Aleksandra Mano

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Aleksandra Mano (lindur më 22 prill 1924 në fshatin PostenanLeskovikut) është një arkeologe shqiptare. Që kur ishte nxënëse në shkollën normale të Elbasanit, mori pjesë aktive në lëvizjen e luftën antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte e para partizane në çetën e Çermenikës dhe u burgos dy herë nga regjimi nazifashist. Mbasi përfundoi studimet e larta në fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës, në vitin 1955, u emërua punonjëse shkencore në Institutin e Shkencave, në sektorin e arkeologjisë. Që nga ky vit filloi edhe veprimtarinë e saj të pandërprerë, rreth gjysëm shekullore, në fushën e arkeologjisë. Prof. Aleksandra pati fatin të jetë jo vetëm femra e parë arkeologe në vendin tonë, por gjithashtu të jetë edhe pjesë e brezit të parë të arkeologëve, e themeluesve të arkeologjisë shqiptare dhe renditet kështu përkrah kolegëve të saj të shquar: prof. H. Ceka, S. Islami, S. Anamali, F. Prendi.

Karriera[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krahas veprimtarisë kërkimore-shkencore ka kryer edhe detyra të tjera :

  • përgjegjëse e sektorit të Arkeologjisë pranë Institutit të Historisë,
  • më 1975 dhe në vitin 1976 drejtoresha e parë e Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike deri sa doli në pension,
  • anëtare e Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë,
  • e redaksisë së revistës Iliria dhe e redaksisë së Enciklopedisë shqiptare.
  • Në vitin 1980 mori titullin “Bashkëpunëtore e Vjetër Shkencore”,
  • më 1993 fiton gradën “Doktor”
  • dhe në vitin 1996 titullin “Profesor”.

Veprimtaria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ka kryer një veprimtari të gjerë e të suksesshme kërkimore e shkencore. Ka drejtuar gërmime në disa qytete të rëndësishme antike si në Apoloni, Dyrrah, Dimal, Olympe. Ka marrë pjesë në ekspedita të organizuara nga sektori arkeologjik në Mat, Vodhinë, Maliq si dhe në ekspedita përnjohëse në rrethet Fier, Lushnjë e Vlorë.

Objekti kryesor dhe angazhimi jetësor i punës shkencore të prof. Mano ka qenë studimi i qytetit antik të Apolonisë, një nga qendrat antike më të rëndësishme të Ilirisë. Gërmimet e para në këtë qendër të rëndësishme, i përqendroi në zbulimin e nekropolit të qytetit, i cili paraqiste interes të veçantë, për faktin se, gjatë shekujve të ekzistencës së qytetit antik, ai ka pasur një shtrirje të gjerë kohore që nga periudha arkaike-helenistike deri në atë romake. Ajo drejtoi këtu gërmime sistematike e të gjëra disavjeçare, këto gërmime u shoqëruan edhe me një dokumentacion të pasur e të saktë, meritë kjo edhe e punës këmbëngulëse të Aleksandrës i cili kishte mugnuar në gërmimet e mëparshme në këtë nekropol. Duke vazhduar punën kërkimore në Apoloninë, u angazhua gjithashtu në zbulimin e rrënojave të teatrit të madh të këtij qyteti, punë kjo që u shoqërua edhe me disa artikuj studimorë e të botuar, që do të shërbejnë si një pikë reference për zbulimin e tij të plotë në të ardhmen.

Prof. Aleksandra ka treguar interes të veçantë edhe për gjurmimin edhe e qyteteve të tjera ilire të vendit tonë. Së bashku me kolegun dhe bashkëshortin e saj, arkeologun Burhan Dautaj, për vite me radhë kryen gërmime në qytetin ilir të Dimalit dhe në atë të Olympes dhe botuan disa artikuj me karakter rezultativ e studimor, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme për identifikimin e këtyre qendrave urbane. Me studimet e saj mbi nekropolin e Apolonisë, “Tuma I e Apolonisë” e “Nekropoli i dystë i Apolonisë”, ajo hartoi dhe mbrojti disertacionin për gradën “Doktor”.

Prof. Aleksandra zotëronte njohuri të gjëra për qeramikën antike (ilire, greke e romake) dhe njihej si specialistja më e mirë e vendit tonë në këtë fushë të prodhimit zejtar. Në qeramikën e pasur e të larmishme të zbuluar në nekropolin e Apolonisë, ajo mundi të përcaktojë me rigorozitet prodhime të qeramikës së importuar, si dhe prodhime të qeramikës apoloniate dhe në studimin e kësaj të fundit, ka bërë përpjekjen e parë për përcaktimin e tipareve dhe të veçorive të saj. Aspekte të veçanta e me interes shkencor që lidhen me qeramikën atnike, të zbuluar jo vetëm në Apoloni por edhe në qendra të tjera antike, janë trajtuar edhe në disa artikuj të tjerë, ndër të cilët përmendim: “Qeramika masive e Apolonisë”, “Vulat mbi amforat apoloniate”, “Përpjekje për katalogizimin e amforave antike të Dimalit”, etj.

Kolonizimi helen në Ilirinë e Jugut ishte një aspekt tjetër i veprimtarisë shkencore të prof. Aleksandrës. Këtë problem me interes për historinë antike tëvendit tonë, ajo e trajtoi me objektivitet shkencor e me ide të qarta në artikullin “Aspekte të kolonizimit helen në Ilirinë e Jugut”. Ndër të tjera këtu evidentohet roli i popullsisë vendase ilire në procesin e lindjes e të zhvillimit të këtyre qyteteve në bregun detar të Shqipërisë, marrëdhëniet ekonomike midis të ardhurve helen e vendasve ilirë, ndikimet kulturore reciproke ndërmjet tyre etj.

E njohur është gjithashtu edhe ndihmesa që ka dhënë Aleksandra në fushën e numizmatikës. Me interes të veçantë, për informacionin e pasur që sjell për krijimtarinë monetare të lashtësisë në Shqipëri, është artikulli “Shenjat simbolike mbi drahmet e argjenda të Dyrrahut e të Apolonisë”. Me botimin e materialit numizmatik të zbuluar në nekropolin e qytetit të Apolonisë, u sollën dëshmi të reja e me vlerë që e plotësuan edhe më mirë tablonë mbi marrëdhëniet e tregtare të këtij qyteti me qendrat e shumta të kohës greke e romake.

Punimet shkencore të prof. Aleksandrës, ku trajtohen probleme të ndryshme që lidhen jo vetëm me Apoloninë, për njohjen e së cilës krahas kontributit të studiuesve të tjerë L. Rey, H. Ceka, S. Islami e Bllavatski, ajo ka merita të pa diskutueshme, por edhe të antikitetit iliro-grek në përgjithësi, kanë shërbyer si një bazë e mirë njohjeje e krahasimi për gjithë studiuesit që janë marrë me çështje të tilla edhe në qendra të tjera. Ato do të mbeten një bazë referimi edhe në të ardhmen, sepse ndër to studiuesit do të gjejnë konstatime me vlerë, interpretime të thelluara e përgjithësime të argumentuara shkencërisht.

Burime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje te jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]