Wim Wenders
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Wim Wenders (lindur më 14 Gusht 1945 si Wilhelm Ernst Wenders në Dyseldorf) është një regjisor dhe fotograf gjerman. Në bashkpunim me regjisorë te tjerë karakteristikë të Kinemas së Re Gjermane, themeloi Filmverlag der Autoren (kompani distributore filmash). Prej 2003, është Profesor për Filmin në Shkollën e Lartë të Arteve, Hamburg.
Origjina dhe Arsimimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Wim Wenders u lind, si i biri i kirurgut Heinrich Wenders, në një shtëpi prindërore katolike dhe konservative. Emri hollandez Wim buron nga familja e të ëmës, por iu refuzua nga ofiqarët gjerman. Katër vite më vonë lindi i vëllai, Klaus, dhe i ati u bë Kryedoktor në Spitalin e Shën Jozefit (sot Spitali Shën Klemens), Oberhausen-Sterkrade. Fillimisht dëshironte të bëhej prift, një dëshirë që nën influencën e Rock ‘n’ Roll u venit shpejt. Muzika Pop do të bëhej më vonë një vegël krijuese në filmat e tij. Në filmat Lisbon Story, Buena Vista Social Club, Viel passiert – Der BAP Film, muzika merr nje rol protagonist. Pas maturës në 1963, studjoi më tej 2 semestra mjekësi në Mynih, më pas një semestër filozofi në Frajburg dhe në fund një semestër sociologji në Dyseldorf. Pastaj ndërpreu studimet për t’u përqëndruar më shumë në pikturimin me akuarel, gjë me të cilën deri më atëherë qe marrë kalimthi. Viti 1996 e gjen përsëri në një vend dhe një perspektivë të re karriere. Ai zhvendoset në Paris dhe regjistrohet në Institut des hautes études cinématographiques (Instituti i Studimeve të Larta Kinematografike). Për shkak se kërkesa e tij u refuzua, filloi punë si gravurist (piktor gravurash) në atelien e artistit gjerman Johnny Friedlaender në Montparnas. Vizitonte shpesh Kinematekën Franceze, ku mund të shihte edhe deri në 5 filma në ditë. Pas një viti kishte parë mbi 1000 filma. Wenders ktheu mendimet në vepra dhe ndoqi në Dyseldorf një praktikë tremujore te United Artists. Mënyra indiferente sesi trajtoheshin filmat aty, e shokoi. Frustrimin e tij e përpunoi më tej në essenë Verachten, was verkauft wird. (Refuzo atë që shitet) Në 1967 u pikas nga, asokohe, e sapo themeluara Shkolla e Lartë për Televizionin dhe Filmin në Mynih. Krahas studimeve shkroi edhe kritikë filmash për revistat FilmKritik, Twen dhe Der Spiegel si edhe për Sueddeutsche Zeitung. Në 1970 drejtoi filmin 150 minutësh Summer in the City si temë diplomimi, bardh-e-zi dhe me metrazh të shkurtër. Kameraman qe Robby Mueller. Përveç kohezgjatjes, filmi u dallua edhe për sinkronizimin e zërave në dialogun indirekt, gjë e cila qe bërë e nevojshme për shkak të pakujdesisë së aparaturave të regjistrimit . Për shkak të përdorimit të paautorizuar të muzikës, filmi nuk mundi të dilte në treg por është shfaqur vetëm nëpër festivale.
Karriera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në 1971, në bashkpunim me regjisorë te tjerë karakteristikë të Kinemas së Re Gjermane, themeloi Filmverlag der Autoren (kompani distributore filmash). Pas përshtatjes në ekran të romaneve Die Angst des Tormanns beim Elfmeter nga Peter Handke dhe Der scharlachrote Buchstabe nga Nathaniel Hawthorne, i erdhi suksesi artistik me Alice in den Staedten në 1973. Im Lauf der Zeit fitoi çmimin ndërkombëtar të kritikës nga juria FIPRESCI në Kanë. Me Der amerikanische Freund, sipas origjinalit nga Patricia Highsmith, fitoi famë edhe në Sh.B.A. Në 1976 edhe më i pavarur me krijimin e një kompanie produksioni të vetën; me Road Movies Filmproduktion në Berlin prodhoi më tej edhe filma të regjizorve të tjerë. Në 1977,Wenders vjen në Sh.B.A me ftesë të Francis Ford Coppola dhe kompanisë së tij të produksionit Zoetrope për të filmuar një film mbi autorin Dashiell Hammett. Për shkak të përplasjeve mbi skenarin dhe kastin, filmi “Hammet” u shfaq për herë të parë në 1982 në kinema. Njëkohësisht Wenders po filmonte edhe filmin Nick’s Film- Lightning Over Ëater (1980), një film gjysmëdokumentar mbi muajt e fundit të regjizorit të sëmurë me kancer Nicholas Ray. Filmi “Der Stand der Dinge” (1982) tregon për vështirësitë e bërjes së filmit, aty ai përpunon mbi konflikte që ka përjetuar vetë gjatë xhirimit të filmit “Hammet”. Në të njëjtin vit, gjatë festivalit të Salzburgut, Wenders inskenon në Felsenreitschule Über die Dörfer nga Peter Handke. Në 1984, shkëlqeu filmi Paris, Texas, bazuar në veprën e Sam Shepard, e në të njëjtin vit fitoi edhe Palmën e Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Pas një përplasjeje të gjatë me Filmverlag der Autoren mbi të drejtat e shpërndarjes, e cila u çua edhe përpara ligjit, filmi doli më në fund në 1985 në kinematë gjermane. Më herët, publiku gjerman mund ta shihte filmin vetëm gjatë festivalit ndërkombëtar Hofer Filmtage, në të cilin Wenders kishte shfaqur edhe veprat e tij të para e që prej atëherë i kishte qëndruar besnik. Së bashku me Der Himmel ueber Berlin (1987), Paris, Texas është një nga filmat më të suksesshëm komercialisht të Wenders. Në 1989, Wenders fillon me xhirimet e projektit të tij ambicioz Sci-Fi Bis ans Ende der Welt. I planifikuar që prej vitit 1977, filmi i mbylli xhirimet në 1991. Versioni fillestar prej 280 minutash, i cili u shkurtua për hapjen në Gjermani në 180 minuta dhe në Sh.B.A. në 158 minuta, u vlerësua mesatarisht nga kritika. Edhe me filmat në vazhdim In weiter Ferne, so nah! (1993), Lisbon Story (1994), Am Ende der Gewalt (1997) dhe The Million Dollar Hotel (2000) , mundi të replikonte fare pak suksesin e tij të mëparshëm. Dokumentari-musical Buena Vista Social Club (1999) qe një sukses botëror, u nominua për një çmim Oscar dhe fitoi Çmimin Europian të Filmit dhe risolli edhe një herë në skenë muzikën kubaneze. Një mik i hershëm i bandës muzikore nga Dyseldorfi Die Toten Hosen, Wenders xhiroi klipin muzikor të këngës Warum werde ich nicht satt? nga albumi Unsterblch. Në 2004 banda mori pjesë në kolonën zanore të Land of Plenty me këngën Stand up!. Në 2008, Wenders konkurroi për të nëntën herë në Festivalin e Kanës me filmin Palermo Shooting. Në rolet kryesore luajnë Campino, Dennis Hopper dhe Giovanna Mezzogiorno. Filmi për baletin Pina, një homazh dedikuar koreografes Pina Bausch dhe teatrit të saj të baletit Wuppertal, qe filmi i parë 3D i Wenders. Filmi u nominua në 2012 në kategorinë Dokumentari më i Mirë në çmimet Oscar. Premiera e filmit u shfaq në shkurt 2011 në Berlinalen e 61. Në të njëjtin vit, filmi Pina mori çmim e Filmit Gjerman në kategorinë Dokumentari më i Mirë, ndërsa Wenders u nominua si regjizori më i mirë. Në gusht 2014, Wenders u nderua me Ariun e Artë të edicionit të 65. të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Berlin 2015 për “ punën e tij të shumëanshme dhe pertej telajos së zhanrit si fotograf, autor dhe regjisor”. Së bashku me këtë nderim perfshihej edhe një “Homazh” për dhjetë nga filmat e dokumentarët e tij që u shfaq në Berlinalen 2015. Edhe aty, Wenders u përfaqësua me filmin e tij të ri Every Thing Will Be Fine. Ky qe edhe projekti i tij i parë në 3D. Ai kishte vënë re gjatë punimeve të filmit dokumentar Pina se nëpërmjet kësaj teknike, prezenca e aktorit do zmadhohej e për këtë arsye e kishte përdorur në një film komercial. Das Salz der Erde u nderua me disa çmime në 2014 dhe 2015, midis të tjerash me çmimin Special në seksionin Un Certain Regard nga Festivali Ndërkombëtar i Kanës 2014. Gjithashtu filmi fitoi çmimin Cesar si Dokumentari më i Mirë. Për më tepër, në 15 janar 2015, filmi u nominua nga Akademia Amerikane e Filmit për një çmim Oscar si dokumentari më i mirë. Në 8 dhjetor 2015, Wenders drejtoi regjinë e përcjelljes live të festiviteteve të jashtzakonshme me rastin e nisjes se Vitit të Shenjtë të Mëshirës nga Sheshi i Shen Pjetrit dhe hapjen e Portave të Shenjta të Katedrales së Shën Pjetrit. Transmetimi, i cili qe nën përgjegjësinë e Televizionit të Vatikanit, u përcoll në tërë botën. Pas 3 Amerikanische LP's (1969), Die Angst des Tormanns beim Elfmeter (1971), Falsche Bewegung (1975) dhe Der Himmel über Berlin (1987), bashkpunimi midis Peter Handke dhe Wim Wenders vijoi për të pestën herë me filmin Die schönen Tage von Aranjuez (2016). Filmi, në frengjisht dhe në role kryesore Reda Kateb dhe Sophie Semin, shfaqi premierën në 1shtator 2016 në Festivalin e 73. Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Që prej prillit 2016 Wenders është impenjuar me xhirimet e Submergence, film i bazuar në romanin me të njëjtin emër të Jonathan M. Ledgard.
Jeta personale dhe ndërmarrje të tjera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vjeshtën e 2012, Wim Wenders themeloi Fondacionin Wim Wenders në Dyseldorf,qëllimi i të cilit është mbledhja e gjithë trashëgimis jetësore të Wim Wenders në fushën e artit, letërsisë, filmit dhe fotografisë dhe ta bëjë të aksesueshme nga të gjithë. Një aspekt tjetër i punës së fondacionit është edhe mbështetja dhe promovimi i artit të rrëfimit në film. Fondacioni i Filmit dhe Medias NRË, në bashkpunim me Fondacionin Wim Wenders, që prej vitit 2014 dhuron çdo vit Çmimin Wim Wenders në mbështetje të regjizorëve të rinj. Që prej vitit 1996, Wenders është president i Akademisë Europiane të Filmit. Prej 2003 jep leksione në Shkollën e Lartë të Arteve në Hamburg. Në 2006 Wim Wenders u bë regjisori i parë i nderuar me Urdhrin Pour Le Merite. Në 1989 Wenders ishte anëtar i jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Në gusht 2008 u bë edhe anëtarë jurie në Festivalin e 65. të Filmit në Venecia. Wenders mbështet Lëvizjen Deine Stimme gegen Armut dhe prezantoi grupin die Toten Hosen në koncertin e G8. Wenders është martuar me fotografen Donata Wenders. Më përpara ka patur marrëdhënie romantike me aktoret Edda Koechl dhe Ronee Blakley. Një nga miqtë më të hershëm të Wenders është shkrimtari Peter Handke.