Xhaferr Peçi
Xhaferr Peçi ish-komandanti historik i Gardës së Republikës, ka kryer arsimin e mesëm në Shqipëri. Më mbrapa ai iu vu studimeve vetëm në fushën ushtarake. Menjëherë, duke filluar nga viti 1947, përfundoi studimet në tri nga akademitë më të njohura të kohës që ishin në Bashkimin Sovjetik. Kështu, në vitet 1947-1950, përfundoi Akademinë Ushtarake në degën e Këmbësorisë. Në vitet 1951-1954 përfundoi Akademinë "Frunxe" dhe në vitet 1958-1960, si kishte punuar në karrierën ushtarake për katër vjet, përfundoi Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm "Voroshillov".
Pas këtij arsimimi ambicioz, Xhafer Peçi ka kryer në ushtri detyra që nga më të thjeshtat deri te më specifiket apo të karrierës, siç quhen ndryshe. Kështu, ato detyra kanë vijuar: Komandant brigade në Shkodër, shef i shtabit të brigadës së Korçës, komandant i brigadës së parë të mekanizuar të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, pastaj sërish ka kaluar në Korçë ku ka kryer detyrën e komandantit të brigadës së tetë malore të Korçës. Pas këtyre, në vitin 1966 kaloi në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes, ku drejtor ishte gjenerali i famshëm Vaskë Gjino. Më tej, në vitin 1969, kaloi drejtor i Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe, që nga viti 1972 deri në vitin 1982, ka kryer detyrën e komandantit të Gardës së Republikës.