Jump to content

Branimir Gushiq

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Branimir Gushiq - 1964

Branimir Gushiqi (kroatisht: Branimir Gušić, 06.04.1901, Zagreb - 06.07.1975, Zagreb) ishte pinjoll i një familjeje të vjetër kroate. Mbaroi studimet e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit në vitin 1926. Gushiqi ishte figurë e shquar e mjekësisë kroate, i njohur si specialist dhe profesor i otorinolaringologjisë. Në vitet 1945-1947 dhe nga viti 1956 ishte dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Zagreb dhe doli në pension në vitin 1971. Gushiqi ishte gjithashtu anëtar i Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Artit.

Fushëveprimi i Gushiqit tejkaloi mjekësinë. Ishte alpinist i pasionuar dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte kryetari i klubit Sljeme të alpinistëve të Zagrebit, kryetari i shoqatës së alpinistëve të Kroacisë dhe kryetari i Këshillit Kroat për Mbrojtjen e Natyrës. Gushiqi ishte veçanërisht i interesuar për alpet dinarike në rajonin kufitar Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, ku udhëtoi shpesh nga vitet 1930 deri në vitet 1960. Botoi një libër për malin Durmitor (2522 m.) të Malit të Zi, dhe në vitet 1930-1932 bëri një film dokumentar për një ekspeditë aty. Ngjiti Malin e Kokërdhakes (2508 m.) në Shqipëri dhe kaloi shumë kohë në dhe rreth malit të Jezercës (2694 m.) në Bjeshkët e Nemuna.

Përveç kësaj, Branimir Gushiqi shquhej edhe si etnolog. Në vitin 1928 kishte mbaruar doktoraturën në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me një disertacion “Geneza i elementi mljetske seljačke kuće” (Gjeneza dhe elemente të shtëpisë fshatare të ishullit Mljet). E shoqja e tij, Marijana Gushiq (1901-1987), ishte edhe ajo etnologe e njohur dhe punoi shumë vjet si drejtoresha e muzeut etnografik të Zagrebit. Së bashku ata udhëtuan shpesh, jo vetëm në Malin e Zi dhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri, edhe para edhe pas Luftë së Dytë Botërore. Marijana Gushiq shquhet për punën e saj etnografike për xhubletën shqiptare dhe mblodhi për muzeun e Zagrebit një koleksion të spikatur veshjesh dhe sendesh popullore të fiseve të Shqipërisë së Veriut.

Ky koleksion i fotografive të Branimir Gushiqit duket është bërë gjatë një vizite në Shqipëri rreth vitit 1947. Nga fotot, që për mungesë dokumentacioni nuk janë të gjithë të identifikuara, duket e qartë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin jo vetëm në veri, por edhe në jug të Shqipërisë: Elbasan, Himarë, Gjirokastër, Përmet, Leskovik, Voskopojë, Korçë dhe Pogradec.

Gjithmonë e varfër dhe e prapambetur, Shqipëria në vitin 1947 ishte ekonomikisht dhe shpirtërisht e shkatërruar pas luftës civile (1943-1944) dhe pas ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1944). Pushtetarët komunistë të vendit kishin ndërprerë pothuajse tëra marrëdhëniet me Perëndimin. Edhe për këtë arsye, fotografitë e Branimir Gushiqit të vitit 1947 janë unike dhe të rëndësishme.

Në periudhën 1945-1948 Shqipëria ndodhej në një aleancë të ngushtë me Jugosllavinë komuniste, gjë sigurisht që mundësoi udhëtimin e Gushiqit. Mirëpo, në verën e vitit 1948 Shqipëria u nda prej Jugosllavisë duke u tërhequr në izolim stalinist, dhe Perëndimi mësoi fare pak për atë. Fotografitë e Gushiqit nuk tregojnë gjë për terrorin politik të kohës në Shqipëri, por ofrojnë pamje të qartë - disa me një bukuri të rrallë - të qyteteve dhe të peizazheve të vendit, siç i kishte përjetuar fotografi kroat.

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]