Medin Zhega
Medin Zhega është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF (Federata Shqiptare e Futbollit) ka lindur në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji. Ka kryer studimet e larta edhe në Intitutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve "Vojo Kushi" (sot Akademia e Sporteve).
Në periudhën 1963–1979, ka luajtur futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri. Ka kryer gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit.
Në vitet 1984-1986 ka punuar si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ka qenë trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Ka fituar titullin e lartë "Mjeshtër i Merituar i Sportit". Jeton në Tiranë dhe jep leksione futbolli.

