Jump to content

Dilaver Shkurti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dilaver Shkurti (Fterrë, 5 shtator 1928) ka qenë veprimtar i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe inxhinier shqiptar.

U lind në Fterrë të Kurveleshit, i biri i Hamit Shkurtit. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të fshatit. Në vitet 1941-1943 filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit. Këtu u njoh me idetë antifashiste. Mori pjesë në Grupin eduktativ të studentëve. U pranua në Organizatën e Rinisë Komuniste e Antifashiste më 1943 dhe në Partinë Komuniste në qershor 1944. Gjatë periudhës dhjetor 1943-qershor 1944 ka qenë partizan pranë Komandës së Vendit dhe Qarkut në Kuç, duke kryer detyrën e korrierit me Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër në Zagori. Në gjashtëmujorin e dytë 1944 punoi si anëtar i Komitetit të Rinisë Kurvelesh-Tepelenë. Më 1945 u caktua me punë pranë sektorit të propagandës të Komitetit Qarkor të Rinisë në Gjirokastër. Në vitet 1946-1950 vazhdoi studimet në Politeknikumin “7 nëntori”. Më 1950-1955 kreu studimet e larta në Institutin e Naftës në Moskë, të cilat i përfundoi shkëlqyeshëm, ku mori titullin “Inxhinier për shfrytëzimin e vendburimeve të Naftës e Gazit”. Pas përfundimit të studimeve emërohet dhe punon me detyrën e inxhinierit, kryeinxhinierit dhe drejtorit në Ndërmarrjen e Prodhimit të Naftës në Patos. Më 1961, për gati shtatë vjet, ka qenë kryetar i Degës së Naftës në Ministrinë e Minierave e Gjeologjisë. Në vitet 1967-1972 u emërua atashe tregtar në Kinë dhe 1977-1984 në Algjeri. Me kthimin në atdhe punoi si kryetar i Dege në në Ndërmarrjet e Tregtisë së Jashtme deri sa doli në pension. Mban dekorata e urdhëra të Luftës e të punës. Me rastin e 60-vjetorit të Luftës së Madhe Patriotike e fitores mbi nazizmin u dekorua nga Presidenti rus Putin.