Demografia e Tetovës
Shikuar nga aspekti demografik në Tetovë jetojnë afër 200.000 banorë, nga të cilët rreth 80,3% shqiptarë, 14,7% sllavo-maqedonë dhe 5% të tjerë, të vendosur në 92 vendbanime. Ndërsa në bazë të përkatësisë fetare mbi 85% i përkasin fesë islame kurse të tjerët asaj ortodokse.
Karakteristikat demografike të Pollogut të Poshtëm, siç janë gjendja numerike e popullsisë, dendësia e popullsisë, trendi i ecurisë dhe struktura e popullsisë, e caktojnë zhvillimin e mëtejshëm të hapësirës së Pollogut të Poshtëm.
Ecuria e numrit të përgjithshëm të banorëve në territorin e komunës paraqet rritje të dinamikës së shprehur. Kjo dinamikë është shumë më e madhe te banorët e qytetit, se sa te banorët e fshatrave. Shkalla e ecurisë së banorëve të përgjithshëm të qytetit ndërmjet dy regjistrimeve të fundit të viteve 1961-1971, shënon 4,1% të shkallës vjetore të rritjes. Shkalla e rritjes së popullsisë fshatare për periudhën e njëjtë është 2,0%. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore shënohet dukuria e rritjes permanente të popullsisë së qytetit, e cila në vitin 1946 ka përbërë një të pestën (20,9%), në vitin 1953 diçka më shumë së një të pestën (21,7%), që në vitin 1961 të rritet dhe të arrijë gati një të katërtën e popullsisë (24,2%), ndërsa në regjistrimin e vitit 1971 përbën më shumë se një të katërtën (27,2%).
Numri i banorëve të qytetit rritet, jo vetëm si rezultat i ecurisë natyrore të popullsisë, por kjo rritje kushtëzohet me shpërnguljen intensive të popullsisë nga vendbanimet qytetëse (rurale). Për dinamikën e numrit të përgjithshëm të banorëve në hapësirën e Pollogut të Poshtëm është karakteristikë një rritje e shpejtë në krahasim me territoret e tjera të Maqedonisë. Popullsia e kësaj hapësire dallon për nga lindshmëria më e madhe natyrore e saj, që është pasojë e natalitetit shumë të lartë dhe e rënies së mortalitetit.
Karakteristikë themelore demografike të Pollogut të Poshtëm është dendësia shumë e madhe e popullsisë, e cila sipas regjistrimit të bërë në vitin 1994 për territorin e komunës është 163 banorë në 1 km2. Hapësirë më e banuar është hapësira rrafshinore me sipërfaqe 392 km2, sipas së cilës rezulton se në 1 km2 jetojnë 379 banorë. Dendësia e popullsisë në territorin e komunës është dy herë më e madhe nga dendësia mesatare e popullsisë së Republikës.
Në bazë të dendësisë së shprehur të popullsisë vërehet shkallë shumë e lartë e natalitetit, e cila në regjistrimin e fundit të vitit 1997 ka qenë 20,3‰, mortaliteti 6,9‰, kurse shtimi natyror 13,4‰.
Shtimi natyrorë i popullatës Tendenca e deritashme e shprehur e strukturës së popullsisë sipas gjinisë, gjatë së cilës numri i popullsisë së gjinisë mashkullore është shumë më i madh në krahasim me atë të gjinisë femrore, është karakteristikë specifike për krejt Republikën e Maqedonisë, e cila është e shprehur posaçërisht në territorin e Pollogut të Poshtëm. Dekadave të fundit, për shkak të rritjes së standardit jetësor dhe shoqëror dhe të përmirësimit të kushteve jetësore, është bërë ndryshimi i strukturës së popullsisë sipas gjinisë.
Marrë në përgjithësi për tërë hapsirën e Pollogut të Poshtëm, raporti numerik në mes të personave të gjinisë mashkullore dhe asaj femrore sipas viteve regjistruese ka ndryshuar krahas lëvizjes së numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Struktura e moshës së popullsisë në territorin e komunës ndryshon dukshëm nga ajo e qytetit. 46,3% e popullsisë së përgjithshme të komunës është aktive me punë, kurse pjesa e mbajtur e popullsisë (e moshës deri 20 vjeçare) është 47,8%. Ecuritë e vërejtura të popullsisë, sipas kësaj karakteristike, janë shumë të pavolitshme në krahasim me ecuritë e vërejtura në nivel të Maqedonisë. Sipas të dhënave nga regjistirmi i fundit i Maqedonisë, 43,0% i numrit të përgjithshëm të popullsisë i takon grupit të popullsisë së mbajtur të moshës nën 20 vjeçare.
Struktura e moshës së popullsisë, siç është theksuar edhe më lartë, është faktori i përcaktuar i formimit të popullsisë së aftë për punë. Një kontingjent i popullsisë së aftë për punë në territorin e komunës së Tetovës formohet nën kushtet specifike dhe prej këtu struktura ekonomike e popullsisë së komunës dhe të qytetit, kanë karakteristika të veta specifike.
Përgatitja shkollore e popullsisë së komunës së Tetovës gjatë periudhës së viteve 1961–1994 Pregaditja shkollore e popullsisë, të moshës mbi 10 e 15 vjet, në të kaluarën jo të largët, nuk ka qenë e përshtatshme. Ndërkaq, në dekadat e fundit dukshëm ka filluar të përmirësohet përbërja arsimore e popullsisë. Kështu që me sjelljen e ligjeve të ndryshme për ndjekjen e mësimeve në gjuhën amëtare në arsimimin fillor, të mesëm madje edhe në atë të lartë e superior (këtu vlen të përmendet edhe funkcionimi i Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Evropës jug-lindore, që sigurisht do ti japin një zhvillim të hovshëm arsimimit në gjuhën shqipe) dukshëm është ngritur niveli arsimor i këtyre trojeve. Mirpo edhe krahas ngritjes arsimore të popullsisë, prapseprap, edhe sipas regjistrimit më të ri të popullsisë, ende ka numër të konsiderueshëm të personave pa pregaditje shkollore ose me arsimim të ulët, veçanarisht në mesin e popullatës femrore.