Jump to content

Arbëria nën Perandorinë Bullgare

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Një ndër arsyet kryesore të krijimit të Temës së Durrësit në gjysmën e parë të shek. IX kishte qenë përballimi i presionit sllav, përkatësisht i atij Bullgar. Që nga fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve sllave dhe atyre bullgare, u krijua midis Danubit e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik i madh për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i shek. IX shteti bullgar i kishte shtrirë kufijtë e tij në Maqedoni dhe, nën mbretin Boris (852-879), përfshiu edhe brezin midis lumit Devoll e Vjosë. Kështjellat e Devollit dhe e Pulkeropolit (Beratit) u bënë baza të pushtetit bullgar në këto anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi së bashku me popullin e vet, fenë e krishterë, duke marrë emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit sllavo-bullgar dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në territoret bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi krejt viset në Shqipërinë Qendrore e të Poshtme. Në jug ai mori Vlorën e një pjesë të mirë të Temës së Nikopojës. Në vitin 913 perandori bizantin Konstandini VII u detyrua t'i njihte Simeonit titullin Perandor i Bullgarisë dhe të martohej me një vajzë të carit bullgar. Ndërkohë prej vitesh Perandoria Bizantine ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve një haraç të përvitshëm.

Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në vitet që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan Durrësin dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët u shtynë në jug nëpër Temën e Nikopojës dhe mbërritën në Gjirin e Korintit. Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar një perandori bullgare në vend të asaj bizantine, përfundoi me vdekjen e papritur të tij më 27 maj 927. Trashëgimtarët e tij, Pjetri e Borisi, nuk ishin në lartësinë e Simeonit dhe u detyruan të njihnin, kush më shumë e kush më pak, sovranitetin bizantin.

Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat shqiptare, sidomos në korridorin që zgjatej nëpër luginën e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai vazhdoi të ruhet deri në fillimet e shek. XI. Në krye të krahinave të veçanta këtu u vunë bujarë bullgarë, të cilët shpeshherë sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavo-bizantine në këto treva. Në gjysmën e dytë të shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit, Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit, dishepull i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite me radhë për hapjen e shkollave e të kishave sllave. Nga kjo kohë trevat midis rrjedhës së Devollit e të Vjosës u përfshinë në ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin bullgarët e kthyen në qendër të Patriarkatit të pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X lidhet edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli, Glavinica (Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore të Ballshit u gjet në fillimet e shek. XX edhe një mbishkrim i gdhendur, që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit dhe të popullit bullgar në fenë e krishterë më 864.

Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine, si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që pati për epiqendër Maqedoninë, në fronin bullgar erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e tij, qendra e shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi, në Prespë e në Ohër. Në këtë kuadër trevat shqiptare morën një rëndësi të dorës së parë dhe u përfshinë për së afërmi në konfliktin e gjatë midis Samuelit dhe Perandorisë Bizantine. Car Samueli bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë deri në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis Danubit dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat e Nikopojës e të Durrësit, si dhe Dioklenë e Rashën në Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb Patriarkati i pavarur Bullgar, i cili vendosi përfundimisht selinë në Ohër, kryeqendra e Samuelit.

Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli nuk synoi të sjellë një përmbysje në strukturat administrativo-ushtarake të trevave shqiptare të pushtuara prej tij. Kështu, në Diokle, ai la në pushtet princin Gjon Vladimir, të cilit për më tepër i ofroi dorën e vajzës së tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së qytetit, që përfaqësohej nga familja e fuqishme e Krisilëve. Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte favorizuar kalimin e qytetit në duart e Samuelit. Aleanca e carit bullgar me Krisilët e parinë durrsake u vulos edhe me martesën e tij me të bijën e Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e të Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut. Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti e gjetkë. Shtrirja e pushtetit të Samuelit në këto vende u lehtësua edhe për faktin se ai zbatoi një sistem të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë, i cili mbështetej mbi kontributet në natyrë e në lehtësira të tjera. Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili II, i mbiquajtur Bullgarovrasësi, (976-1025). Përpjekja e parë serioze e tij për të goditur perandorinë e Samuelit përfundoi me disfatë më 986 në afërsi të Sofjes (Serdika). Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi të gjejë aleatë në vetë trevat e pushtuara nga cari bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva e madhe bizantine e Bazilit II.

Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi iu dorëzua perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë aty nga Samueli, Torona, dhëndër i carit bullgar, u arratis në oborrin bizantin. Me anë premtimesh e të marrëveshjeve paraprake, Bazili II arriti të bëjë për vete edhe qeveritarë e fisnikë të tjerë lokalë në Berat e në Devoll. Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi një disfatë të rëndë ushtrisë bullgare në ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën e sipërme të Strumës. Rreth 15,000 luftëtarë të Samuelit u zunë robë. Vetë Samueli i shpëtoi me vështirësi kapjes dhe u strehua në kështjellën e Përlepit. Bazili II urdhëroi të verbohen robërit bullgarë dhe t'i dërgoheshin carit të tyre në Përlep. Pamja makabër e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi Samuelin që vdiq në vend (6 tetor 1014).

Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen e perandorisë ballkanike të tij. Ivan Vladislavi (1015-1018) u përpoq të vendoste përsëri hegjemoninë bullgare në provincat perëndimore të Dioklesë, Durrësit e të Nikopojës. Por, në shkurt të vitit 1018, gjatë një sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë Bullgare mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij i shuajti vatrat e fundit të qëndresës bullgare në lartësitë e Tomorrit, në Vlorë e në Thesali. Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili II asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e popullsive, që futi përsëri nën sundimin bizantin, ai ndoqi një politikë të matur. Kështu, ai la këtu në fuqi edhe paskëtaj sistemin e detyrimeve në natyrë, të vendosur gjatë sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj i detyroheshin shtetit një mod grurë, një mod miell dhe një shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet u ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës, por edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një sërë privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte fituar në kohën e sundimit bullgar. Po kështu nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit, e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave fqinje, veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi të ketë në varësi mjaft peshkopata që s'kishin qenë sufragane të sajat dhe që ishin bërë të tilla nën sundimin bullgar. Këto të fundit perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq me anë diplomash të veçanta. Me toka, privilegje, tituj dhe me ofiqe Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë, që gjatë luftërave me Samuelin kishin qëndruar në krah të tij. Njërit prej tyre, patricit David Arianiti, që llogaritej ndër komandatët më të shquar të tij në betejat me bullgarët, perandori i besoi postin e rëndësishëm e delikat të strategut të Temës së porsakrijuar të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën tjetër të Paradunavit (Bullgari) kishin për detyrë të kontrollonin territoret e mbretërisë së dikurshme bullgare dhe të shtypnin që në embrion çdo përpjekje të re për shkëputje nga Bizanti.

Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u vu një dukë, njëlloj si në Temën e Selanikut, gjë që nënvizonte rëndësinë e veçantë të saj. Po kështu u veprua më vonë edhe me Temën e Shkupit.