12 porositë e Arbën Xhaferit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

12 porositë e Arbën Xhaferrit (Shqiptari që i mungoi këtij 100 vjetori) Gjinia: Intervista, aktualitet, histori. Autori: Arbën Xhaferri, intervistoi Rudina Xhunga. Shtëpia botuese: "Dudaj". Viti i botimit 2012. Faqet e librit 192. ISBN 978-99943-0-293-2

Mbi librin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shqiptari që nuk mund t’i mungojë festës. Mbështetur në këtë bindje, gazetarja Rudina Xhunga e sjell atë përmes një libri. E titullon “12 porositë e Arbën Xhaferit”, një botim i shtëpisë botuese “Dudaj”. Ky libër përmban 12 intervista të rralla për nga gjuha, cilësia e mendimit, idetë që përcjellin, vizioni, besimi i ideologut dhe mendimtarit mbarëshqiptar, i cili u nda nga jeta këtë verë.

Xhunga e quan librin “platforma mbarëshqiptare e Arbën Xhaferit, drita në fund të tunelit të Shqipërisë Etnike” dhe ia sugjeron leximin çdokujt që është dhe do të bëhet pjesë e jetës publike të vendit. “Nëse të duhet një mentor, ai është Arbën Xhaferi. Nuk ke për të njohur dikë të ngjashëm, aq racional dhe optimist, aq besimtar në tezën se Shqipëria bëhet dhe t’i mund të japësh një dorë. Po ikën koha e polarizimit dhe sharjeve, do të vijë koha e ndërtimit. Shumë shpejt. E atëherë ti nuk mund t’u referohesh debateve pa bukë e argumente të politikës aktuale shqiptare, ku askush nuk prodhon asgjë. Kjo kohë është shterpë dhe po vdes si e tillë. Arbën Xhaferi ka ide, ka vizion, ka ç’të ndajë më ty”, thotë Rudina Xhunga, e cila e çon në katër numrin e librave të saj, veçse ky i fundit është tërësisht ndryshe nga tre të parët. “Këto intervista janë flamuri i tij, janë modeli, besimi dhe ëndrra e një njeriu, që jo vetëm e njihte mirë, por edhe dinte ta donte bukur Shqipërinë. E donte me optimizmin e atij që të thotë se perspektiva është këtu afër nesh, ne thjesht s’e shohim; e donte me ngutjen e atij që të shtyn se nuk mund të presësh edhe 100 vjet të tjerë me vaj e faj, për t’u bashkuar; e donte me urtësinë e atij që tregon Rrugën, shkruan Rudina Xhunga në parathënien e librit. Këto intervista janë realizuar përgjatë 12 viteve, kur Arbën Xhaferi ka qenë i ftuari i saj në studion e emisioneve politike “Dritare”, në ekranin e TVSH-së dhe “Shqip” në “Top Channel”.

Marrë nga libri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kam pasur fatin të intervistoj Arbën Xhaferin, për 12 vjet.

Në dy emisione "Dritare" në TVSH dhe "Shqip" në Top Channel.

Në më të shumtën e viteve isha intervistuesja e tij ekskluzive, në daljet e tij televizive, të cilat u bënë ngaherë e më të rralla, por përherë e më të çmuara.

Pata privilegjin ta intervistoja dhe ndiej përgjegjësinë të ndaj me lexuesin këtë libër, ku përfshihen opinionet, mendimet, idetë, vizionet, ëndrrat e Arbën Xhaferit, shpërndarë nëpër 12 intervista të rralla.

Ndoshta jo gjithkush ka mundur ta shijojë plotësisht Arbën Xhaferin, ndërsa fliste në Top Channel, për shkak të sëmundjes që e pengonte të shprehej në formë ashtu si në përmbajtje.

Por, kushdo e lexon këtë libër, s’kam dyshim se do t’ia propozojë një tjetri dhe tjetri një tjetri, ngase është platforma e tij më e plotë mbarëshqiptare, vështrimi më I qartë I dritës në fund të tunelit të Shqipërisë Etnike.

Ai flet sikurse njeriu që e vendos flamurin e kuq, që alarmon një rrezik dhe është I ndërgjegjshëm se snajperët janë në të gjitha anët. Snajperët që të vrasin qoftë edhe duke të lënë mënjanë, duke të larguar, duke të harruar. Por ai nuk priti që dikush ta mbulonte dhe mbronte, sepse tashmë flamuri i kuq ishte vendosur.

Këto intervista janë flamuri I tij, janë modeli, besimi dhe ëndrra e një njeriu që jo vetëm e njihte mirë, por edhe dinte ta donte bukur Shqipërinë.

E donte me optimizmin e atij që të thotë se perspektiva është këtu afër nesh, ne thjesht s’e shohim; e donte me ngutjen e atij që të shtyn se nuk mund të presësh edhe 100 vjet të tjerë me vaj e faj, për tu bashkuar; e donte me urtësinë e atij që tregon Rrugën.

Arbën Xhaferi nuk është më. Ai do t’i mungojë këtij 100 vjetori të Shpalljes së Pavarësisë.

Por, më shumë se me ambicien e shenjës në 100 vjetor, unë po e botoj këtë libër, për t’i thënë FALEMINDERIT, në këtë vit të shënuar, një njeriu të çmuar, të cilit I detyroj mësime të vyera.

Më mirë të mos shtoj, përveçse t’ju ftoj nëpër 12 porositë e Arben Xhaferit.

Lidhje e jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Libri "12 porosite e Arben Xhaferrit" mund te gjendet ketu