Abaz Aliu

Al-Abaz ibn Ali ibn Abu Talib (arabisht: الْعَبَّاس اِبِنْ عَلي اِبِنْ أَبي طَالِبْ; rr. 4 shaban 26 - 10 muharrem 61H / 15 maj 647 - 10 tetor 680) njohur sipas kynjasë Ali al-Fadl (arabisht: أَبو الْفَضْل, shqip: 'ati i virtytit'), nëpër shqiptarë njihet kryesisht si Abaz Aliu - i shumënderuar nga bektashinjtë.
Ai ishte i biri i Aliut të Abu Talibit dhe i Fatimesë e bija e Hizamit,; i ati është kalifi i katërt rashidun për Sunijtë dhe i pari Imam për Shi'itë. E ëma ishte e bija e Hezamit i Halidit i Rabies nga fisi Banu Kilab, e njohur me nofkën Umm al-Banin (arabisht: أُمّ ٱلْبَنِين, shqip: 'Nëna e djemve'). Abazi luftoi si flamurmbajtës i të vëllait, Imam Hysenit, në betejën e Qerbelasë më 10 Muharrem 61 (10 tetor 680) kundër ushtrisë së kalifit Umejad Jezidit të birit të Muavijes.
Ai u vra duke u përpjekur t'i sillte ujë nga Eufrati familjes së rrethuar të Profetit. Abazi thuhet se trashëgoi guximin dhe trimërinë e Aliut dhe lavdërohet nga Shi'itë për besimin dhe qëndresën në të përkrahurit vëllain e tij. Çmohet ndër shi'itë si shëmbull epran i guximin dhe vetëflijimit. Tyrbja e Abaz Aliut si dhe mekami i të vëllait, Hysenit, janë vende pelegrinazhi në Qerbela.
Tituj
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas traditës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nganjëherë Aliu kur hidhte vështrimin te djali i tij, i shfaqej para syve e ardhmja e të birit; pas një buzëqeshjeje kënaqësie ndaj caktimit të Zotit, nga sytë e tij rridhnin lot. Kur bashkëshortja e tij e pyeti se pse po vajtonte, ai i tha: “Abazit do t’i presin krahët kur t’i vijë në ndihmë Hysenit”. Atëherë, për hir të dashurisë të madhe që ka Zoti ndaj tij, do t’i falë Abazit dy krahë, që të fluturojë në parajsë si xhaxhai i vet Xhaferi bin Ebi Talib.
Në vitin 37, hixhri në luftën e Sifinit, megjithëse ishte një djalosh shumë i njomë, vetëm 14 vjeç, ai luftoi me një heroizëm dhe trimëri të pashoqe edhe në beteja të tjera. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysenit, rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Armiku mori shenjë dhe e goditi në krahë Abaz Aliun. Trimi, si i humbi të dy krahët nga goditja e armikut, ra nga kali. Imam Hyseni i shkoi pranë, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji vëllain e dashur që më pas shkoi te Zoti.
Teqeja e Kulmakut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Teqeja e Kulmakut është ndërtuar për herë të parë rreth viteve 1908, nga besimtarë vendas. Ishte një dervishije me dy dhoma me mur guri poshtë Çukës së Tomorit ose Qafa e rrugës për Abaz Ali. Në pranverën e vitit 1914, andartët grekë bënë reprezalje në drejtim të objekteve të kultit bektashianë, duke djegur e shkatërruar dhjetëra teqe në Jug. Këtyre reprezaljeve nuk u shpëtoi dot as dervishija, poshtë Çukës Abaz Ali, e cila u shkatërrua nga themelet. E ringriti dhe e themeloi teqenë e re më poshtë dervishijes (1908) në Kulmak, dervish Iliazi në vitin 1916. Ndërtimi i saj i plotë me dy kate i ngjante një kështjelle. Teqeja u ndërtua në shërbim të tyrbes së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë. Sot kjo teqe është dykatëshe, me mjedise të mëdha, dhe në datat 20 - 25 gusht të çdo viti pret mijëra besimtarë bektashianë nga Shqipëria, diaspora, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia e deri nga SHBA.
Gjurmët e Abaz Aliut në Skrapar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjurma e Abaz Aliut lidhet me legjendën se si ka ardhur Abaz Aliu në Tomor. Përjetësimi i figurës së Abaz Aliut në Skrapar është i madh, sa gjurmët e tij dhe të kalit janë në: “Dërrasën e Kajcës”, në kufi me Përmetin; në “Taroninë” të Çepanit; në “Shkëmbin e Kanionit të Osumit” të Dhoresit; Gjurma e dorës së tij në afërsi të Bargullasit; në “Dërrasën e Novajt” dhe “Vendi i shenjtë” në veri të Tomorit (mbi Dardhë të Beratit) dhe “Çuka e Tomorit”, varri i tij kenotaf. Këto vende vizitohen nga besimtarët e dashamirësit gjatë gjithë vitit, por sidomos në ditët 20-25 gusht. Emri i Abaz Aliut është më i hyjnizuari, më i lartësuari, më i shenjti, më i adhuruari ndër besimtarët e jobesimtarët e trevës së Skraparit dhe në Shqipëri e më gjerë, qysh herët e deri në ditët e sotme. Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mitik drejt malit të Tomorit ku vajti dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu, si luftëtar që ra për lirine, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë Tomor.
Shiko dhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Mali Tomorr dhe Gjurmët e Abaz Aliut (Kryegjyshata Botërore Bektashiane)
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Shënim: Për këtë shkrim janë përdorur materiale nga libri “Tek Abaz Aliu”, i autorit Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane
- Shkrimi u botua në Gazeta Shqiptare nga Ferdinand Samarxhi me titull: Kryegjysh Baba Mondi: Tomori mitik - Perëndi e të gjithëve
- www.bksh.al