Jump to content

Dinastia Song

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dinastia Songishte një dinasti perandorake kineze.

Kjo dinasti u themelua nga Zhao Kuang Yin në vitin 960 nëpërmjet grusht-shtetit në Çenqiao, i dha fund gjendjes së turbullt, kur Kina ishte ndarë në 10 shtete të pavarura, që patën 5 dinasti për një periudhë të shkurtër. Zhao Kuang Yin u shpall si perandori i parë i dinastisë Song dhe u quajt perandori Song-Taizu. Dinastia Song zgjati 319 vjet, nga viti 960 e deri në vitin 1279, kur u zhduk nga dinastia Yuan. Dinastia Song kaloi dy periudha: periudhat e dinastisë Song Verior dhe të dinastisë Song Jugor. Në të njëjtën periudhë me dinastinë Song Verior, kombësia Kitan në Kinën veriore themeloi perandorinë Liao (947-1125); kombësia Dang-xiang në veriperëndim themeloi mbretërinë Xia Perëndimore(1038-1227) ; kombësia Nyuzhen në Kinën veriore themeloi perandorinë Jin(1115-1234). Perandoria Jin rrëzoi në vitin 1125 perandorinë Liao dhe më tej, pushtoi në vitin 1127 kryeqytetin e dinastisë Song, qytetin Kaifen, ku zuri robër perandorin e vjetër Huizong dhe perandorin e ri Qinzong të dinastisë Song, duke i dhënë fund regjimit të dinastisë Song, që u quajt në historiografi si dinastia Song Verior. Zhao Gou, që u arratis në Shangqiu, u shpall si perandori Gaozong dhe më vonë shkoi në Lin-an, sot Hangzhou, ku krijoi një regjim, i cili u quajt në historiografi si “dinastia Song Jugor” dhe që u struk në jug të lumit Jance. Periudha e dinastisë Song Verior kishte qenë një periudhë e kundërvënies me regjimet Liao, Xia dhe Jin, kurse periudha e dinastisë Song Jugor u bë një periudhë e strukjes në një qoshe të vendit, një periudhë e rënies drejt vdekjes.

Dinastisë Song Verior, e cila kishte bashkuar krahinat veriore të vendit, pati një zhvillim të madh në fushat ekonomike, kulturore dhe të tregtisë së jashtme. Në vitet 40 të shekullit të 11-të, politikani Fan Zhong Yan zbatoi “politikën e re” dhe më vonë politikani Wang An Shi zbatoi reformën, si rezultat, u zgjidhën disa kontradikta shoqërore, megjithëse nuk u arrit fuqizimi i dinastisë Song Verior për një kohë të gjatë. Kryengritja e fshatarëve të udhëhequr nga Fang La dhe Song Jang goditi sundimin e errët dhe të korruptuar në periudhën e perandorit Huizong të dinastisë Song.

Regjimi i dinastisë Song Jugore, që u themelua pas zhdukjes së dinastisë Song Verior, ishte një regjim që kënaqej me strukjen në jug të lumit Jance dhe që nuk kishte ambicie për të rimarrë tokat veriore.

Në kohën e dinastisë Song Verior, Kombësia Kitan themeloi në krahinat veriore dinastinë Liao(947-1125); në pjesën veriperëndimore, kombësia Dang-xiang themeloi mbretërinë Xia Perëndimore(1038-1227). Kështu që, tre regjimet, Song, Liao dhe Xia, u kundërvunë me njëri tjetrin. Në vitin 1115, kombësia Nyuzhen themeloi në krahinat veriore perandorinë Jin(1115-1234). Në vitin 1125, perandoria Jin zhduku perandorinë Liao dhe në vitin 1127 pushtoi kryeqytetin Kaifeng të dinastisë Song, duke zënë robër perandorin Huizong dhe perandorin Qinzong. Zhao Gou u arratis në Shangqiu, ku u shpall si perandori GaoZong dhe më vonë arriti në Lin-an, sot Hangzhou, duke u strukur në një qoshe në jug të lumit Jance. Gjenerali i njohur Yue Fei bëri ekspeditë drejt veriut për të sulmuar perandorinë Jin, por sundimtarët e dinastisë Song Jugor e konsideronin atë luftë vetëm si masa për të siguruar strukjen e tyre në jug. Në vitet e fundit të dinastisë Song Jugor, korrupsioni i kryeministrit të saj Ja Si Dao përshpejtoi vdekjen e dinastisë Song Jugor.

Në kohën e dinastisë Song, ishin të dukshme veçanërisht sukseset në fushën tekniko-shkencore. U aplikuan shpikjet e mëdha, si busulli, teknika e shtypshkrimit, baruti e të tjera. Teknika e shtypshkrimit me shkronja të lëvizshme, që e shpiku Bi Sheng, ishte 400 vjet më herët se në Evropë. Su Song shpiku observatorin Shuiyun, që ishte observatori i parë astronomik në botë. Shen Kuo shkroi veprën e tij me titull “Shënime në Mengxi”, e cila zinte pozitë të lartë në historinë e teknikës dhe shkencës. Në fushën kulturore, ishte përhapur gjerësisht filozofia idealiste e shkollës konfuciste dhe kishin dalë një numër filozofësh të asaj shkolle, siç ishin Zhu Si, Lu Ju Yuan e të tjerë. Ishin përhapur gjerësisht edhe feja kineze taoizmi si dhe budizmi e fe të tjera të ardhura nga jashtë. Vepra historiografike e Ouyang Xiut me titull “Libri i ri për historinë e dinastisë Tang” pati vlerë të madhe për studimin e historisë së dinastisë Tang. Aq më tepër, vepra historiografike “Zizhi Tong-jian”, e redaktuar nga Sima Guang, u bë shembull i analeve të historisë. Në fushën letrare, kishin dalë një numër prozatorësh, si Ouyang Xiu, Su Shi e të tjerë. Gjinia e letërsisë “Poezia e Songut” ishte kulmi i letërsisë në atë periudhë dhe kishin dalë poetë të njohur si Yan Shu, Liu Yong, Zhou Bang Yan, Li Qing Zhao, Xin Çi Ji e të tjerë. Gjatë periudhave të dinastive Song dhe Jin, ishin përhapur edhe drama dhe pjesët teatrare. Në fushën e artit të pikturimit në atë periudhë, ishin shumë të njohura pikturat e maleve, ujërave, luleve dhe zogjve dhe vepra e famshme e Zhang Ze Duanit me titull “Festa Qingming buzë lumit” u bë një vepër e pavdekshme në historinë e artit figurativ kinez.