Jump to content

Jozef Riter fon Ksilander

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Zozef Riter fon Ksilander)

Jozef Riter fon Ksilander filozof gjerman nga Gjermania. Jozefi është bërë i njohur për shoqërin shqiptare për punimet e tij në të cilat si studiuesi i parë që përmend termet gjuha e albanezëve ose e shqiptarëve.

Josef Ritter von Xylander ishte oficer i xhenios në Mbretërinë Bavareze. Nuk erdhi ndonjëherë në Shqipëri, por u mor seriozisht me gjuhën shqipe dhe me prejardhjen e Shqiptarëve. Në kohën e tij ushtarakët e karrierës përbënin një shtresë të arsimuar dhe me interesa të gjerë kulturorë. J. Xylander-i ishte doktor në filozofi dhe anëtar i Akademisë Ushtarake Suedeze. Për disa vjet J. Xylander-i ishte në shërbim të Mbretërisë së Greqisë, ku pati rastin të njihet nga afër me Shqiptarët, me kulturën, historinë dhe gjuhën e tyre.

Në vitin 1835 u botua në Frankfurt-mbi-Majn vepra e J. Xylander-it “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren”, që përmban 320 faqe . Në fillim autori paraqet të dhëna të ndryshme për shqipen dhe Shqiptarët sipas disa studiuesve të mëparshëm: Theodhor Kavalioti (të cilin e njihte nga libri i J. Thunmannit, 1774), Françesko Maria Da Leçe (Francesco Maria Da Lecce), misionar italian, autor i një gramatike të gjuhës shqipe botuar në vitin 1716; Fransua Pukëvilë (François Pouqueville), konsull i Francës në Janinë në kohën e Ali Pashë Tepelenës; Xhon Kam Hobhaus (John Cam Hobhouse), personalitet politik dhe letrar, mik i ngushtë dhe shoqërues i Bajronit gjatë udhëtimit në Shqipëri, autor i një libri me përshtypje udhëtimi, botuar më 1813; Uiljam Martin Lik (William Martin Leake), përfaqësues i qeverisë angleze pranë Ali Pashë Tepelenës në fillim të shek. XIX, autor i dy veprave që përmbajnë të dhëna me vlerë për Shqipërinë, botuar më 1814 dhe 1835. J. Xylander-i ka shfrytëzuar fjalorin e Th. Kavaljotit, gramatikën e Da Leçes dhe përkthimin shqip të Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi të botuar në Korfuz më 1827 nga Grigor Gjirokastriti. Libri i J. Xylander-it përmban: 1) një gramatikë përshkruese të toskërishtes (Grammatik der albanesischen Sprache nach Lecce, Leake und der Bibelübersetzung, f. 1-83); 2) tekste nga Dhiata e Re dhe materiale të ndryshme folklorike (Sprachproben, f. 84-150), 3) një fjalor gjermanisht-shqip (f. 151-215) dhe shqip-gjermanisht (f. 216-272) të bazuar për një pjesë të mirë te përkthimi i Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi (1827). Në fund libri ka një shtojcë me titullin “Andeutungen über Verwandtschaft und Abstammung der albanesischen Sprache” (“Aluzione për afrinë dhe prejardhjen e gjuhës shqipe”, f. 273-320), në të cilën autori shpreh mendimet e veta për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe lidhjet e saj të afrisë me gjuhë të tjera. Kjo është pjesa më interesante e librit dhe me vlerë për historinë e albanologjisë. Xylander-i ka meritën se njohu përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen indoevropiane përpara se ta bënte këtë Franz Boppi. Në atë kohë kjo ishte një e re me rëndësi në shkencë. Gjuhëtari gjerman Johann Christoph Adelung (1732-1806) ishte shprehur se Shqiptarët ishin Protobullgarë të paasimiluar ose kushërinj të Albanëve të Kaukazit: “Das letzte Volk, velches vor den Türken hier herrschte, und zwar mehrere Jahrhunderte herrschte, waren die Bulgaren, ein Tatarischer Stamm. Man konte denken, dass die heutigen Albanern ein vermischtes Überbleibsel dieses Volkes waren. Allein näher liget noch die Vermutung eines Zusammenhanges zwischen diesen Albanern und den Albanern im Osten des Schwarzen Meeres zwischen dem Kaukasus und dem Flusse Kyrus...” (Populli i fundit që sundoi këtu para Turqve për disa shekuj ishin Bullgarët, fis tatar. Mund të mendohet se Shqiptarët e sotshëm janë një mbetje e përzier e këtij populli. Por edhe më e afërt na duket pandehma për ndonjë lidhje ndërmjet këtyre Shqiptarëve dhe Albanëve në lindje, midis malit Kaukaz dhe lumit Kir...). Dijetarë të tjerë të asaj kohe i mbanin Shqiptarët si pasardhës të turmave që janë dyndur nga fillimi i mijëvjeçarit të parë në malësitë tona, ndërsa gjuhën shqipe si një përzierje të paformë të greqishtes, latinishtes, dhe të gjuhëve të tjera romane. Që në Parathënien e librit autori thotë se prejardhja e Shqiptarëve dhe gjuha shqipe njihen pak dhe në mënyrë të pasigurt. Ai ka vërejtur me mprehtësi se një gjykim i argumentuar për prejardhjen e Shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre do të ndihmonte për të sqaruar historinë përgjithësisht të errët të shumë problemeve të historisë së lashtë të Ballkanit në përgjithësi dhe do të sillte një ndihmesë me rëndësi për gjuhësinë e re indoeuropiane. Xylander-i diti t’i përdorë me mprehtësi të dhënat e gjuhës shqipe për të nxjerrë përfundime për autoktoninë e Shqiptarëve. Kështu ai mbështeti e mendimin e gjuhëtarit slloven Jernei Kopitar (1780–1844), i cili kishte vënë re se huazimet latine të shqipes si qiqër, qytet (lat. cicero, civitas) ruajnë shqiptimin e latinishtes së kohës antike (d.m.th. në shekujt para erës së re dhe në fillim të erës së re), kur këto fjalë shqiptoheshin kikero, kivitas; në këtë rast bashkëtingëllorja k e këtyre huazimeve, e ndjekur nga zanorja i ose e, u kthye në bashkëtingëlloren qiellzore q, d.m.th. qiqër, qytet. Në qoftë se paraardhësit e Shqiptarëve do të kishin ardhur nga Kaukazi apo nga ndonjë anë tjetër në shek. V ose VI si Alanët ose si Bullgarët, atëherë nuk do të kishin marrë këtë shqiptim të latinishtes antike. Xylander-i analizoi një varg fjalësh të shqipes, që i kishte përfshirë në fjalorin e tij. Ai dhe vuri re se një numër fjalësh prej tyre gjendeshin pa ndryshime thelbësore dhe në gjuhë të tjera indoeuropiane, si greqishtja e latinishtja, në gjuhët gjermanike, në gjuhë të ndryshme sllave, në indishten etj.; një numër fjalësh të tjera gjenden në turqishten, persishten e arabishten. Nga 3500 fjalët e fjalorit të tij ai gjeti 400 fjalë të ngjashme me greqishten, 650 fjalë të ngjashme me latinishten, rreth 500 fjalë me gjuhët e ndryshme gjermanike, rreth 60 fjalë me sllavishten dhe rreth 190 fjalë të ngjashme me turqishten. Ndër këto të fundit, përveç fjalëve me burim të drejtpërdrejtë nga gjuha turke, përfshihen edhe një numër fjalësh me burim nga persishtja (që është gjuhë indoeuropiane) dhe nga arabishtja (që është gjuhë e familjes semite), që kanë hyrë në gjuhën shqipe nëpërmjet turqishtes. Pra, sipas statistikës së Xylander-it, gjysma e fjalëve të fjalorit të tij dalin të afërta me fjalë të gjuhëve të tjera indoeuropiane ose joindoeuropiane. Nga fjalët që ai i sheh si të afërta me gjuhët gjermanike përmendim natë gjerm. Nacht, stap gjerm. Stab. Xylander-i e quan punën e tij të paplotë e të papërsosur dhe ua lë specialistëve që ta çojnë më tej hulumtimin në këtë fushë. Megjithatë ai arrin në disa përfundime, si: 1) gjuha shqipe nuk është aspak një përzierje e paformë e gjuhëve të reja romane; 2) ajo nuk mund të shikohet si një degëzim i gjuhës tatare, siç është besuar; 3) lënda e parë e gjuhës shqipe në masë të konsiderueshme është indoevropiane.

J. Xylander-i u përpoq të provonte, megjithëse ende në mënyrë të pamjaftueshme, karakterin indoeuropian të gjuhës shqipe (në atë kohë sapo kishte dalë metoda krahasuese-historike me veprat e Franz Bopp-it). Ai mbështeti gjithashtu mendimin Jernei Kopitar-it se nyja e prapme si dukuri e përbashkët në gjuhën shqipe dhe në rumanishte tregon se ato kanë një strukturë (Sprachbau) të përbashkët, ndërsa bullgarishtja do ta ketë marrë nyjën e prapme nga rumanishtja. J. Xylander-i ishte i pari albanolog gjerman që e analizoi shqipen me metodë filologjike, d.m.th. duke bërë krahasime me gjuhë të tjera, dhe që botoi një libër me lëndë gjuhësore të vlefshme për hulumtuesit e mëvonshëm. [1]

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ J. Riter Fon Ksilander: Die Sprache der Albanesen der Schkiptaren, Frankfurt am Main, 1835 nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.25, botimi i tretë, Prishtinë 2004