Përdoruesi:Albanian Historian
Zhuj Selmani lindi në kohën kur kishin kaluar vetëm pak vite nga tri ngjarje të mëdha për Lëvizjen Kombëtare në Shqipëri: Masakra e Manastirit, kur osmanët prenë në besë 500 burra të shquar të Toskërisë (1830), kur ra sundimi gati njëshekullor e familjes kryengritëse të Bushatlinjve në Shkodër (1831) dhe kur u bë kryengritja e njohur e Hamzë Kazazit (1834). Në ato vite të vështira, por të lavdishme, edhe Rugova dhe viset e tjera të Kelmendit vazhdonin me përpjekjet për liri. Është e njohur kryengritja e viteve 1835-1837, por pas dështimit të saj, një pjesë e rugovasve shpërngulen në Srem, në Nikinc e Hrtkovc, Vojvodinë. E, kur në familjen e Selman Muçës së Gjekëstanishajve të Koshutanit lindi Zhuji, Principata e Serbisë kishte hartuar programin e fshehtë politik për Serbinë e Madhe, nga Ilija Garashanini (1844), në dëm të madh të Shqipërisë, po edhe të disa viseve të Ballkanit, të cilin e kanë përkrahur deri më sot politikanët serbë dhe Kisha Ortodokse Serbe.
ë vitet kur Zhuji e kreu shërbimin ushtarak të rregullt dhe shërbimin ushtarak rezervë, në Shqipëri vazhdonin përpjekjet për liri, kurse Rusia, Serbia e Greqia bënin plane për copëtimin e saj. Është i njohur projekti i Rusisë, më 1866, për copëtimin e Shqipërisë: gjysma e saj do të bashkohej me Bosnjën e Hercegovinën, kurse gjysma tjetër me Thesalinë dhe Janinën. Dy vjet më vonë, më 1868, përfundoi marrëveshja ndërmejt Greqisë dhe Serbisë për copëtimin e Shqipërisë: Serbia deri në Durrës, kurse Greqia nën Durrës e poshtë. Në anën tjetër, pushteti osman vazhdonte me mbledhjen e taksave të shumta në Shqipërinë e robëruar, nga vergjia (për pasurinë e patundshme), e deri te taksa e rrugës, taksa e tregut, taksa policore etj. Edhe gjendja në Rugovë e në Plavë e Guci, krahas konflikteve në kufi me Malin e Zi, ishte e rëndë, si në Rrafshin e Dukagjinit e në Malësi të Gjakovës. Është e njohur qëndresa kundërosmane e viteve 1867-1873. Nga burimet gojore thuhet se Zhuji qëndroi në Kullën e Sheremetit rreth 10 vjet. Dihet se pas Dekretit të Gjylahanesë (1839), shërbimi i rregullt ushtarak (nizam) zgjaste 4-5 vjet, kurse shërbimi rezervë (redif) zgjaste 7 vjet. Redifët e kryenin shërbimin në vendlindje dhe Zhuji, me siguri, ka qenë redif në Kullën e Sheremetit, deri në vdekje, më 1875. Ka të dhëna, po ashtu nga tradita gojore, se Zhuji ka qenë edhe lahutar, madje lahutar shumë i zoti. Aty, në Kullë, në kohë pushimi, i binte edhe lahutës dhe aty këndonte këngë epike për paraardhësit e shquar. Shokët e tij trima bëheshin edhe më të guximshëm për qëndresë kur sulmoheshin nga Mali i Zi. Kënga e lahutës së Zhujit u bë sinonim i mbrojtjes së atdheut deri në vdekjen e tij heroike. Zhuj Selmani, i njohur si Zhuji i kufirit, që aq shumë i nxori telashe knjazit në Cetinë, Zhuji i Kullës së Sheremetit, siç është thënë edhe më 1991, e bëri vdekjen ashtu si Oso Kuka disa vite më parë (1862) dhe ashtu ngjashëm si vdiq edhe Mic Sokoli disa vite më vonë (1881). Si Osa, si Zhuji, si Mici-trima që jetojnë gjithmonë. që dëgjohet edhe sot në të katër anët e epikës sonë historike. Zhuji ishte sa trim aq edhe i pashëm. Rreth 30-vjeçar. I pamartuar. Guximit të tij ia kishte lakmi edhe knjaz Nikolla. Thuhet se ishte oficer kufiri në Jashikovc, kur Mali i Zi përpiqej për të pushtuar sa më shumë toka shqiptare para se të mbahej Kongresi i Berlinit. I sulmuar keqas, pas shumë sulmeve dhe i rrethuar fort pas shumë rrethimeve, në kohën kur harambashët e knjazit kujtonin se të gjallë do ta çojnë në Cetinë, ai i kallë me barut ata dhe vetëflijohet për atdheun e vet. Zhuj Selmani këndohet në këngë epike historike, madje ai këndohet nga nënat edhe në ninulla, duke dëshiruar që fëmijët e tyre në djep, kur të burrërohen, të bëhen si Zhuj Selmani. Emri i Zhujit, pas vdekjes, më 1875, është epizuar në të gjitha katundet e Rugovës dhe jashtë saj, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit. Madje, edhe gjatë një hulumtimi në vitet 90 të shekullit të kaluar, janë gjetur me dhjetra burra, të rinj dhe fëmijë që mbajnë emrin Zhuj Selmani, në shenjë nderimi dhe nga dëshira e përgjasimit me këtë trim të madh, ashtu siç dëshmohet kjo dukuri e lashtë etnokulturore shqiptare edhe në traditën e hershme ilire të epizimit të emrave të burrave të shquar. huj Selmani del në skenën e historisë më të re shqiptare dhe në taditën gojore bën emër të madh sidomos pas vdekjes heroike në Kullën e Sheremetit. Ishin ato vite të Krizës Lindore, 1875-1876, kur shqiptarët vazhdonin jetën në robëri nën Perandorinë Osmane dhe ishin të rrezikuar nga fqinjtë, kur fillon kryengritja në Bosnjë (1875), e pastaj në Bullgari (1876). Në ato vite, Perandoria Osmane ishte lodhur edhe nga thatësia e madhe (1873-1875), nga kriza ekonomike, gjendja e rëndë sociale e varfëria, po edhe nga uria në Anadoll. E më pastaj, Serbia e Mali i Zi i shpallin luftë kësaj perandorie (1876), me synimin për zgjerim në territoret fqinje, sidomos në Vilajetin e Kosovës dhe në Vilajetin e Shkodrës. Lufta ruse-turke, 1877-1878, dhe pësimi i forcave osmane e keqësoi edhe më shumë gjendjen e çështjes shqiptare, e kjo u vërtetua në Shën Stefan e në Berlin (1878), por Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) u kundërvihet vendimeve të padrejta të Evropës për copëtimin e Shqipërisë. Ajo e kundërshtoi edhe Perandorinë Osmane, politikisht dhe ushtarakisht, ku familja dhe bashkëluftëtarët e Zhuj Selmanit nga Rugova e Peja dhe nga viset e tjera i thanë jo-në e parë Evropës dhe Malit të Zi në Nokshiq, me armë në dorë, në betejën e famshme në dhjetor 1879, për të vazhduar edhe në betejat e janarit 1880, kur Mali i Zi, i gjunjëzuar, heq dorë nga Plava e Gucia.
- Zymer Selmani, ishte luftëtar dhe pleqnar. Zymeri ishte djalë i Selman Muçës, që la pasardhës pesë djem e dy vajza (Ukën, Metën, Rizën, Isufin e Selmanin dhe vajzat Butën e Hâlën). U vra në Cigë, afër Pejës, më 1912, pas pushtimit të Rugovës e të Pejës nga Mali i Zi.
- Hysen Selmani, Bajram Selmani e Sokol Selmani, tre vëllazërit e tjerë të Zhujit, gjithashtu u vranë. Hyseni la pasardhës (Cekën, e Ceka la Ramën, kurse Rama la Bajramin), kurse Bajrami e Sokoli nuk lanë pasardhës. Hyseni, Bajrami e Sokoli ishin luftëtarë dhe trima. Të rinj dhe të guximshëm. Dëshmorë të familjes së Selman Muçës, dëshmorë të popullit. Luftuan ashtu siç pat luftuar Zhuji, duke vazhduar rrugën e tij për t’ i mbrojtur atdheun dhe kombin.
Pra, Selman Muça i Koshutanit ishte baba i pesë trimave, i pesë atdhetarëve, i pesë dëshmorëve, i pesë burrave të dheut.
- Kajë Galja (Gali, dëshmor i Betejës së Nokshiqit, ishte i shoqi i Kajës, nga martesa e saj e parë në Nokshiq; mënyrë tradicionle e mbiemrave të grave të martuara), ose Kajë Shabanja, kur ishte vajzë, e njohur edhe si Kajë Selmanja, ose, ndryshe, e njohur si motra e Zhujit, siç kishte dëshirë ta quante veten dhe siç njihet në këngë popullore, është bijë e shquar e familjes Zymeraj, e martuar në Nokshiq. Kaja dhe Zhuji ishin fëmijët e dy vëllezërve, Shaban e Selman Muça.
Kajë Galja ishte pjesëmarrëse në mbrojtjen e atdheut nga sulmet e Malit të Zi: Beteja e Nokshiqit, më 1879, si dhe betejat në Nokshiq, më 1912-1913 dhe, përsëri, betejat në Nokshiq, më 1918-1919, ku luftoi së bashku me fëmijët e vet: Zymerin, Imerin e Begen. Pra, u shquan për atdhe dhe këndohen në këngë popullore edhe fëmijët e Kajë Galës, nga martesa e dytë, të lindur në Nokshiqin e famshëm: djemtë Zymer Maliqi e Imer Maliqi dhe e bija Bege Maliqja. Të shquar nga pasardhësit e Gjekës, të parit të Koshutanit të sotëm, në shekullin XIX, janë:
- Sali Jaha, bajraktar dhe komandant i Bajrakut të Rugovës së Sipërme;
- Kadri Bajri, udhëheqës ushtarak dhe udhëheqës politik i Rugovës gjatë Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Pejës;
- Hysen Bajri, bajraktar i Bajrakut të Rugovës së Sipërme dhe dëshmor i kombit.
E, në shekullin XX, u shquan:
- Rizë Zymeri, komandant politik i Rugovës në Luftën e Dytë Botërore, (krahas Zhukë Haxhisë, komandant ushtarak i Rugovës në Luftën e Dytë Botërore), dëshmor i kombit;
- Sak Faslia, luftëtar i shquar i Rugovës në Luftën e Dytë Botërore, bartës i flamurit në beteja, dëshmor i kombit;
- Bajram Rama, luftëtar i shquar dhe i burgosur i njohur politik në kohën e Jugosllavisë së dytë.