Shko te përmbajtja

14 vjeç dhëndër

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga 14 vjec dhëndër)

Andon Zako Çajupi – komedia “14 – vjeç dhëndër”


Çajupi është një nga shkrimtarët kryesorë të Rilindjes Kombëtare, i cili shënoi në letërsinë shqipe kalimin nga romantizmi në realizëm. Ai hodhi themelet e komedisë shqiptare, duke i dhënë dramës një përmbajtje dhe formë të re përmes këndvështrimit realist e kritik, si dhe humorit të thellë popullor.

Komedia përbëhet nga katër skena, ose “pamje” siç i quan autori. Pamja e parë lidhet me bindjen, ndërsa e fundit me realitetin. Tana e bind Vangjelin që ta martojë djalin 14-vjeçar me një grua të pjekur, duke i kujtuar se edhe vetë ai ishte martuar në këtë mënyrë. Pamja e fundit paraqet realen e hidhur: djali kërkon gjumë, ndërsa nusja detyrohet ta ruajë burrin si të ishte fëmijë. Kështu, komedia merr në fund karakterin e tragjikomedisë. E keqja është se situata nuk ndryshon, por trashëgohet dhe përsëritet nga një brez te tjetri.

Në qendër të komedisë qëndron Tana, strumbullari i të gjitha veprimeve dhe situatave komike. Personazhi i saj zhvillohet në dy plane:

  • Tana si viktimë e mentalitetit të kohës, e lodhur nga barra e rëndë e punëve brenda dhe jashtë shtëpisë.
  • Tana si bartëse e këtij mentaliteti, e cila kërkon ta ruajë këtë gjendje edhe te nusja e djalit, për t’u lehtësuar nga stërmundimet e përditshme.

Edhe pse kalon nëpër situata komike, Tana ngjall trishtim dhe keqardhje. Pas veprimeve të saj në dukje qesharake fshihet një dramë shpirtërore, e cila do të përsëritet edhe te nusja si pasardhëse e saj. Kjo e bën Tanën njëkohësisht viktimë dhe përçuese të mentalitetit patriarkal.

Vangjeli paraqitet si përfaqësues tipik i burrave dembelë. Dembellëku, fodullëku dhe qëndrimi indiferent ndaj martesës së djalit e bëjnë atë një figurë qesharake. Megjithatë, tek ky personazh shfaqen edhe shkëndija instinktive të përshtatjes me zakonet e reja, sidomos në kundërshtimin që i bën Tanës për martesën e djalit.

Komedia pasurohet edhe me skena të tjera si “Në mulli”, “Urime” dhe “Dit’ e dasmës”, të mbushura me sharje, thashetheme e mallkime grash, si dhe me urime e dolli dasmorësh të dehur. Këto skena krijojnë një atmosferë të gjallë dhe gazmore fshatare.

Kulmi i komizmit dhe njëkohësisht i trishtimit arrihet në dialogun e fundit mes nuses 20-vjeçare dhe dhëndrit 14-vjeçar. Dhëndri, i pavetëdijshëm për pozitën e tij, e quan nusen herë motër e herë nënë. Përballë tij qëndron nusja, e vetëdijshme për fatin e saj. Nëse tek fjalët e dhëndrit ka pafajësi dhe naivitet, tek fjalët e nuses shpërthen zemërimi. Drama e saj pasqyron dramën e të gjitha vajzave që bëheshin viktima të një mentaliteti të mykur. Kjo është një martesë e dënuar të dështojë, sepse nuk bazohet në lidhje shpirtërore apo pjekuri, por në zakone të vjetra dhe interesa prindërore.

Çajupi e ka ndërtuar veprën mbi bazën e të folmes dialektore për të karakterizuar personazhet fshatare. Ai përdor trajta, fjalë dhe sintaksë dialektore, si dhe rima të përshtatura sipas shqiptimit popullor. Humori buron kryesisht nga gjuha e gjallë popullore: idioma, sharje, urime dhe mallkime me ngarkesë tallëse. Efekti komik krijohet nga renditja e papritur e tyre në antitezë, si dhe nga ironia që lind nga rimarrja e fjalëve të bashkëbiseduesit me kuptim të përmbysur.

Në këtë mënyrë, “14-vjeç dhëndër” mbetet një komedi me humor të fuqishëm, që fsheh brenda saj një dramë të thellë shoqërore dhe njerëzore.