Arkitektura popullore
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Arkitektura popullore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Trashëgimia kulturore e Kosovës, ajo materiale dhe shpirtërore, është ndër thesaret më të çmueshme të vendit. Kjo trashëgimi, e lindur nga baza neolitike u gërshetua me elemente indoeuropiane eneolitike dhe krijoi shtresën ilire, që në mesjetë u njohën si arbër. Mbi këtë bazë trashëgimore ndikuan apo u bënë pjesë e shtresimeve edhe kulturat e tjera si ajo greke, romake, skllave-serbe, osmane dhe të tjera[1].
Në jetën e njeriut, përveç ushqimit dhe veshmbathjes, shtëpia është elementi kryesor i kulturës popullore dhe objekti më i domosdoshëm për jetën normale të individit dhe familjes së tij.
Në kohërat e mëhershme fshatari shqiptar zgjidhte vend të përshtatshëm për të ndërtuar shtëpinë. Dikur ka qenë zakon që vendin që i pëlqente, ndizte zjarrin dhe nëse tymmi shkonte drejt përpjetë, kjo ishte shenjë e keqe, që donte të thoshte se nuk do të kishte përparim pronari dhe familja e tij. Por, nëse tymi shpërndahej mbi atë fushë, aty shtëpia do të përparonte.
Arkitektura popullore ka qenë e dalluar sipas zonave, zona të ndryshme kanë qenë të karakterizuara me objekte të ndryshme banimi.
Arkitektura popullore në Kosovë ka marrë trajta të ndryshme dhe dimensione të ndryshme gjatë zhvillimit të saj historik, sipas kushteve ekonomike dhe shoqërore në përgjithësi.
Shtëpitë tradicionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Koliba (kasolla) në të kaluarën ka qenë shtëpi e varfërisë në Kosovë, shumë e thjeshtë, e ndërtuar nga gardhi, e lyer brenda e jashtë me baltë të përzier me kashtë, për të qëndruar më gjatë, kurse çatinë e ka pasur të mbuluar me tallë misri, ose me kashtë.
Dyshemeja ka qenë prej dheut të rrafshuar. Kolibja ka qenë shtëpi e shtresës së varfër të popullsisë.
- Shtëpitë përdhese të materialit të fortë në pjesën më të madhe kanë qenë prej qerpiçësh. Shtëpia përdhese ka qenë një tip i thjeshtë i arkitekturës popullore. Shtëpia ka pasur zakonisht edhe hajatin e gjatë, mbuloja e të cilit ka qenë vazhdimi i shtëpisë. Dhomat rrethoheshin varg njëra pranë tjetrës. Në secilën shtëpi ka qenë dhoma më e madhe dhe më e mirë, oda e mysafirëve ose e burrave. Vendi më i rëndësishëm në dhomë ka qenë dhe është balli i oxhakut për mysafirin më të nderuar.
Shtëpia në kat shpesh quhej kullë, megjithëse kulla e vërtetë është një tip i posaçëm i banesës së fortifikuar me dimensione dhe elemente të tjera të caktuara. Shtëpinë kat e ndërtonin kudo në Kosovë zakonisht familjet më të mëdha që kishin mundësi materiale[2].
Kulla shqiptare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kulla është tipi më origjinal dhe më i rëndësishëm i arkitekturës tradicionale shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet etnike shqiptare në Ballkan. Kulla është një kështjellë e vogël e llojit të veçantë, nga e cila shqiptari ka mbrojtur familjen, pasurinë e vet dhe lirinë komëtare nga okupatori, cilidoqoftë ai, por edhe nga plaçkitësit e ndryshëm në kohën kur nuk kishte siguri e mbrojtje ligjore nga shteti. Kulla është argument i gjallë i kulturës tradicionale materiale e shpirtërore e kombit shqiptar. Kulla është çerdhe e trimërisë, burrërisë, mikpritjes dhe besës.
Karakteristikë themelore e kullës shqiptare kanë qenë themelet dhe muret e forta, dera dhe dritaret e vogla me hark në pjesën e sipërme, të cilat natën mbylleshin me kapak prej dërrasave të trasha të bungut ose të qarrit. Materiali ndërtimor ka qenë guri ose tulla të pjekura dhe druri i fortë.
Arkitektura e brendshme ose renditja, kompozicioni i dhomës së miqve, divanhania dhe dyshekllëku, të gjitha janë njësoj si në kullën origjinale të gurit, si në shtëpinë në kat prej qerpiçëve.
Përveç qëllimit kryesor të kullës si shtëpi mbrojtëse, ajo duhet të ketë edhe anën estetike në nivel sa më të lartë për kohën dhe rrethin e saj[3].
Mund të themi se arkitektura tradicionale popullore tashmë ka përfunduar, sepse arkitektura moderne e ka zënë vendin e saj në qytet e në katund. Fshatrat e Kosovës deri dje çerdhe të kulturës tradicionale materiale e shpirtërore, tash janë shndërruar në vendbanime të arkitekturës dhe kulturës bashkëkohore.