Jump to content

Kinemateka franceze

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Alrax1/Kinemateka franceze)

Kinemateka franceze (La Cinémathèque française) është institucion kulturor për shfaqjen, studimin dhe prezantimin e kinematografisë në rrugën Bercy të lagjes (arrondissement-it) XII në Paris të Francës.[1]

Kinemateka franceze pati fituar statusin e një farë vendi kulti në Paris, si vend i preferuar për botën kulturore të qytetit që hodhi tharmin e lëvizjes së re kinematografike të pas-luftës, Valës së re franceze (La Nouvelle Vague), si shkëndijë e lëvizjeve të 1968-ës në Francë, dhe si institucioni që formoi një sërë kineastësh të njohur të gjysmës së dytë të shekullit XX.[2]

Me tre salla projektimi, hapësira ekspozimi, arkivë kinematografike dhe bibliografike, dhe një librari, kinemateka shfaq 2000 filma në vit nga e gjithë kinematografia botërore, të organizuara në tematika, në konferenca studimi, apo të dhëna në mënyrë eklektike.

Kinemateka i ka fillimet në vitin 1936 si nismë private e një grupi kinefilësh të mbledhur rreth një koleksionisti të obsesionuar dhe ekscentrik filmash, Henri Langlois, dhe regjisorit Georges Franju. Por një sallë të rregult shfaqjesh ajo arriti ta ketë vetëm në vitin 1948, kur u zhvendos në bulevardin e Mesinës (avenue de Messine) në lagjen VIII, dhe u bë vendgrumbullimi i preferuar i asaj që më vonë u bë Vala e re (Jean-Luc Godard, François Truffaut, Éric Rohmer, Susanne Schiffman, e të tjerë). Ajo ndërroi tre vende deri sa u vendos në adresën e sotme ngjitur me Parkun Bercy në lagjen XII. Viteve 50 ajo gjendej në Rrugën e Ulmit (Rue d’Ulm), lagjja V. Prej vitit 1963, shteti francez e mori në administrim dhe e vendosi në Pallatin Chaillot në Trokaderó në qendër të Parisit. Prej vitit 1998, ajo gjendet në një ndërtesë të dizenjuar nga arkitekti amerikan Frank Gehry në rrugën Bercy në lindje të qytetit.

Kinemateka u kthye në një Mekë për shumë të njerëz që u bënë regjisorë të njohur të kinemasë. Kineastët e Kinemasë së re gjermane Volker Schlöndorff dhe Wim Wenders, apo amerikani Jim Jarmush e kanë quajtur si vendin që u hapi horizontet e kinemasë.

Përplasjet e 1968-ës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë një përplasjeje me shtetin francez kinemateka u kthye në shkëndijën që çoi në lëvizjen studentore të majit të1968-ës në Paris dhe fundin e epokës konservatore të Gjeneralit de Gaulle në Francë. Në fillim të atij viti, Ministri i Kulturës francez, shkrimtari André Malraux, i cili ndikoi që shteti të merrte nën administrim Kinematekën, u përpoq të pushonte nga puna Henri Langlois-në.[3][2]

Por protestat e regjisorëve të Valës së re, e më pas të të gjithë botës së kinemasë e të artit në Perëndim (ndër firmëtarët e peticioneve të protestës ishin dhe regjizori suedez Ingmar Bergman dhe shkrimtari amerikan Truman Capote), gjë që solli në ndërprerjen e Festivalit të Kanës për atë vit, e zbrapsën Maurois-in. Pavarësisht se nuk ishte arësyeja e drejtpërdrejtë, ajo u pasua menjëherë nga protestat masive të dhunshme që bllokuan Parisin dhe Francën në maj të atij viti.

Në këtë sfond zhvillohen ngjarjet e filmit The Dreamers (Ëndërrimtarët, 2003) të regjisorit italian Bernardo Bertolucci.

  1. ^ Faqja zyrtare e Kinematekës franceze.
  2. ^ a b Louis Menand, After the Revolution, The New Yorker, 20 tetor 2003
  3. ^ Rémi Fournier Lanzoni, French Cinema: From Its Beginnings to the Present, Continuum Books, 2015, ff. 205-207