Bardhosh Gaçe
Bardhosh Gaçe (l. 5 mars 1953, Vlorë) është një studiues, folklorist, publicist dhe shkrimtar shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Vlorë, i biri i veterinerit Shefit Gaçe dhe i edukatores Raime. Familja e tij kishte zbritur nga Tërbaçi në vitin 1929, pas rrënimit të fshatit nga një tërmet i fuqishëm që goditi zonën në prag të Krishtlindjeve të atij viti, i njohur ndryshe si "Tërmeti Jonik", i cili rrafshoi Dukatin duke arritur deri në Tepelenë.
Arsimin parauniversitar Gaçe e përfundoi në vendlindje me rezultate të shkëlqyera. Më pas, ai përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, në vitin 1977. Pas këtij viti u emërua si mësues në veri të Shqipërisë, në Kukës dhe Tropojë. Gjatë kësaj periudhe ai thelloi interesin e tij për etnofolklorin, duke u njohur nga afër me baladat, legjendat, epet dhe kanunin e Malësisë, të cilat i bashkoi me pasurinë e traditave, epeve dhe kanunit të Labërisë. Edhe pse jepte mësim, ai asnjëherë nuk e ndërpreu punën e tij kërkimore vetjake.
Këtë interes të theksuar ndaj kulturës e kurorëzoi duke mbrojtur temën e doktoraturës me titull "Etnokultura e Labërisë". Në vitin 1992 fitoi titullin "Doktor i Shkencave Gjuhësore-Letrare Shqiptare", ndërsa titullin "Profesor" e mori në vitin 2009. Ka vite që lektoron lëndët e Etnofolklorit, Letërsisë për fëmijë, Letërsisë së vjetër shqipe, Letërsisë arbëreshe, Letërsisë së Rilindjes dhe Letërsisë moderne shqipe në Universitetin "Ismail Qemali" në Vlorë.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprimtaria e prof. dr. Bardhosh Gaçes është e gjerë dhe përfshin krijimtari letrare si poezi për fëmijë, eseistikë, publicistikë, studime etnokulturore (albanologji), monografi dhe antologji.
Ndër botimet e tij veçohen:
- Himara në shekuj
- Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1878-1912
- Hamza Isai: një jetë në shërbim të Kombit (monografi)
- Sali Hallkokondi dhe "Historia e Shqipërisë së re" (monografi)
- Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare
- Rapsodi Xhemil Veli Duka (monografi)
- Flamuri dhe Ismail Qemali: në këngë e rrëfime popullore
- Xha Selimi i Bratajt
- Kënga popullore e Selim Hasanit
- Gugatin pëllumbat mbi Prishtinë (vjersha)
- Osman Haxhiu (monografi)
- Pse gëzohet Keti i vogël (vjersha)
- Lumi im s'fle gjumë (vjersha)
- Konferenca shkencore Vlora në rrjedhat e kohës
- Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare
- Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë
- Naim Frashëri si frymëzim i kulturës kombëtare shqiptare
Një rëndësi të veçantë mbart edhe antologjia poetike “Shtëpia e detit dhe e diellit” (338 faqe), e përgatitur nga prof. Gaçe dhe botuar nga Shtëpia Botuese "Toena", kushtuar qytetit të Vlorës. Kjo antologji përmbledh në gjirin e saj një pjesë të poezive të thurura prej poetëve më në zë si A. Z. Çajupi, Asdreni, Lasgush Poradeci, ashtu dhe poetëve vlonjatë: Ali Asllani, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Fatos Arapi, Hiqmet Meçaj, Irfan Bregu. Në të përfshihen edhe krijime nga emra të tjerë të shquar si Nonda Bulka, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Vorea Ujko, Agim Shehu, Ibrahim Gani, apo Ndoc Papleka. Kjo përmbledhje poetike u botua me rastin e 70-vjetorit të themelimit të bibliotekës publike “Shefqet Musaraj”, si një kujtesë poetike për traditat, kulturën dhe frymëzimin e qytetit bregdetar.