Dermatiti atopik
Dermatiti atopik tek foshnjat dhe fëmijët
Dermatiti atopik është një sëmundje kronike alergjike e lëkurës që karakterizohet me kruarje. Është një nga llojet më të shpeshta të ekzemës. Në grupin e sëmundjeve atopike, përveç dermatitit atopik bën pjesë astma bronkiale alergjike, e cila shkakton bllokim në rrugët e frymëmarrjes dhe riniti alergjik, që shkaktohet si pasojë e një alergjenti i cili me anë të rrugëve të frymëmarrjes hyn dhe krijon një inflamacion (dëmtim) apo ndjeshmëri në mukozën, pjesën e brendshme të hundës. Dermatiti atopik është një sëmundje që haset në 10% të fëmijëve duke i shfaqur shenjat e saj në 80% të rasteve në 5 vitet e para të jetës dhe në 50% të rasteve në vitin e parë të jetës. Është sëmundje alergjike dhe ka bazë gjenetike, fillimi i të cilës ndodh nga ndërthurja e faktorit gjenetik mjedisor dhe imunologjik. Fëmija ka një prirje gjenetike për të pasur një përqendrim të lartë të imunoglobulinës E, të cilat e bëjnë fëmijën më shumë të ndjeshëm ndaj disa faktorëve të jashtëm shumë të ndjeshëm. Fillimi i shfaqjes së shenjave të dermatitit ndodh zakonisht në momentin që fëmijës i jepen ushqime shtesë veç gjirit, si qumështi i lopës dhe mjaft ushqime të tjera që akuzohen si “shpërthyese” të shenjave. Por nuk janë vetëm ushqimet ato që nxisin shfaqjen e sëmundjes, ka dhe një sërë lëndësh të tjera si sapuni, lëndë të tjera pastruese, veshjet me material akriliku, leshi, por edhe gjendjet e lëkurës si tharja e saj, djersitja, infeksionet të cilat e nxisin zhvillimin e dermatitit. Lëkura gjatë dermatit skuqet, enjtet, ka kruarje të forta, veçanërisht gjatë natës. Në fëmijë të vegjël shenjat e para nisin në faqe që fillimisht skuqen dhe më pas shfaqen shenjat e tjera. Më pas përhapen në kokë, kyçe, trup, gjymtyrë (më tepër në faqet e jashtme). Shenjë shqetësuese është kruarja tepër e fortë që e detyron fëmijën të gërvishtë lëkurën duke bërë plagë të cilat do të shërbejnë më vonë si vatra infeksioni. Sëmundja karakterizohet nga periudha acarimi dhe përmirësimi të cilat alternohen midis tyre, por acarimi i shenjave është i provokuar nga kontakti me substancë alergene. Ndërkohë që me rritjen, edhe gjendja shëndetësore e fëmijës qetësohet; por i rrituri që në fëmijërinë e tij ka kaluar dermatit atopik, është i prirur për kruarje dhe inflamacion nëse bie në kontakt me substanca ndaj të cilave është alergjik.
Masat që duhet të marrim për dermatitin atopik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nëse e përcaktojmë se cila lëndë e provokon reaksionin, duhet t’a mënjanojmë atë, por në shumicën e rasteve është shumë e vështirë. Fëmija duhet të mbahet fëmija sa më gjatë me qumësht gjiri dhe shtesat në ushqim të bëhen me kujdes. Në një numër jo të vogël fëmijësh, vihet re një prirje për reaksion (mbindjeshmëri) ndaj disa ushqimeve, mënjanimi i të cilave është shumë i vështirë sepse marrin pjesë në mjaft përgatitje ushqimore. Duhet të krijoni kushte të përshtatshme, mjedis të pastër, pa alergjene të ajrit (aeroalergene) si myku, pluhuri, kafshët shtëpiake.
Ja disa këshilla të vlefshme për nënat:
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]• Lëkura duhet të jetë e njomë. Të bëhet banja me ujë të vakët, për të paktën 20 minuta, të mos përdoret sapuni, të përdoren lyerjet me pomadë ose krem zbutës (emolient) pas banjës, peshqirët duhet të jenë të butë. Mund të përdoren dhe kompresa pambuku ose garëza me ujë të vakët disa herë në ditë.
• Veshjet të lahen me sa më pak detergjentë.
• Të mënjanojmë përdorimin e rrobave të ashpra prej leshi ose çdo materiali tjetër irritues.
• Meqënëse djersa është shkak acarimi, fëmija të vishet e të mbulohet lehtë, dhoma të mos jetë asnjëherë e mbinxehur, përkundrazi e freskët, mundësisht të përdoret një lagështues.
• Mjedisi familjar të jetë i ngrohtë, sepse shqetësimet shtojnë kruajtjen.
• Thonjtë e fëmijës duhet të priten shkurt dhe natën duhet t’i veshim doreza pambuku.
• Të bëhet kujdes me ushqimet që mund t’i nxisin mbindjeshmërinë.Edhe pse simptomat e dermatit atopik mund të jenë shumë të vështira, të pakëndshme dhe të bezdisshme, sëmundja mund të menaxhohet me sukses. Diagnostikimi në kohë dhe trajtimi konstant me një mjek dermatolog lehtëson dhe përmirëson lëkurën e fëmijës tuaj, si edhe gjendjen e tij shëndetësore.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Dr. Irena Savo, Revista Vital.