucionit të galaktikave.

Spektografi Vëzhgues i Teleskopit Hapësinor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

STIS është një spektograf që vëzhgon në zonat ultravjollcë, të dukshme dhe infra të kuqe. Eshtë i njohur për aftësinë pë të zbuluar vrima te zeza.

Kamera Infra e kuqe dhe Spektrometri për Multi-Objekte

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

NICMOS është sensori i nxehtësisë i Hubble-it. Ai ka ndjeshmëri në zonën infra të kuqe (që perceptohet nga njerëzit si nxehtësi) dhe kjo e lejon te studiojë objekte të fshehura nga pluhuri ndëryjor.

Sensorët e Drejtimit të Saktë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

FGS janë pajisje që e mbajnë teleskopin të kthyer në drejtimin e saktë. Ato përdoren gjithashtu për të matur distancën midis yjeve dhe lëvizjet e tyre relative.

"Kolonat e Krijimit", një nga fotot më të famshme të Hubble-it që tregon formimin e yjeve në Nebulën e Shqiponjës

Arritjet shkencore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zbulimet e Hubble-it kanë transformuar mënyrën se si astronomët e shohin Universin. Aftësia e tij për të treguar Universin me detaje të paprecedenta i ka kthyer hipotezat astronomike në toerema te provuara konkretisht, duke çuar gjithashtu në lindjen e hipotezave të reja. Hubble përcaktoi moshën e Universit midis 13 dhe 14 miliardë vjetëve, shumë më i saktë se llogaritja e mëparshme që e vendoste atë midis 10 dhe 20 miliardë vjetëve. Hubble luajti një rol kyç ne zbulimin e energjisë së errët, një forcë misterioze që shkakton nxitimin e shpejtësisë së zgjerimit të Universit. Hubble u ka treguar shkencëtarëve galaktikat në të gjitha fazat e evolucionit të tyre. Ai zbuloi disqet protoplanetare dhe përzierje gazi dhe pluhuri rreth yjeve të rinj që shërbejnë si materiale për lindjen e planeteve të rinj. Teleskopi Hapësinor Hubble zbuloi gjithashtu se goditjet e rrezeve gama (shpërthime energjie te çuditshme, jashtëzakonisht të fuqishme)ndodhin në galaktikat shumë të largëta kur yjet masivë tkurren. Zbulimet e mësipërme janë vetëm një pjesë e kontributit të madh të Hubble-it në astronomi.

Impakti në shkencë dhe në publik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sasia shumë e madhe e astronomisë e bazuar në vëzhgimet e Hubble-it e ka kthyer atë në një prej observatorëve më të rëndësishëm në histori. Më shumë se 10.000 artikuj shkencorë janë publikuar bazuar në informacionin e siguruar nga Hubble. Politikat e përdorimit të teleskopit kanë kontribuar në produktivitetin e tij të jashtëzakonshëm. Teleskopi është një instrument për të gjithë komunitetin e astronomëve, pasi çdo astronom në botë mund të dërgojë një propozim dhe të kërkojë kohë në teleskop. Më pas, ekipe ekspertësh zgjedhin vëzhgimet që do të bëhen. Sapo vëzhgimi mbaron, astronomët kanë një vit kohë për të vazhduar me punën e tyre individualisht përpara se informacioni të shpërndahet në gjithë komunitetin shkencor. Teleskopi ka fituar gjithashtu edhe shumë popullaritet në publikun e gjerë për shkak të fotove të shumta dhe të ngjashme me filmat fantastiko-shkencorë për nga larmia dhe bukuria, foto të objekteve të ndryshme të Universit që jepen për publikun periodikisht në një faqe interneti të menaxhuar nga NASA, të dedikuar posaçërisht për Hubble-in, faqe në të cilën mund të kontribuojnë me projektet e tyre edhe astronomë amatorë.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]