Anastas Dodi
Anastas Dodi (Vlorë, 20 korrik 1933 - Filadelfia, 8 maj 2008) ka qenë pedagog, akademik dhe gjuhëtar shqiptar.
Përfaqësues i shquar i kulturës dhe shkencës shqiptare. Gjuhëtar dhe filolog i njohur ndërkombëtarisht.
Themelues dhe zhvillues i studimeve shkencore të fonetikës dhe fonologjisë së gjuhës shqipe.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në lagjen Skelë të Vlorës, si fëmija i parë i Kozma dhe Marika Dodit, që patën katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Ishte ende fëmijë kur mbeti jetim nga babai. Nënë e baba për ta u bë "Nënë Marika", një grua e dashur, e zgjuar dhe me kulturë, që kishte mbaruar "Zoisimean" e famshme në Greqi. Qëllimi i saj në jetë ishte të rriste dhe të shkollonte fëmijët. Shqipëria sa kishte dalë nga lufta kur Anastasi mbaroi shkollën 7–vjeçare në Skelë të Vlorës. Në vitin 1951 përfundoi shkollën e mesme me diplomën "Shkëlqyeshëm". Dhe përsëri "Shkëlqyeshëm" përfundoi studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Tiranë, në vitin 1955. Gjatë viteve të universitetit, u dashurua me gjuhën shqipe, për t’u thelluar në studimin e saj, në gjurmët e më të mëdhenjve të kësaj fushe si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj etj. Punon si mësimdhënës i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku zhvillon kurset e plota të fonetikës së gjuhës shqipe, të hyrjes në gjuhësi dhe të gramatikës historike. Janë vite pune dhe përvoje të madhe. Punon përkrah më të mëdhenjve të studimeve të gjuhësisë shqiptare, si prof. Eqrem Çabej, prof. Shaban Demiraj, etj.
Krahas mësimdhënies, ai i përkushtohet punës studimore, kryesisht në fushë të fonetikës së shqipes. Gjatë viteve 1960-1961, ai shkon për specializim në fushën e fonetikës eksperimentale dhe të gjuhësisë së përgjithshme në Universitetin e Leningradit (sot Sankt Petërsburg). Ky ishte një hap i madh jo vetëm për Anastasin, por edhe për studimin e gjuhës shqipe në përgjithësi. Ishte një rrugë e re. Fonetika e gjuhës shqipe, kur ai ishte student, jepej jo në nivelin e duhur profesional e shkencor. Në këtë fushë nuk kishte asnjë përvojë, asnjë studim të mirëfilltë. Duhej ecur në rrugë të panjohur. Anastas Dodi boton "Fonetikën e gjuhës shqipe" (1961) për studentët e degës së gjuhës shqipe. Ishte i pari botim i këtij lloji. Për herë të parë paraqitej fonetika nyjëtimore, si formohen organikisht tingujt në gjuhën shqipe në krahasim me gjuhët e tjera. Për herë të parë ai bëri rentgenografimin e tingujve të gjuhës shqipe. Për herë të parë u realizua palatogrami (me qiellzë artificiale) e tingujve të shqipes.
Me këtë punë, Anastas Dodi hodhi për herë të parë bazat shkencore të fonetikës dhe fonologjisë së shqipes. Gjuhëtarja e njohur nga SHBA, Janet Byron e ka vlerësuar këtë punë ndër të tjera me këto fjalë "analizë e sintetizuar për shqipen nga fonologjisti Anastas Dodi. Një punë pionieri për shqipen" (shih Selection among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian, The Hague, Motion, 1976). Anastas Dodi e përditësoi këtë kontribut me dijet më të fundit moderne bashkëkohore deri në ditët tona. Duke njohur nga afër punën shkencore të prof. A. Dodit, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, studiuesi dhe gjuhëtari i respektuar, prof. Rexhep Ismajli shkruan: "Vlera e punës ngulmuese të Anastas Dodit në fushën e fonetikës se gjuhës së sotme shqipe është e madhe. Gjurmët e punë se tij në këtë disiplinë të studimeve të shqipes janë të pashlyeshme." Këto punime që nisën në vitet ’60, do të vazhdonin në Paris në Institutin e Studimeve Linguistike e Fonetike të Parisit (1982) ku u specializua për aspektin akustik të tingujve, në kuadrin e fonetikës eksperimentale, pranë fonetikanit të njohur R.Gsell dhe linguistit të famshëm B. Malmberg; si dhe në mesin e viteve '90 në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit të Bonn-it, në Republikën Federale të Gjermanisë.
Lëndën e fonetikës së gjuhës shqipe prof. Anastas Dodi e mbajti në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës nga viti 1961 deri në verë të vitit 2000, për një periudhë gati 40 vjeçare.
Gjatë këtyre viteve, krahas detyrave të tjera si zëvendesdekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (1964-1976) dhe sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Shoqërore të Akademisë së Shkencave (1976-1994), ai vazhdon pa ndërprerje mësimdhënien në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, ku studentët përdornin librin e tij të fonetikës. Mban leksione për problemet e gjuhës shqipe edhe në universitetin e Kozencës e Salernos në Itali dhe në Bonn të Gjermanisë etj. Janë vite të mbushura me punë shkencore dhe organizative që do të linin gjurmë në historinë e gjuhës shqipe në veçanti dhe të kulturës kombëtare në përgjithësi. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistave "Studime filologjike", anëtar i kolegjiumit të revistës "Studia Albanica", redaktor dhe kryeredaktor i revistës "Gjuha jonë".
Anastas Dodi mbetet njëri nga linguistët shqiptarë më të cituar nga shkencëtarët e huaj, të interesuar për gjuhën shqipe. Ai ka qenë pjesëmarrës në veprimtaritë më të rëndësishme të filologëve dhe të linguistëve në botë, si në Kongresin XIV Ndërkombëtar të Linguistikës në Berlin (1987), në kongreset Ndërkombëtare të Studimeve Ballkanike dhe të Evropës Juglindore në Sofie, Athinë, Bukuresht, në Kolokiumin Ndërkombëtar për gjuhët polinomike në Korsikë (Francë) etj.
Fusha e botimeve të prof. Anastas Dodit përfshin rreth 100 studime, kumtesa dhe artikuj për probleme të fonetikës dhe fushave të tjera të gjuhësisë. Në këto përfshihen artikuj studimorë, tekste për shkollën e lartë dhe gramatika për shkollën tetëvjeçare.
Është ndër të tjera bashkautor i "Fjalorit të termave gjuhësorë", bashkautor dhe anëtar i redaksisë së përgjithshme të "Fjalorit enciklopedik shqiptar", vepra më e madhe e botuar në shqip deri më sot. Është gjithashtu bashkautor në përgatitjen e botimit të veprës së Sami Frashërit (Vëll.I,II).
Për prof. Anastasin, një pikë kulmore në jetën e tij shkencore dhe organizative, si gjuhëtar dhe qytetar, zë organizimi i Kongresit të Drejtshkrimit, më 1972. Ai ishte anëtar i komisionit për organizimin e këtij kongresi, që do të përgjithësonte zhvillimet gjuhësore të shqipes dhe prirjen e saj të përgjithshme drejt njësimit, si shprehje e konvergjencave kulturore të mbarë shqiptarëve. Ai, së bashku me kolegët e komisionit nismëtar, kryen një veprimtari të gjerë organizative duke marrë kontakt me figurat me të shquara të gjuhësisë në trevat kombëtare dhe albanologë të huaj për të afruar pikëpamjet, veprimtari që përbën në vetvete një aktivitet shkencor të mirëfilltë. Anastas Dodi është nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit.
Në nëntor të vitit 2000, ai emigron së bashku me familjen në SHBA dhe vendoset në Filadelfia. Kalon me sukses disa ndërhyrje mjekësore dhe ende pa u shëruar mirë, fillon nga puna për rishikimin e tekstit të Fonetikës së gjuhës shqipe, të cilin e plotëson dhe e zgjeron me rezultatet më të fundit të studimeve gjuhësore. Punon çdo ditë nga shumë orë. Njihet me botimet më të fundit të studimeve të fonetikës dhe të fonologjisë në planin ndërkombëtar, jep edhe përvojën e grumbulluar në gati gjysmë shekulli studimesh personale dhe përfundon me sukses librin "Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe", që u botua nga Akademia e Shkencave në Tiranë në vitin 2004. Ky libër u promovua nga Shoqata "Bijtë e shqipes" në Filadelfia, anëtar i së cilës prof. Anastasi u bë që me ardhjen e tij në këtë qytet. Herë me propozimin e tij, dhe herë të shoqatës, ai ka mbajtur biseda e leksione për figura të shquara të studimit të gjuhës shqipe, që nga Frang Bardhi e deri tek Eqrem Çabej etj.
Pas botimit të "Fonetikës dhe fonologjisë së gjuhës shqipe", prof. A. Dodi i hyn punës për përgatitjen e një libri tjetër në shërbim të shkencës së gjuhës, atë të "Hyrjes në gjuhësi". Më parë prof. Anastasi kishte qenë bashkautor i Hyrjes në gjuhësi, të botuar disa herë në vitet 1970, 1973, 1975, 1977, 1981. Meraku dhe dëshira e tij prej studiuesi pasionant ishte që të hartonte dhe të linte një botim të plotë të vetin në këtë fushë, të përditësuar me arritjet e reja të gjuhësisë teorike, ku të përfshiheshin edhe të dhënat më të fundit studimore për gjuhën shqipe, shkruajnë gjuhëtarët e shquar prof. Enver Hysa dhe prof. Seit Mansaku.
Vepra e lënë në dorëshkrim botohet në vitin 2019 në Tiranë (nën kujdesin e familjes, në shtëpinë botuese Naimi) nga Departamenti i Gjuhësisë i Fakultetit Histori-Filologji. Ky libër është një arritje tjetër e tij si studiues, por edhe për botimet shkencore shqiptare në lëmin e gjuhës. Prof. Enver Hysa dhe prof. Seit Mansaku e kanë vlerësuar ndër të tjera me këto fjalë këtë vepër:
"Vepra mban titullin tradicional Hyrje në gjuhësi, por në të vërtetë nga përmbajtja e gjerë e saj dhe nga mënyra dhe gjerësia e trajtimit të çështjeve që shtjellohen në të, është jo një tekst mësimor i thjeshtë, por një vepër studimore për probleme të shumta të teorisë dhe praktikës gjuhësore. Për nga informacioni i gjerë që jep, libri i prof. A. Dodit Hyrje në gjuhësi, paraqitet si një enciklopedi gjuhësore, ku janë dhënë e përshkruar në mënyrë të përmbledhur shkencore e të qartë konceptet themelore të disiplinave e të rrymave të ndryshme gjuhësore, të analizuara në pjesën më të madhe në lidhje me të dhënat e shqipes. Botimi i këtij libri që mban firmën e prof. Anastasit, studiuesit të autoritetshëm e të mirënjohur të gjuhësisë, i bën nder emrit të tij dhe pasuron bibliotekën universitare me një botim serioz e dinjitoz me vlera të veçanta për përgatitjen e mësuesve dhe studiuesve të ardhshëm të gjuhësisë." shih: [http://www.illyria.com/botimi-i-librit-hyrje-ne-gjuhesi-nga-prof-anastas-dodi-nje-arritje-e-shenuar-ne-fushen-e-studimeve-gjuhesore/ Botimi i librit Hyrje në gjuhësi nga prof. Anastas Dodi, një arritje e shënuar në fushën e studimeve gjuhësore, Illyria, 13.08.2022.]
Më 8 Maj 2008 në orën 5 e 45 të mëngjesit në moshën 75 vjeçare, në Filadelfia te Sh.B.A.-së, larg vendit të tij që e deshi aq shumë pushoi së rrahuri zemra e Prof. Anastas Dodit. Profesor Anastas Dodi ishte atdhetari, intelektuali, mësimdhënësi dhe gjuhëtari i shquar që i kushtoi gjithë jetën misionit të lartë të përparimit dhe konsolidimit të gjuhës shqipe.