Adriani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Perandori i madh i Romës, Adriani, i shkëlqyer, aktiv dhe i zgjuar, i njohur në latinisht si Publius Aelius Hadrianus, sundoi në Perandorinë e fuqishme Romake për 21 vjet me radhë (117-138 e.s). Adriani u lind në një familje gjysmë italiane e gjysmë spanjolle më 24 janar të vitit 76 dhe vdiq më 10 korrik të vitit 138. Babai i tij ishte i gradës senatoriale dhe ishte një kushëri i parë i perandorit Trajan. Ai u martua me mbesën e Trajanit Vibia Sabina herët në karrierën e tij, përpara se Trajani të bëhej perandor.[1]

Perandori Adrian dhe Antinous. Muzeu Britanik

Ushtria dhe Senati i Romës miratuan pasimin e Adrianit si perandor. Me sundimin e tij Adriani preferoi të investojë në zhvillimin e kufijve të qëndrueshëm, të mbrojtur dhe bashkimin e popujve të ndryshëm të perandorisë. Adriani ndiqte me energji idealet e veta perandorake dhe interesat personale. Ai vizitoi pothuajse çdo krahinë të perandorisë, shoqëruar nga një shpurë perandorake specialistësh dhe administratorësh. Ai inkurajoi gatishmërinë dhe disiplinën ushtarake dhe nxiti, dizenjoi, ose subvencionoi personalisht institucione të ndryshme civile dhe fetare dhe ndërtimin e projekteve. Në Romë vetë, ai rindërtoi Panteonin dhe ndërtoi tempullin e gjerë të Venusit dhe Romës. Në Egjipt, ai mund të ketë rindërtuar Serapeumin e Aleksandrisë. Ai ishte një admirues i flaktë i Greqisë dhe u përpoq ta bënte Athinën kryeqytet kulturor të Perandorisë së tij, kështu që ai urdhëroi ndërtimin e shumë tempujve të pasur atje. Marrëdhënia e tij e fortë me djaloshin e bukur grek Antinous dhe vdekja e parakohshme e këtij djali bëri që Adriani të dëshpërohej thellë e të krijonte kultin më të ri romak për nder të tij. Ai shtypi revoltën e Bar Kokhba-s në Judea, por mbretërimi i tij nga ana tjetër ishte paqësor.

Sipas ‘Historia Augusta’, Adriani kishte një interes të madh për astrologjinë e për parashikimet dhe i ishte parashikuar se do të bëhej perandor nga një xhaxha i tij, i cili ishte edhe vetë një astrolog i aftë.

Perandori Adrian – adhuruesi më i madh i kulturës helene

Perandori romak Adriani ishte adhuruesi më i madh i kulturës së lashtë greke. Gjatë viteve të sundimit të tij, ai veproi sipas dashurisë së tij për Athinën, duke e pajisur atë me projekte të rëndësishme që transformuan strukturën e saj urbane. Projektet e tij janë: Biblioteka e Adrianit, Ujësjellësi Adrianik, përfundimi i tempullit të Zeusit Olimpik, ura monumentale mbi Kefisin Eleusinian, Harku i Adrianit, Panteoni, i cili ishte ndoshta tempulli më i lartë i Greqisë së lashtë dhe të tjerë.

Dashuria e Adrianit për Athinën lindi që në adoleshencën e tij, gjatë së cilës ai iu përkushtua me shumë pasion arsimit grek saqë njerëzit e quanin Graeculus, që përkthehet greku i vogël. Athina, të cilën ai e projektoi si djep të intelektit, ia ktheu dashurinë dhe mirësitë e tij. Statujat e Adrianit në Akropol dhe në Agora tregojnë se ai adhurohej së bashku me hyjneshën Athene dhe Zeus Eleutherion, dhe nderohej si Dionisi i Ri. Me rastin e 1900 vjetorit nga ngritja e tij në fron, Athina moderne e nderoi perandorin filohelen me ekspozitën "Adriani, Shpëtimtar dhe Themelues".[2]

Përpara se të emërohej pasardhësi i Trajanit si perandor romak, Adriani kaloi një periudhë kohe në Athinë, me shumë mundësi nga fundi i konsullimit në 108 deri sa u caktua gjeneral (legatus) në 117 e.s. në provincën siriane.

Vitet e Adrianit në Athinë ndikuan në qasjen e tij administrative dhe kulturore ndaj Greqisë në përgjithësi dhe Athinës në veçanti kur ai ishte perandor. Ai e kaloi pjesën më të madhe të sundimit të tij duke vizituar krahinat, duke i kushtuar shumë kohë Greqisë dhe krahinave të tjera lindore. Në Athinë, Adriani sponsorizoi përfundimin e Tempullit e Zeusit Olimpian, një nga më të mëdhenjtë e kohës së tij. Në vitin 129 ai mori titullin ‘Olympius’, dhe në 131/132 Athina e nderoi atë me monumentin ‘Harku i Adrianit’, në të cilën ata mbishkruan emrin e tij së bashku me Tezeun si themelues të qytetit. Rreth asaj kohe Adriani krijoi Panhelenionin, një federatë qytetesh greke me Athinën si qendër. Të gjithë anëtarët përfaqësoheshin në mënyrë të barabartë në sytë e shtetit romak.

Portreti i Adrianit është një dëshmi e qëndrueshme e filohelenizmit të tij. Portreti i Adrianit përfshin atletizmin rinor dhe ngjyrën e pacenuar tipike të idealizmit grek. Ky stil artistik përqendrohet në bukurinë e njeriut të përafërt me atë të hyjnive. Si rezultat, lloji i portretit të Adrianit është gjithnjë rinor dhe pa të meta. Ai huazon më tej nga tradita greke me tiparet e tij më dalluese: flokë të gjatë kaçurrela dhe mjekër të ngushtë. Mjekra në veçanti ishte një simbol grek i burrërisë, dhe ai ishte perandori i parë që kishte e shfaqte këtë, duke qënë se shumica e perandorëve romak nuk e kishin zakon të mbanin mjekër.

Adriani pasoi Trajanin, të cilin e ndoqi pothuajse gjithmonë në fushatat e tij larg Romës. Nga ai mori në dorëzim Perandorinë Romake në madhësinë e saj më të madhe territoriale në historinë e saj. Ai i shërbeu asaj në mënyrën më të mirë të mundshme: organizoi administratën në mënyrë më efikase, ai ishte i prirur për të promovuar zgjidhjen diplomatike në dallim me luftën, themeloi qytete dhe punoi drejt koherencës së perandorisë. Në të njëjtën kohë, ai përdori teknologji inovative dhe krijoi standarte në dizajnin arkitektonik në mënyrë që të transformonte strukturën urbane të Romës dhe qyteteve të tjera. Qytetet greqishtfolëse të provincave lindore dëshmuan një periudhë të re prosperiteti nën sundimin e Adrianit, e cila rigjallëroi ekonominë dhe përforcoi revolucionin e madh kulturor të shek. II e.s.. Duke njohur mbretërimin e tij të ndritur, krahinat lindore të Perandorisë Romake e nderuan atë me titullin "Olympius" - një titull që i është dhënë vetëm Zeusit dhe Perikliut.

Pamje nga Biblioteka (Libraria) e Adrianit në Athinë

Perandori filohelen e vizitoi Athinën tre herë gjatë jetës së tij dhe qëndroi këtu më gjatë sesa kishte qëndruar në çdo qytet tjetër, përveç Romës. Në vizitën e tij të parë, rreth vitit 112 e.s, ai u zgjodh Arkon Eponim (sundues i lartë). Në vitin 124, si perandor tani, Adriani u bë pjesë e Mistereve Eleusiane, reformoi regjimin e Athinës duke rivendosur numrin e anëtarëve të Parlamentit të Kleisthenit në 500 dhe zgjidhi çështjet e taksave. Ai udhëtoi në Peloponez, themeloi dhe restauroi monumente, dhe vitin pasardhës u kthye në Athinë, ku përuroi programin e tij ambicioz të ndërtimit. Në udhëtimin e tij të radhës (128-129 e.s) ai vizitoi Spartën ku u zgjodh "patronom" dhe siguroi pëlqimin e familjeve të shquara të Athinës dhe Spartës për krijimin e Koinonit (Lidhjes) së qyteteve greke, një vizion i Perikliut që nga viti 450 pr.e.s

Si një entuziast i kulturës greke, në 131/132 Adriani themeloi Panhelenionin dhe krijoi Lojërat Panhelenia. Institucioni ishte një organ federal në të cilin bënin pjesë të paktën 30 qytete nga 3 kontinente që mund të provonin rrënjët e tyre greke. Selia e Panhelenionit ishte Athina, një fakt që mbështeti rolin e saj si qendra e botës greke. Vizioni i Adrianit për të bërë Athinën, qendrën e provincave lindore u materializua gjithashtu nga ndërtesat dhe infrastruktura që qyteti zhvilloi gjatë mbretërimit të tij.

Fillojmë nga Tempulli i Zeusit Olimpik, një monument pikë referimi në zemrën e Athinës së sotme. Themelet e tij ishin vendosur nga Peisistratidët në shekullin VI pr.e.s, ndërsa përpjekjet më të rëndësishme për përfundimin e tij janë ato të Lykurgut në shekullin IV pr.e.s, si dhe mbreti i Sirisë, Antioku IV Epifan, rreth vitit 175 p.e.s. Tempulli përfundoi përfundimisht nga Adriani, i cili e përuroi atë në 131 pas Krishtit. Tempulli Adrianik ishte një nga më të mëdhenjtë në botën e lashtë dhe vetëm për kolonat e tij u përdorën 15.500 ton mermer pentelik, katër herë sa sasia e përdorur për kolonat e Partenonit në Akropoli.

Biblioteka e Adrianit, një strukturë madhështore që u përfundua në 131/132 e.s, dëshmon për vlerësimin e lartë që perandori kishte për qytetin e Athinës, se ai e ndërtoi atje dhe jo në Romë një ndërtesë të tillë. Panteoni Athinas, mbetjet e të cilit ruhen në lindje të Bibliotekës, ndoshta kombinonte adhurimin e perëndive dhe Adrianin e hyjnizuar. Mbetjet e Gjimnazit që Adriani themeloi në Athinë ruhen gjithashtu.

I madh ishte interesimi i Adrianit për festimin brilant të festës së Dionisisë në Shenjtëroren e Dionisit Eleuthereus, në hyrjen jugore të Akropolit. Duke pasur dëshirën për ta lidhur veten me shkëlqimin e festivalit dhe trashëgiminë intelektuale të qytetit, Adriani organizoi Lojërat Dionisiane dy herë, që do të thotë se ai mbulonte shpenzimet e kësaj feste të madhe. Fasada e skenës dykatëshe dhe rrugicat e teatrit u zbukuruan me statuja, ndërsa pati edhe disa ndryshime në amfiteatro.

Ujësjellësi Adrianik nuk është vetëm një projekt i madh infrastrukturor, por edhe një dëshmi e vullnetit të perandorit për të përmirësuar cilësinë e jetës në Athinë. Me një gjatësi prej 25 km, ai konsiderohet si një nga tunelet më të gjatë të botës romake dhe një arritje teknike në mekanikën nëntokësore. Ndërtimi filloi në vitin 125 dhe përfundoi në 140 e.s nën sundimin e Antoninus Pius, pasardhësi i Adrianit, siç ishte shkruar në një mbishkrim në arkitrafin e fasadës monumentale të Rezervuarit të lashtë.

Duke qenë i inicuar në Misteret Eleusiniane, Adriani urdhëroi të ndërtohej një urë mbi lumin Kephisos, ende e dukshme sot, në mënyrë që të lehtësonte shtegun e Procesionit të Shenjtë. Ura u ndërtua në një pikë rreth një kilometër në verilindje nga propiloni i Faltores së Demetrës dhe Kores në një zonë të rrezikshme ku lumi vërshonte shpesh. Sa i përket harkut të Adrianit, të njohur për ne, ai u ngrit nga Athinasit për të nderuar Adrianin. Përfundoi në 131/132 pas Krishtit dhe perandori supozohet të ketë hyrë përmes tij për të përuruar tempullin e Zeusit Olimpik.

Muri i Adrianit

Muri i Adrianit (Britani e Madhe)

Muri i Adrianit, i quajtur gjithashtu edhe Muri Romak apo Vallum Aelius Hadriani në latinisht, ishte një fortifikim mbrojtës në krahinën romake të Britanisë, i filluar në vitin 122 në mbretërimin e perandorit Adrian. Ai shtrihet nga brigjet e lumit Tyne afër Detit të Veriut deri në Grykëderdhjen e lumit Solway në Detin Irlandez, dhe ishte kufiri verior i Perandorisë Romake, menjëherë në veri të të cilit ishin tokat e Britanikëve të Lashtë veriorë, përfshirë Piktët.[3]

Kishte një bazë guri dhe ishte një mur guri. Përgjatë murit kishte fortesa të vogla me dy frëngji në mes. Kishte nga një kështjellë rreth çdo pesë milje romake. Nga veriu në jug, muri përbëhej nga një hendek, mur, rrugë ushtarake dhe një stom, një tjetër hendek ngritur me gurë. Mendohet se fortesat e vogla ishin të pajisur me garnizone statike, ndërsa fortesat e mëdha (kështjellat) kishin garnizone luftarake të këmbësorisë dhe kalorësisë.

Një pjesë e konsiderueshme e murit ende qëndron dhe mund të ndiqet në këmbë përgjatë Rrugës së bashkuar të Adrianit. Εlementi më i madh arkeologjik romak në Britani, muri shkon gjithsej 73 milje (117.5 kilometra) në veri të Anglisë. Konsideruar si një ikonë kulturore britanike, Muri i Adrianit është një nga atraksionet kryesore të lashta turistike të Britanisë. Është caktuar si një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 1987.


Referime

  1. ^ "Hadrian" (në anglisht).
  2. ^ "Hadrian, the emperor who worshiped Athens" (në anglisht).
  3. ^ "Hadrian's wall" (në anglisht).