Jump to content

Anija "Tirana"

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Anija "Tirana". Ndërtimi i saj mbaroi në fund të vitit 1970 dhe erdhi për herë të parë në portin e Durrësit më 26 mars 1971. Ishte një anije me një helikë dhe me një motor, e destinuar për transportin e të gjitha llojeve të mallrave të thata. Anija ishte e gjatë 153 metra, e gjerë 19,4 metra, lartësia e bordit 11,65 metra dhe zhytjen e ngarkesës së plotë e ka 9,07 metra. Në kuvertë ishin të vendosura mekanizmat e akostimit, vinçat dhe spiranca. Lokali i makinerisë ishte në mes të anijes. Kishte tre hambarë në bash dhe dy hambarët në kiç, me një kubaturë prej 17.865 metër/kub. Mbulesat e hambarëve ishin të mekanizuar, hapeshin dhe mbylleshin në bazë të sistemit hidraulik. Anija kishte 20 vinça elektrikë dhe biga 5-10 tonëshe. Më e madhja ishte biga e rëndë 60 tonësh. Anija kishte dy sanalle shpëtimi, secila për 72 veta, njëra prej të cilave me motor. Anija kishte depozita me ujë të pijshëm e karburant që siguronin autonomi lundrimi për 15 mijë milje detare. Ura e komandimit ishte e gjerë, e përshtatshme për punë dhe e pajisur me të gjitha instrumentet më modernë të drejtimit të anijes. Kishte dy radarë njërin tip “Deka” dhe dispazon 0.7 deri në 48 milje dhe tjetrin tip “Kelvin” me diapazon 0.7-64 milje detare. Anija veç hambarëve dhe kuvertës kishte dhe një hambar frigoriferik që shërben për transportimin e mallrave ushqimorë. Por ajo kishte dhe një aparaturë për kthimin e ujit të detit në ujë të pijshëm dhe prodhonte 12 ton në 24 orë.