Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit ishte kuvend themelues i Lidhjes së Prizrenit që konsiderohet organizimi i parë mbarë shqiptar me karakter politiko-ushtarak që u mbajt në qytetin e Prizrenit, nga data 10 deri më 17 qershor të vitit 1878.[1]

Përmbledhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Punimet e Kuvendit të Përgjithshëm u hapën me 10 qershor 1878. Për shkak të kohës së shkurtër për përgatitje dhe të vështirësive që nxorën autoritetet osmane, në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Megjithatë, njihen më se 110 emra pjesëmarrësish, shumica e të cilëve vinin nga Vilajeti i Kosovës.

Kuvendin e përgjithshëm e drejtoi Iljaz Pashë Dibra, një veteran i luftërave që kishin zhvilluar shqiptarët kundër reformave centralizuese të Stambollit dhe kundër synimeve shoviniste të shteteve fqinjë. Që në ditën e parë Kuvendi vendosi të formonte Lidhjen Shqiptare, organizatë me karakter politik dhe ushtarak, duke e quajtur në fillim thjesht Lidhja e Prizrenit. Po më 10 qershor Kuvendi vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit të mos i jepte asnjë pëllëmbë tokë të tyre ndonjë shteti të huaj, sepse në të kundërtën shqiptarët do të luftonin deri në fund. Kuvendi vendosi gjithashtu që Lidhja e Prizrenit të organizonte forcat e saj të armatosura, të pavarura nga Porta e Lartë. Këto do të ishin forca të armatosura vullnetare, të cilat do të përdoreshin për të mbrojtur vendin nga rreziku i copëtimit. Vendim tjetër i rëndësishëm i Kuvendit ishte shpallja e një bese të përgjithshme, sipas zakonit tradicional, me anë të së cilës të gjithë shqiptarët do të pajtoheshin, duke ndërprerë gjakmarrjet dhe mëritë që kishin ndërmjet tyre, deri sa të kalonte rreziku i jashtëm për atdheun. Lidhja zgjodhi organet e saj të larta: Keshillin e Përgjithshëm me kryetar Iljaz Pashë Dibrën për funksionet legjislative dhe Komitetin Qendror, në të cilin bënin pjesë Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Haxhi Shabani etj., për funksionet ekzekutive.

Pas vendimeve të para më të ngutshme, Kuvendi i Përgjithshëm i vazhdoi punimet për të hartuar dhe për të miratuar programin e Lidhjes, mirëpo rreth programit pati mjaft debate. Delegatët patriotë kërkuan që Lidhja të ishte një organizatë me karakter kombëtar, e cila do të luftonte jo vetëm kundër rrezikut të copëtimit, por edhe për të siguruar të drejtat kombëtare për Shqipërinë. Por delegatët me prirje turkomane, së bashku me disa delegatë që vinin nga jashtë viseve shqiptare, kërkuan që Lidhja të kthehej në një organizatë islamike ballkanike dhe të mbronte interesat e Portës së Lartë. Pas një javë debatesh, më 17 qershor 1878 projekprogrami i paraqitur nga delegatët turkomanë, i njohur me emrin Kararname (libri i vendimeve) u konsiderua i miratuar, ndonëse nuk mori shumicën e votave.

Formimi i Lidhjes së Prizrenit pati jehonë pozitive dhe ngjalli shpresa në të katër anët e vendit. Në këto rrethana, ku arritën delegatët pothuajse të të gjitha krahinave shqiptare, u mblodh rishtazi në Prizren më 1 korrik 1878 Kuvendi i përgjithshëm, i cili më 2 korrik miratoi Talimatin (Kanunin e ri). Në këtë dokument thuhej shprehimisht se Lidhja Shqiptare e formuar në Prizren do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Aty i jepej e drejta Lidhjes që të formonte degët e saj në qendrat e ndryshme të hapësirës shqiptare dhe të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të mblidhte për nevojat e veta buxhetore taksa të ndryshme, të kishte gjyqe të veçanta etj. Me këto atribute Lidhja e Prizrenit fitonte funksione pushtetore të veçanta nga ato të shtetit osman dhe në këtë mënyrë krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar. Miratimi i këtij dokumenti tregonte se në Lidhje kishte triumfuar platforma kombëtare. Udhëheqësit e Lidhjes e shikonin shtetin autonom si një periudhë kalimtare drejt pavarësisë dhe shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Bashkë me kërkesat për autonomi shtrohej edhe nevoja e bashkimit të tokave shqiptare në një njësi të vetme administrative, të cilat atëherë ishin të ndara në katër vilajete. Brenda kësaj njësie, pra të një vilajeti të veçantë, shqiptarëve do t'u njiheshin të drejtat me karakter politik, kulturor (përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe) dhe ekonomik. Kërkesat për autonomi janë paraqitur gjatë viteve të Lidhjes në shumë kuvende krahinore dhe mbarë shqiptare të asaj kohe, siç ishin Kuvendi i Dibrës (1 nëntor 1878), Kuvendi i Prevezës (11 janar 1879), Kuvendi i Prizrenit (3 tetor 1879) etj.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Kristo Frashëri (2012) Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881, Tiranë
  • Peter Bartl: Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenwart. Regensburg 1995, ISBN 3-7917-1451-1.
  • Peter Bartl: Die Albanischen Muslime zur Zeit der nationalen Unabhängigkeitsbewegung (1878-1912). Wiesbaden 1968.
  • Peter Bartl: Die Liga von Prizren im Lichte vatikanischer Akten. (Archiv der Propagandakongregation). In: Südost-Forschungen, 47 (1988) S. 145–186.
  • Skendi Stavro: The Albanian National Awaking 1878-1912. Princeton, New Jersey 1967, ISBN 0-691-05100-3.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Ismajli, R.; Kraja, M., red. (2011). Kosova : vështrim monografik [Kosova: A monographic survey]. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. fq. 204 - 205.