Jump to content

Arti i lashtë në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Arti antik në Shqipëri)

Arti antik dëshmohet në truallin e Shqipërisë që prej mesit të mijëvjeçarit I p.e.s. deri në shekujt e parë të e.s.

Në Iliri zhvillimi i artit si veprimtari e veçantë shoqërore nis me vendosjen e rendit skllavopronar në shek. VII p.e.s.-VI e.s. Qendrat e tij kryesore u bënë qytetet ilire Bylis, Amantia, Foinike, Butrot etj. dhe ngulimet helene: Dyrrahu, Apolonia, Oriku. Në qendrat e hershme qytetare të shek.VI-V p.e.s. arti skllavopronar ilir shfaqet me importimin e figurinave prej bronzi e terakote, të enëve prej qeramike me figura të zeza dhe të kuqe, të enëve prej bronzi e të pasqyrave me figura njerëzore. Vepra të artit arkaik dhe të hershëm klasik janë koka prej bronzi e Apollonit nga Vlora, mbajtësja e pasqyrës nga Shkodra, menada e Tetovës etj. Njëkohësisht fillon imitimi i këtyre modeleve nga mjeshtrit ilirë, veçanërisht në zonën e Shkodrës dhe Dardani.