Jump to content

Binard Bilota

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Njeri ndër njerzit më të famshëm arbëreshë te fusha e diturisë dhe e atdhetarisë ësht, pa dyshim, papas Binard Bilota. Ai u lind në Frasnitë mbë 29 të nëndorit të vitit 1843, nga Emanuil Bilota e nga Ngjiska Martire, prindë shumë të nderuar. Studjoi në Shën Mitër Koronë, te Kulexhi i Shën Adrianit, çë ka qënë për shumë vjet vendi ku u kanë plazmuar mendjet më të ndriçme t'Arbëreshvet të Kalabrisë. N'atë kulexh Bilota studjoi pa paguar, qysh prej të dyjtit vit të hyries së tij n'atë vend, pse ishte shumë i mençëm. I dorëzuar prift i ritit bizantin te viti 1866, mori edhe diplomën si mësonjës i shkollavet fillore edhe dha mësim ndër shkollat e Frasnitës deri në vitin 1873, kur i erdhi pas në famullinë e Frasnitës papas Mihal Belushit.

Bilota merrej jo vetëm me pedagogjinë, me filosofinë, me theologjinë, por edhè me gjuhesinë e me letërsitë klasike e moderne; por dashuri më të madhe ka pasur për gjuhën arbëreshe, të cilën ai e quante "hyjnore". Në gjuhën italjane ka shkruajtur shumë vepra filologjike mbi gjuhën arbëreshe, edhe i botoi çë nga viti 1893 deri në vitin 1915.

Mbë 9 të gushtit 1898, Akademia kombëtare italiane e Diturisë, së Letërsisë edhè t'Artëvet, me seli në Firenxë, nderoi Bilotën me diplomë si anëtar i përmotshëm. Diploma të tilla i qëne dhënur atij edhe nga Akademia "Leonardo Da Vinci", me seli në Tortonë; edhe nga Akademia ndërkombëtare Partenopè, në Napoli. Ai ka qënë edhè anëtari Komitetit paralevizor i Kongresit gjuhësor arbëresh, në Kurlanë, ku mori pjesë në muajin e tetorit 1895, bashkë me De Radën, Argondicën, Kamodekën, Ribekun, Loreqin e të tjerë. N'atë mbledhje dijetarësh arbëreshë, Bilota paraqiti, me një fjalim arbërisht, alfabetin e gjuhës arbëreshe, që ai përdorte nër shkrimet e tij: ishte alfabeti që Bilota përdori edhe në veprën "Shpata Skandërbekut ndë Dibrët Poshtë". Në një poezi arbëreshe, që ai lexoi n'atë Kongres, i thonte pjesëmarrësvet: "Vëni kujdes ndë të studjuerit, ndë të folurit e ndë të shkruerit të kësaj Gjuhje, se t'e paraqitni të famëshme ndë mes të gjuhëvet të Botës, tue nxehtësuar dijetarët të huej t'e duan mirë atë gjuhë".

Për sa i përket artit poetik të Bilotës, dua të shënonj këtù gjykimin e Jeronim De Radhës, i cili, tue i kushtuar atij një kopje të konferencës së tij "Mbi vjetërsinë e gjuhës Arbëreshe", i shprehet me këtò fjalë: "Mikut e vjershtarit të vërtetë, kryepriftit Bilotë, me një "BRAVO" nga zëmra".

Rrjeshtova më lart veprat që Bilota botoi në gjuhën italjane (vepra filologjike) edhè të paktat në gjuhën arbëreshe (vepra poetike); por atò të shkruara në gjuhën arbëreshe të pabotuara janë më shumë edhè më të vlefshme. Atò qenë të gjitha të ruajtura nga i nipi Gustin Jordani, ati im, i cili m'i dorëzoi mua, pse Bilota i kishte thënë: "Deri që të mos të dalë një prift nga familja jonë, që t'i kuptonjë ata shkrime, mosnjeri ka t'i ngasë".

Bilota filloi veprimtarinë e tij viershtarake-letrare arbëreshe nga muaji i nëndorit të vitit 1870, me veprën "MARKURI I DORSIT"; kjo vepër satirike përmbleth më se 1500 vargje shtatë rrokjesh, ku Auktori dënon rreptësitë e nji shoqatje të udhëhequr nga një sundimtar i vendit; kjo vepër q'ësht e para më radhë kronologjike (1870), na tregon ndjenjat e këtij shkrimtari, i cili, tue qënë një njeri i drejtë, nuk duronte aspak padrejtësitë e njerëzvet kundër vëllezervet, veçanërisht kundër të varfërvet e të përunjtëvet. Kjo karakteristikë stili dhe mendje, qe nuk duron rreptësi e zgjedha, vazhdon nëpër gjithë shkrimet e tij, edhè nër ata fetare. Mund thomi kështù se Bilota ishte vërtet një përfaqësues i fisit shqiptar, me të cilin ai shpërndante (ndante) edhè vuajtet, ose psimet. Novela ose përrallza shumë e bukur, me titull "TRIDHIXHINI" (I trembëdhjeti), që përfshin afrò 2000 vargje tetërrokjesh, nuk ka datë, por nga alfabeti që atjè përdoret, duket e vitit 1870. Kjo vepër lexohet me një marrëfrymje, për argumentin edhè për rrjedhjen e vargjevet. Auktori i jipte asaj shumë rëndësi: Varfëria e nji familje të madhe zhduket me anën e zgjuarsisë edhè të fatmirësisë të më të voglit ndër 13 vëllezërit.

Te viti 1874 filloi poemën epike: "SHPATA SKANDERBEKUT NDË DIBRËT POSHTË. Tre redaktime të pambaruara janë të vitravet 1874,1878,1888; redaktimi i prasëm i mbaruar ësht i vitit 1890. Gjithë këta redaktime na dëftojnë se Auktori i epte shumë rëndësi kësaj vëpërje 12 kangjelesh, me më se 10.000 vargje gjashtë e shtatë rrokjesh. I paraqet atyre 12 kangjeleve edhè hjë "kangjel të vetëm", në të cilin rrëfyen një dyluftim që Skanderbeu pati me një tartar vigan në Adrianopul; ai kangjel ësht i përbërë prej 56 strofash, gjashtë vargjesh, gjashtë edhe shtatë rrokjesh, edhe i përket redaktimit të vitit 1874. Alfabeti që përdoret në ktë redaktim ësht pak i ndryshëm nga ai që përdoret në redaktimin e prasëm të veprës "Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë". Edhè gërmat janë shumë të qarta.

Gjat vitit 1888 Bilota mbaroi së mbledhuri gjashtë milë fjalë të së folmes të Frasnitës, në një "FJALOR" afrò 200 faqesh. Më 18 të korrikut të vitit 1891 mbaroi "MONOGRAFINË E FRASNITËS". Kjo vepër historike ndahet në 5 pjesë. E pesta ësht e pambaruar, pse rrëfymi qëndron nër të prasmat ngjarje të shekullit XVIII. Kjo monografi përmbleth 332 strofa gjashtë vargjesh, d.m.th. afrò 2000 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. I ësht paraqitur Monografisë një tingëllim që fillon kështù:

Mbë shesh të gjerë, gurisht e të dritësuer,/ Frasnita zbukuron ndër këmbë nji mali,/ degë t'Apeninit 'bukur e lulëzuer,/ ka ujë e verë e ajer si miali...

Me gjithë se kjo vepër nuk ësht shumë e dokumentuar, mbetet gjithmonë një burim lajmesh të çëmuara, pse këto janë të marrura nga tradita popullore, kuj Arbëreshët qenë e janë gjithmonë besnikë.

Ndofta për të plotësuar Monografinë, Bilota shkruajti veprën "ZAKONET E FRASNITËS, ture e mbaruar mbë 23.10.1894. Në këtë vepër rrëfen zakonet, traditat, lozjet, të kremtjat, që zhvillohen në Frasnitë gjat 12 monjevet të vitit. Ajò vepër përmban 570 tercina, d.m.th. 1710 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Vlera e saj është e madhë, pse na trëgon dashurinë e popullit arbëresh për zakonet atdhetare, tue na prierrë prapë nër burimet e tyre, ose në Shqipërinë e Skandërbeut.

N'atë të njëjtë dorëshkrim, Bilota shton edhè: "SKULQINË, MARTESËN, TË LERIT dhe PAGZIMIN", me datën 26 maj 1894. Këto pjesë të shtuara përmbledhin 232 strofa, d.m.th.1329 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Vlera historike, folkloristike, psikologjike e poetike e kësaj vepërje ësht shumë e rëndësishme, pse Auktori përshkruan besnikërisht lajmet, tue ndërhyjtur thellësisht ndër ndjenjat popullore e tue na paraqitur jetën e thjeshtë, të nderuar edhe punëtore, që populli arbëresh jetonte deri në shekullin XIX. Bilota ankohet ndër vargjet e prasme se këta zakone venë tue u harruar, me modernizimin e shoqërisë njerëzore, pas njësimit të kombit Italjan, edhe thot: "Po ç'katrizeti (1860) gjindja u shkatarrua / sa nga zakon i mirë rá posht e u shua!"

Njera ndër veprat më të vëllimëshme ësht "E BUKURA E JETES", të cilen ja kushton, si shënjë nderimi e miqësije, "Kalornderit e të famshmit poet e filolog arbëresh Jeronim De Radhës", tue ju kushtuar edhè ai si një nxënës shumë i devotshëm. Kjo vepër ësht një novelë arbëreshe, e mbaruar mbë 22 shkurt 1895, që përmbleth 440 tingëllime, d.m.th. 6160 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Atjè rrëfyhet se një trim (Pjuhurini), bir mbreti, me një kal të fatostë, pëstaj, që tue gjurmuar, gjeti tri motrat e tij, të vjedhura nga Dielli, nga Era e nga Orku; vjeth edhè të Bukurën e Jetës, të cilën e vë kurorë me shumë madhështí.

Njatër novelë Bilota e mbaroi mbë 16.2.1896, tue e titulluar "E BUKURA HAREZË”, e cila përmbleth afrò 2000 vargje njëmbëdhjetërrokjesh. Atjè rrëfyhet historia e nji mbreti, që dërgon një kalor t'i gjënjë të Bukurën; por kjo, kur arrën përpara Mbretit, shpreh dëshirën të martonjë kalorin e dashur edhè të aksëm në vënd të mbretit të keq e të përtuashëm, i cili pëstaj ësht vrarë me vaj të zier e me ujit e Pisës! Në këtë përrallëz Auktori dënon krenarinë e mbretërvet, tue lartësuar thjeshtësinë e të shtypurvet.

Mbë 4 të prillit 1903 Bilota filloi "MINOSIN", një vepër mitike, e formuar nga 28 kangjele, që kalojnë 8000 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Njatër redaktim të asaj vepërje, me disa shtesa, e mbaroi mbë 3.11.1909, e cila përmbleth 37 kangjele me 8664 vargje njëmbëdhjetërrokjesh. Por Auktori i ndryshon titullin, ture e quajtur "SKENA TË TMERRSHME E TË GEZUESHME TË JETËS MBATANË VARRIT". Në këtë vepër Bilota, tue u frymëzuar nga Komedia Hyjnore e Dantit, është ftuar nga Zara e vetë, edhè shkon nër trí mbretëritë e së jatrës jetë, ku xë shërbise të panjohura, njeh shumë njerëz të Historisë së moçme, edhè sheh disa bashkëfshatarë Frasnjotë, tue folur me ta. Një redaktim të trëjtë të MINOSIT, shumë të përpunuar, e fillon mbë 18.4.1918, por e lë të pambaruar te kangjeli i XVIII, në fund të cilit shënon datën: 8 theristi 1918: 8 ditë para se të vdiste.

Mbë 30-9-1903 mbaroi “PISËN”, një poemë 10 kangjelesh, që përmbleth 3276 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Kjo vepër duket se ësht vijimi i “MINOSIT”, sepse fillon me këto fjalë: “U lodha, fata ime, më tue vrerë / të mjerit të ngalesur lik e zi. / Hapmë më dier të vrenj, se të mund xë / më drejt si gjella e dijtë e piksur ë”. Ndë Pisët Auktori dënon jo vetëm krimineltë e vjetërsisë, por edhe bashkëkohësit e tij të liq. “JETËN E SHËN MËRISË”, që pëmban 7 kangjele me 1720 vargje pesë rrokjesh, e mbaroi mbë 18 të majit 1896. Mbë 31 maj 1896 mbaroi edhe “TË VDEKURIT”, ku rrëfen ngjarje të jashtëzakonëshme e të përmbinatyrëshme, edhe çfaqje të vdekurish. 5 kangjelet e veprës përmbajnë 2000 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. “MONOGRAFINË E SHËN NILIT”, kallogjer i shëjtë basiljan nga Rusana edhe themelues i Monastirit të Grottaferratës, e shkruajti në rastin e 900vjetorit të vdekjes së tij. Vepra grumbullon 122 strofa gjashtë vargjesh njëmbëdhjetë rrokjesh. Drama komike “DON KISHOTI”, 3500 vargjesh shtatë edhe tetë rrokjesh, ësht e komponuar gjatë vitit 1908. Atjè auktori rrëfen veprimet e njëi bashkëfshatari utopist etë çmendur, edhe të shokvet të tij. Më 26-6-1916 mbaron njatër vepër të titulluar “JETA E SHËN MËRISË”, e cila ësht e formuar nga 127 tingëllime. Të tjerët 200 tingëllime të titulluar “SHËJTRAVET SHËRBYER KA UNË MBË QISHË” sjellin datën e 21-12-1917. Këtyre veprave ka me u shtuar shumica e përrallavet edhè të legjendavet, të kalimeravet, të ndohivet, të fjalavet t'urta, edhè të ligjëratavet që Bilota ka shkruar qysh prej vitit 1870 deri në vitin 1918. Këta komponime përmbledhin më se 20.000 vargje të ndryshme, bashkë me disa fjalime në prozë. Mbë 15-12-1905 mbaroi edhè vepren satirike “VEPRA TË TURPËSHME NJERZISH TË PADENJË”, që e kishte fillluar mbë 15 të shtatorit t'atij viti. Në fund të veprës Auktori shkruan këtë shënim: "Më dhispëlqen se pat' zhyeja pendën, ture rrëfyer veprat e turpëshme njerzish të padenjë për poemë e për Histori; por i shkova se të jënë të dënuar prej gjindjes së ardhëshme".

Në këtë veprimtarì vjershtarake Bilota thomse ka mbledhur afrò të tërë traditën historike, përrallore e folkloristike të popullit arbëresh të Frasnitës, edhè pjesë të Arbëreshvet të Kalabrisë. Prandaj meritat e tija ndaj gjakut Arbëresh të shpërndarë edhè ndaj Shqipërisë, qënë e janë të mëdha; edhè ëmri i tij do të jetë i përkujtuar dhe i lavdëruar nga të gjithë Arbëreshët dhe nga Mëmëdheu i dashur dhe i paharruar.