Bogumilizmi
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Bogumilizmi është lëvizje fetare. Thuhet se ky sekt dualist ka qenë themeluar nga një prift i quajtur Bogomil, i cili ka zhvilluar veprimtari në Bullgari nga viti 927 deri më 950. Bogomilët besonin në Zotin e mirë Atë dhe në Zotin e lig ose djallin e quajtur Satanael, i cili ishte biri i të parit dhe krijuesi i njerëzimit. Me që bota konkrete ishte krijim i së keqes, bo-gomilët dënonin anën tokësore të njeriut. Martesa, për shembull, shihej si një pengesë për shenjtërinë dhe si kapitullim para mishit. Bogomilët, të cilët nuk e hanin mishin e nuk e pinin verën, qenë të bindur se vetëm ata mund ta shpëtonin botën me anë veprimtarish të frymëzuara nga Jezui, biri i dytë i Zotit Atë.
Lëvizja e bogomilëve u përhap nga Filipopolisi (Plovdivi) në Bizant, ku idhtarët e saj u shtypën egërsisht në fillim të shekullit XII, jo vetëm për bindjet fetare, por me sa duket edhe për nacionalizmin e tyre sllav dhe për pakënaqësinë ndaj kulturës bizantine. Megjithatë, ata ia dolën të vazhdonin në Ballkan e në Azinë e Vogël deri në periudhën e push-timit Osman. Bindjet e bogomilëve, të dënuara nga Kisha e Krishterë si herezi, u përhapën edhe në Itali e në Perëndim. Bogomilët u quajtën në masë të madhe si pararendës të lëvizjes katar (Cathare) në Francën jugore. Ndër bashkësitë katare të Evropës perëndimore më 1250 ishte një Ecclesia Albanensis, një bashkësi fetare dualiste e përqendruar rreth Milanos, Veronës dhe Desenzanos, themeluesit e së cilës, duke gjykuar nga emri, mund të kenë ardhur nga Shqipëria.
Djepi i Bogomilizmit të Mesjetës në Ballkan përkon afërsisht me ter-ritorin e Republikës së Maqedonisë së sotme dhe me viset jugperëndimore të Bullgarisë. Deri në fundin e shekullit XII lëvizja ishte përhapur në Serbi, në Bosnjë dhe në Hercegovinë. Nuk dihet se deri në çfarë shkalle e ushtroi ndikimin e saj në Shqipëri. Meqë bogomilizmi maqedonas kishte rënë dhe praktikisht ishte zhdukur në shekullin XIV, periudhë kjo kur fiset nomade shqiptare ishin ende në fazën e konsolidimit fillestar, nuk ka gjasa që ky besim kryesisht sllav të ketë pasur ndonjë ndikim të thellë në popullsinë vendëse të Shqipërisë.