Borëbardha flokëthinjur
"Borëbardha flokëthinjur" Romancë kanadeze me Autor Vangjush Ziko. Shtëpia botuese "Dija-Poradeci", Viti i botimit 2008. Faqet e librit 144. ISBN 978-99956-705-1-1
Vangjush Ziko është një shkrimtar me një stil të përsosur narrativ. Ai na sjell kapitull pas kapitulli një histori sa të trishtueshme, aq edhe të mbushur me humor të emigrantëve shqiptarë në Kanada. Edhe pse kanë kaluar 18 vjet nga rrëzimi i sistemit komunist, shqiptarët vazhdojnë të ikin e të ikin, në vendet fqinje (Itali e Greqi) por edhe më larg Amerike e Kanada. Kemi dëgjuar histori pafund, të vërteta dhe të trilluara. Pavarësisht nga kjo, libri “Borëbardha flokëthinjur” e ka sjellë këtë subjekt në një mënyrë krejt origjinale, me gjuhë të thjeshtë, me detaje mbresëlënëse dhe një ndjenjë të fshehur humori që sa të trishton, aq edhe të bën ta përjetosh realisht situatën e emigrantëve shqiptarë.
Gjyshe Viktoria vendos të shkojë në shkollën e gjuhës angleze për emigrantët. “Link” titullohet kapitulli dhe është pika më tronditëse e romancës me tragji-komizmin. “Viktoria as që e kishte shkuar ndër mend se do të bënte shkollë në këtë moshë. Shkollën e kishte mbyllur që kur nuk mbahej mend. Por nuk i thonë kot që njeriu plaket duke mësuar. Por, që të mësonte gjuhë të huaj në pleqëri, nuk e kishte parë as në ëndërr, as filxhani i Nushit nuk ia kishte treguar.”
Shkrimtari ka sjellë edhe përjetimet e tij, edhe të brezit të tij, që pati këtë fat në periudhën e tranzicionit të vështirë shqiptar.