Albert Paparisto

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Albert Paparisto
Vdiq më 2 nëntor 2014
Vendvdekja Royal Oak, Miçigan, USA
Kombësia shqiptar
Nënshtetësia shqiptar
Shkolla e kryer Konservatori Çajkovski, Moskë
Profesioni muzikolog
Titulli Profesor
Bashkëshortja Ermelinda Paparisto

Albert Paparisto ishte muzikolog shqiptar, themelues i Operas dhe Konservatorit Shqiptar.

Paparisto u diplomua për muzikologji në vitin 1956 nga Konservatori Çajkovski i Moskës, nën drejtimin e të famshmit Dmitri Shostakoviç. Diploma e tij me notat shkëlqyeshëm u botua në gazetën kryesore të Moskës.

Më 1958 ai u bë drejtor i Teatrit të Operas e Baletit, ndërsa në janar 1962 themeloi Konservatorin Muzikor të Tiranës si drejtor i parë i tij. “Meqenëse nuk kishim libra, transferova aty bibliotekën dhe fonotekën time personale” - tregonte Paparisto. Në vitet e para të Konservatorit, Paparisto jepte disa nga lëndët më të vështira, siç ishin harmonia dhe analiza e veprave muzikore dhe udhëhiqte njëkohësisht klasën e muzikologjisë.

Në janar 1966, për arsye politike, vetëm katër vjet pas themelimit të Konservatorit, Prof. Papariston e përjashtuan nga Partia e Punës (Partia Komuniste) dhe e dërguan në Shkodër. Në fillim e emëruan dirigjent në Shtëpinë e Kulturës, ku ai e mbajti gjallë pasionin dhe organizonte koncerte me orkestrën simfonike. Më vonë punoi si drejtor në shkollën 8-vjeçare të muzikës dhe themeloi vitet e para të shkollës së mesme.

Në vitin 1971 u kthye në Tiranë si pedagog i Institutit të Lartë të Arteve. Gjatë gjithë kësaj kohe, profesori qëndroi indiferent ndaj politikës për t’u marrë ekskluzivisht me punën si muzikolog.

Prof. Paparisto ishte themeluesi i kritikës muzikore shqiptare dhe i njihet merita se përgatiti një numër të madh muzikologësh, të cilët më vonë do të punonin jo vetëm si pedagogë, por edhe si kritikë muzikorë.

Në suksesin e artistëve të famshëm shqiptarë, që sot konkurojnë me sukses në skenat evropiane dhe botërore, mund të thuhet se ka pjesën e tij edhe Prof. Paparisto.

Paparisto ishte i njohur për refuzimin e tij të përhershëm për të dhënë intervista në shtyp apo televizion. Preferonte të punonte me ngulm në pasionin e tij, me parimin se puna e çdo njeriu flet vetë dhe nuk ka nevojë për reklamë.

Në një kohë kur nga autorët kërkohej që veprat e tyre të pasqyronin bindje të caktuara politike, muzika e Paparistos ishte e paindoktrinuar, ajo tingëllonte e thjeshtë dhe e shkruar për njerëzit e të gjitha epokave. Për këtë arsye, disa nga veprat e tij janë kthyer në pjesë e përhershme e repertorit të artistëve shqiptarë.

Krijimtaria[redakto | përpunoni burim]

Veprat “Këngë e lashtë”, “Romancë”, “Humoreska,” romancat vokale “Liria”, “Nokturn”, “Në syrin e pranverës”, “Hana”, etj., kanë hyrë në fondin klasik të muzikës shqiptare dhe luhen nga vendas e të huaj. Ai ka lënë gjithashtu një album me pjesë për violinë e orkestër, një cikël me pjesë për piano, violinçel e piano si dhe pjesë për ansambël vokal. Ai ka bërë përpunime kompetente të këngëve popullore për kanto e piano, por vepra e tij është ende e pahulumtuar sa duhet.

Dekadën e fundit të jetës Prof. Paparisto e kaloi në SHBA, ku u mor aktivisht me kompozime dhe mësimdhënie. Vdiq më 2 nëntor 2014Royal Oak, MiçiganShteteve të Bashkuara të Amerikës.

Referenca[redakto | përpunoni burim]