Jump to content

Haxhi Aliu

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shpella e Haxhi Aliut

Haxhi Ali Ulqinaku ose shkurt Haxhi Aliu (1569 – 1625) ka qenë kapiten detar ulqinak me emër në Mesdhe.

U lind në Ulqin rreth vitit 1569, por origjinën e kishte nga shqiptarët e Kalabrisë. Në vitet 1587-1593 kreu shërbimin ushtarak në Forcat Detare osmane. Gjatë viteve 1594-1597, vazhdoi studimet në shkollën ushtarake të Detarisë në Stamboll. Disa vite shërbeu në Flotën Detare Ushtarake të Perandorisë OsmaneMesdhe. Në ato kohë Mesdheu rrihej kryq e tërthor nga piratët e huaj: italianë, grekë, portugezë, spanjollë e francezë që popullli i njihte me emrin “frëngj”. Pikërisht të njëjtën gjë rrëfen edhe misionari italian De Camilis, udhëtues në brigjet tona e gati në gjithë Mesdheun. “Gjatë udhëtimit tim në këto vise nuk hasa pengesa , megjithëse Deti Mesdhe gjatë asaj kohe ishte plot me piratë” - do të shkruante ai, për udhëtimin e tij në brigjet tona. Bëhet fjalë për vitin 1668, kur De Camilis udhëtoi nga Italia për në Dhërmi e Himarë, ku edhe shërbeu si misionar.

Në vitet 1609-1624, në gadishullin e Karaburunit, Haxhi Aliu u vendos së bashku me te birin dhe dy testana (anije me vela), që përdoreshin nga detarët shqiptarëshekujt XVI-XVIII. Luftoi kundër Ushtrisë franceze e veneciane që kërkonin zotërimin e brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në të dy anët e Karaburunit, Haxhi Aliu bashkëpunoi me kapedanët himariotë të detit dhe me barinjtë vendas kundër piratëve të huaj që sulmonin këto brigje. Pylli i Karaburunit ishte furnizuesi i Haxhi Aliut me lëndë druri për ndërtimin e anijeve luftarake, anije, të cilat me veprimtarinë e tyre ishin përqendruar kryesisht në mezokanal. Sipas gojëdhënave, Haxhi Aliu me anijet e tij të shpejta rrihte brigjet veriore të Afrikës deri në Misir e Spanjë.

Rreth viteve 1623-1624, në brigjet e Otrantos u ndesh me anijet e Venedikut dhe të Anglisë, në një ekspeditë ushtarake të pabarabartë, e cila kishte për qëllim eleminimin e të gjithë piratëve nga brigjet e Mesdheut. Megjithëse ata ishin të shumtë e të pajisur me mjete të fuqishme lundrimi, Haxhi Aliu u rezistoi dhe ata nuk arritën ta thyenin apo ta zinin rob. Kjo qëndrese ndaj një fuqie të tillë u përhap gojarisht brez pas brezi. Pleqtë tregonin se shumë shtete e ndiqnin për ta vrarë këtë pirat dhe shoket e tij. Çdo dimër në Ulqin e Tivar bëheshin kaq dasma, martoheshin kaq vajza të varfra me ndihmën e Haxhi Aliut.

Megjithë trimërinë që kishte dhe zotësinë e rrallë në njohjen e detit, fati i tij nuk kishte vendosur që ta thyente atje ku ai kaloi shumicën e betejave. Ishte vera e vitit 1625 dhe barinjtë kishin dalë në male me kopetë e tyre. Karaburuni kishte mbetur pa njeri ato ditë dhe Haxhiu ndodhej në det. Aty ai do të ndeshej me disa anije, të cilat ishin superiore në numër e në njerëz. Aliu arrin që të çajë rrethimin dhe e çon anijen afër bregut duke arritur kështu që të zbriste në tokë. Megjithatë edhe piratët e vazhduan ndjekjen pa u shkëputur asnjë çast. Beteja që ndodhi në det u pasua nga ajo në tokë, në të cilën Haxhiu u vra tek vendi i quajtur “maja e Frëngut”. Kur u mësua lajmi i zi, barinjtë derdhën lot, sepse u kishte vdekur shpata e mburoja e brigjeve shqiptare. Në vjeshtën e atij viti, barinjtë vendas në shenjë zie, respekti e nderimi u hoqën bagëtive zilet e këmborat, gjë që ndodhte rrallë në këto anë , veç në ndonjë gjëmë të madhe. Heshtja mbuloi Karaburunin, por jo zemrat e banorëve vendas, të cilët e përjetësuan Haxhi Aliun trim në këngët e tyre. Që nga ajo kohë nga detarët e bë zakon që kur kalonin afër shpellës, i binin sirenave të anijeve, hidhnin në det buke e shishe me vaj në kujtim të Haxhi Aliut. Ishte hapur fjala se e kishte varrinIshullin e Sazanit, por gojëdhënat thonë se varri i tij ndodhet në det të hapur, aty ku nxin fundi i detit midis Kepit të Karaburunt dhe ishullit të Sazanit. Ekziston Shpella e Haxhi Aliut dhe flitet për varrin e tij dhe të birit të tij në ishullin Sazan.