Artizanati Shqiptar
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Artizanati Shqiptar Shqipëria është e njohur për një traditë tepër të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrat popullorë, në çdo krahinë të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme gjeografike, duke u spikatur me shumllojshmërinë e saj, numrin e madh të ekzemplarëve dhe relikeve si dhe paraqitjen estetike e objekteve të cilat arritën kulme të pandeshura më parë.
Spikatin veçanërisht punimet në dru, në hekur, bakër, alabastër, në materiale të çmuara ari dhe argjendi, lëkure, leshi, etj. që veç të tjerash janë dëshmi edhe e identitetit tonë kombëtar. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj, në shumë ekspozita të hapura si brenda dhe jashtë tij. Eshtë shtuar dhe ripërtërirë në mënyrë të përsosur pazaret karakteristike sidomos në qytetet Krujë dhe Shkodër, ku dallohen prodhimet artizanale të shumëllojshme dhe niveli i lartë utilitar dhe estetik i tyre. Gjithashtu edhe qytete si Berati, Gjirokastra, Saranda kanë tashmë dyqanet e tyre me prodhime artizanale të zonave përkatëse.
Tashmë janë shtuar së tepërmi edhe dyqanet karakteristike të mjeshtrave popullorë, të cilët me një intuitë shëmbullore në aspektin e krijimit dhe ekspozimit i kanë kthyer këto mjedise në një pasuri të vërtetë dhe mjaft tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj, duke kuntribuar në shtimin e turistëve vendas dhe të huaj pranë tyre.
Punimet në bakër, në hekur, në lesh, argjend, avlëmend, etj, vazhdojnë të tërheqin vemendjen e vizitorëve. Aktualisht qyteti i Krujës është personifikimi i prodhimit të objekteve të kulturës materiale popullore. Në Kavajë vazhdon tradita e prodhimit të objekteve prej balte, të cilat gjejnë përdorim të gjerë nga vetë popullata e atjeshme por edhe ngjallin interes për vizitorët vendas dhe të huaj. Në Kuçovë është gjallëruar artizanati që merret kryesisht me punimin e fletëve të arit. Në Pukë vazhdon në mënyrë të pandërprerë veprimtaria e mjeshtrave të punimit të drurit, që dallohen në veçanti për prodhimin e institrumentave popullorë si : sharkive, çiftelive, bilbilave, pipëzave, etj. Në Gramdh, krahas mjeshtrave të njohur të drurit që realizojnë objekte të tilla : si, lugë, farrashë, sergjenë, furka, fyej, etj. ka një zhvillim prodhimi i objekteve prej leshi, ku shquhen sidomos qilima me xhufka e thekë, që po u përshtaten kërkesave të kohës. Në Përmet vazhdon tradita e punimeve prej leshi, si qilima, rrugica, kënde, etj që gjejnë përdorim të gjerë familjar por edhe interes për vizitorët vendas dhe të huaj.
Për mënyrën e punimit, ornamentet, vlerat utilitare e estetike, prodhimet e këtij lloji kanë ngjallur interesimin e tregëtarëve të shtetit fqinj, Greqisë. Në Korçë e Përmet është zgjeruar tradita e prodhimit të objekteve prej guri, hekuri dhe druri. Këtu mund të përmendim gdhëndjen në gur të kuq të sofateve e çezmave nga mjeshtrat e Polenës, po kështu mund të thuhet edhe për prodhimin e oxhaqeve dekorativë po gjejnë përdorim për zbukurimin mjedisor shtëpijak.
Tanimë mjeshtrat e hekurit po realizojnë punime dekorative të atij niveli që po gjejnë përdorim jo vetëm në mjedise rrethuese, por edhe brenda lokaleve apo edhe brenda shtëpive.
Në Tiranë vazhdon prodhimtaria e herëshme e qelesheve, llullave, punimeve në gur-alabastër e materialeve të çmuar, argjent si dhe në bakër. Biznesi më i suksesshëm sot realizohet nga mjeshtrat e prodhimit të kostumeve popullore shqiptare për të rritur dhe fëmijë, ata të prodhimeve të leshit si çanta, rrugica, e banda si dhe prodhimi i kutive prej ari e argjendi që përdorin gratë e vajzat për mbajtjen e stolive, të unazave, vareseve ,etj. ata të të prodhimeve prej ari e alabastër, të llullave prej druri shqope, etj.
Në Komunën e Antigonesë, në Gjirokastër në bashkëpunim me një fondacion holandez është ngritur punishtja “Artizanet e Antigonesë” të cilët prodhojnë punime me avlemend, prej leshi, etj. të cilat janë pritur mjaft mirë në tregun shqiptar dhe atë të huaj.
Nisur nga interesi që kanë jo vetëm për blerësit vendas por edhe të huaj, dhe zhvillimi që ka marrë artizanati shqiptar, janë organizuar shumë panaire dhe ekspozita të këtij artizanati jashtë shteti për promovimin e këtyre vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjithashtu janë ngritur edhe shumë shoqata të artizanëve të cilët organizojnë shumë veprimtari promovuese si brenda ashtu edhe jashtë vendit.