Beqir Ndou

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Beqir Ndou Sokoli (Shëngjergj, 1 janar 1917 - Durrës, 15 janar 1995) ishte anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, partizan, oficer i Sigurimit dhe më pas drejtor i tij me mbylljen e periudhës së Xoxes.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi më 1 janar 1917 në shtëpinë e Ndue Sokolit në Shëngjergj të Merturit. U arsimua me katër klasë në Gjimnazin e Shkodrës, njihej si njeri energjik, përjashtohet më 1940 për shkak se rrahu një profesor që konsiderohej spiun.[nevojitet citimi]

Në vitin 1938 ishte bërë anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës. Arrestohet në fillim të 1939 si komunist, por lirohet për mungesë provash lirohet. Arrestohet 7 herë dhe përjshtohet nga të gjitha shkollat e vendit. Në Shkodër krijoi njofturi me Kristo Themelkon.[nevojitet citimi]

Më 20 nëntor 1941 pranohet në radhët e PKSH-së. Atë vit dërgohet nga Themelko dhe Qemal Stafa për të shikuar lidhjet me partizanët malazezë si dhe me Fadil Hoxhën. Kapet dhe burgoset për 15 ditë, lirohet me dorëzani të të atit. Kthehet në Tiranë dhe pastaj del partizan. Lëviz shpesh nga Tropoja në Kosovë. Është komisar i shtabit operativ të Tropojës, anëtarësohet edhe në Partinë Komuniste Jugosllave. Caktohet sekretar politik i Tropojës.[nevojitet citimi]

Më 1945-'47 është shef në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit dhe më pas i Sigurimit të Shtetit në Tropojë e në Kukës. Më 1947 drejtor i seksionit të Sigurimit në Peshkopi. Po atë vit kthehet në qendër si oficer i Sigurimit. Më 25 gusht 1948 nxirret në lirim nga Koçi Xoxe. Largimi nga Sigurimi ishte i përkohshëm, ndërkohë vijoi të punonte në sigurimet shoqërore.

Karriera e Beqirit mori rritje të shpejtë pas Kongresit të 1-rë të PKSH-së, kur u zgjodh kandidat i KQ. Në fillim të nëntorit u emërua zëvendësministër i Punëve të Brendshme duke qenë drejtor i Sigurimit të Shtetit. Në marsin e 1949 Mehmet Shehu e largoi, duke i besuar ofiqin dy të vetëve. Në këtë mënyrë Ndou ndërroi ministri dhe u emërua zëvendësdrejtor politik i Drejtorisë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes. Më 1950-'52 ishte deputet dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Më 2 mars 1951 në Papër të Elbasanit vritet me paramendim Sali Ormëni, kjo pak mbasi kishte takuar Ndoun në repartin e Krastës.

Merr një telefonatë nga M. Shehu që i dha urdhrin të shkonte të takonte shefin e shtabit, Beqir Ballukun. Ndou shkon dhe gjen Ballukun kokulur, kur menjëherë dy persona të dala nga perdet e arrestojnë "në emër të popullit" edhe pse si deputet i Kuvendit Popullor nuk mund të arrestohej, ngjau. Më 10 dhjetor 1951 prokurori ushtarak, kapiten i parë Faik Minarolli i ka drejtuar kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë aktakuzën kundër Beqir Ndout: akuzohej se kishte lejuar Sali Ormenin të merrte pjesë në inspektimin e protokolleve të organizatës bazë të partisë dhe në fjetinën e repartit të Elbasanit.

Më 18 dhjetor 1951 Gjykata e Lartë e RPSH-së me këtë akuzë e dënon me 3 vjet burg. Lirohet më 22 mars 1954, duke kryer kështu një dënim të plotë. Pas daljes nga burgu punon brigadier në Memaliaj. Më 1955 shkon në Kotë e më pas në Vlorë ku bëhet përgjegjës i hotelit "Myzeqeja". Merret në përpunim aktiv 2A, ndërsa ulet në kontroll operativ 2B më 1959. Më 1960 shkon në Durrës, ku punësohet në ndërmarrjen e karburanteve si nëndrejtor e më pas si përgjegjës i rojeve. Forcimi i mëtejshëm i luftës së klasave në vitin 1961 pas ndarjes me sovjetikët, sjell ringritjen e kontrollit ndaj tij sërish në 2A.

Më 1973 ulet sërish në kontroll operativ 2B. Ndou përpunohej rrallëherë nga 24 bashkëpunëtorë. Dyshohej si "agjent jugosllav", ndërsa të dhënat tregonin që Ndou ishte deklaruar përherë kundër tyre. Megjithatë, elementi kryesor në përndjekje vërehej se ishte agjitacioni e propaganda. Më 1976 del në pension. Pas 4 vjetësh, arrestohet në Durrës më 12 korrik 1980 për agjitacion e propagandë. Akuzohet se kishte thënë që jugu po sundonte veriun, se kuadro nga veriu kishte fare pak dhe se çështja e Kosovës nuk u zgjidh. Më 9 janar 1981 dënohet me 10 vjet burg, por falet më pas dhe lirohet në 1982.

Vdiq në Durrës më 15 janar 1995.[1]

Botime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbi veprimtarinë e tij më 2011 u botua "Beqir Ndou: për luftën antifashiste nacionalçlirimtare në Malësinë e Gjakovës, në Kosovë dhe për Konferencën e Bujanit" me autor Mark Palnikaj.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Dervishi K., Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist, Tiranë: Shtëpia Botuese "55", 2012, fq. 145-146.