Anesti Haviari
Anesti Haviari mësues shqiptar, u lind në Korçë më 7 shtator 1918. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në shtator 1930, ai hyri në Liceun Kombëtar të Korçës ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në frëngjisht. Nesti i mbaroi studimet e mesme në v.1939 me rezultate shumë të mira. Gjatë viteve 1941-42 familja e dërgoi me shpenzimet e veta të studionte në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e famshëm të Padovës, Itali, ku pati rezultate shumë të mira në provimet e dy viteve të para. Në fillim të vitit 1943 u kthye në Korçë dhe duke ndjekur traditën atdhetare të familjes u lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Gjatë kësaj kohe përktheu mjaft letërsi antifashiste (përkthyes i Komit. Qarkor të P.K.Korçë), midis të tjerash dhe veprën “10 ditë që tronditën botën“ të revolucionarit të shquar amerikan Xhon Rid. Pas çlirimit të Shqipërisë filloi punën si mësues në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” (ish Liceu Kombëtar i Korçës) dhe më pas në v.1946 u emërua drejtor i gjimnazit të Shkodrës. Në vitin 1945 ka marë pjesë në konferencën e Kryqit të Kuq të Rinisë në Stokholm të Suedisë.
Në vitet 1948-1965 Nesti Haviari punoi në Ministrinë e Arsim-Kulturës, fillimisht si inspektor për arsimin e mesëm (pranë Drejtorisë së Shkollave në Ministrinë e Arsimit, 1948-1955) dhe më pas si metodist i gjuhës shqipe dhe letërsisë (1955-1959) dhe përgjegjës i redaksisë së teksteve për gjuhën shqipe dhe letërsinë (1959-1965). Në vitin 1965, duke qenë se ishte dalluar për punën e tij skrupuloze në dikasterin e arsimit, u dërgua së bashku me prof. Skënder Vilën për një specializim 6 mujor për gjuhën frënge në Francë (fillimisht në Bezanson e më pas në Paris). Në vitet 1965-67 ai punoi si pedagog i frëngjishtes pranë Fakultetit Histori-Filologji të Tiranës, ndërsa në v.1967-1974 ai qe përgjegjës i katedrës së gjuhës frënge pranë atij fakulteti në Tiranë. Nesti ka përgatitur për shumë vjet me radhë tekste të gramatikës dhe të letërsisë frënge për degën e frëngjishtes së Fakultetit Histori-Filologji të Tiranës, ka shkruar një studim mbi sistemin e krahasuar foljor shqip-frëngjisht dhe ka kontribuar në redaktime e përkthime të ndryshme. Nesti ka referuar me një kumtesë në Konferencën e dytë të Studimeve Albanologjike me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (Tiranë 12-18 janar 1968). Për meritat e tij në fushën e arsimit Anesti Haviarit iu dha titulli “Mësues i merituar”. U nda nga jeta në Tiranë më 31 janar 2004.