Jump to content

Bibliografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Bibliografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit - Gjinia: Bibliografi. Autori: Zyber Bakiu. Shtëpia botuese: "Grand Prind". Viti i botimit 2010. Faqet e librit 416. ISBN 978-99956-827-7-4

Fragment nga libri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Samiu erdhi në Stamboll më 1871, në moshën 21 vjeç, i pajisur me ndjenjat e atdhedashurisë dhe me kulturë të gjerë. Ai dinte arabishten dhe persishten, të cilat në kohën e tij ishin baza e gjuhës turke e quajtur osmanishte. Nga ana tjetër, ai në gjimnaz kishte mësuar greqishten e re e të vjetër, frëngjishten e italishten dhe kishte përfituar njohuri mbi dituri të ndryshme si gjeografi, histori, matematikë, astronomi, fizikë, kimi, histori e natyrës, anatomi etj.

Megjithëse në Turqi, që më 1839, në kohën e Sulltan Abdyl Mexhitit, qe shpallur Tanzimati me qëllim që të pengohej shthurja e perandorisë, gjendja megjithatë mbeti si më parë, veçanërisht nën sundimin e pasardhësit të tij, Sulltan Abdyl Azizit.

Arsimi ishte lënë krejt pasdore. Shkollat fillore mbaheshin nga imamët e lagjeve e të fshatrave, pa asnjë ndihmë e kontroll nga shteti. Në to mësohej abetarja arabe vetëm për të nxënë përmendësh leximin e Kuranit. Edhe shkollat rushdije, që vinin pas filloreve e që kishin pothuaj po atë program, nuk sollën ndonjë përmirësim në gjendjen e arsimit në Turqi. Pjesa më e madhe e atyre që mbaheshin të ditur në kohën e Samiut kishin dalë nga medresetë, të cilat shërbenin për të nxjerrë klerikë dhe nuk mësohej ndonjë shkencë.

Pra, në këto kushte, Stambolli ishte një shesh shumë i përshtatshëm për Samiun që të vinte në veprim dhe të shfaqte diturinë dhe kulturën e tij më të lartë se ajo e intelektualëve të tjerë të Turqisë në atë kohë.