Jump to content

Ditët e Naimit (2019)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mbylli siparin Edicioni i XXIII i FNP “Ditët e Naimit”

DITËT E NAIMIT - MODEL I NDËRKOMUNIKIMIT DHE I PROMOVIMIT LETRAR E KULTUROR

Prej 17-21 tetor 2019, në Tetovë dhe në Korçë, u mbajt Edicioni i XXIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit". Në kuadër të Programit të tij u mbajtën një sërë aktivitetesh si lexime të shumta letrare, përurime librash, ndarje çmimesh letrare, vizita në objekte të ndryshme kulturore e historike në Tetovë, Ohër, në Korçë, në Pogradec etj.

Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë përmes një performance të bukur fishekzjarresh dhe prezentimit të veshjeve kombëtare ilire/shqiptare para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureatja e këtij edicioni, poetja e njohur angleze Fiona Sampson, vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri".

Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje iu dhurua antologjia e këtij edicioni dhe 10 libra të tjerë të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”.

Më pas në Sallën e Madhe u hap zyrtarisht Programi i Edicionit të 23 të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit". Hapjen e bëri drejtori i Festivalit, z. Shaip Emërllahu, i cili pasi përshëndeti të pranishmit dhe ju uroj mirëseardhje, ai në fjalën e tij theksoi se, “Letërsia dhe kultura në përgjithësi, ndër vite kanë njohur modele dhe tipe të ndryshme ndërkomunikimi. Këto nivele dialogimi, të cilat kanë qenë shumështresore, kanë bartur peshën e zhvillimit dhe afirmimit letrar e kulturor.

Kështu, një model i promovimit të diversiteteve të ndërkomunikimit letrar e kulturor është edhe ai i festivaleve ndërkombëtare. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe tani një arenë, ku bashkëbisedohet nga afër në nivel subjekti letrar dhe kulturor, në nivel prodhimi letrar, gjuhësor dhe të atij etnik. Tek ata ekzistojnë hapësira përkatëse për të ngritur urat e një bashkëpunimi ndërkulturor, për të këmbyer përvojat dhe informacionet në mes artistëve, poetëve, njerëzve të muzikës etj, por, edhe në mes të operatorëve të ndryshëm kulturor. Festivalet paraqesin shenjën e një lëvizshmërie të përbërësve të strukturës së trashëgimisë dhe të diversitetit kulturor. Ata janë një kuvend, i një ndërkomunikimi shpirtëror e frymor, i një kryqëzimi të prirjeve dhe rrezatimeve të vlerave të zhvillimit të popujve nga qytetërime të ndryshme. ’’Kultura, dihet se ndodhet në zemër të qytetërimit dhe zhvillimit njerëzor’’. Kualiteti i qytetërimit, ndikohet nga performanca e ndërtimit të një bashkëbisedimi, pra, “nga cilësia thelbësore e kuvendimit frymor dhe shpirtëror’’.’’Shpirti i një populli, thotë Boske, pasqyrohet në poezinë e tij, më mirë se, në çdo formë tjetër të artit’’. Dialogimi i eksperiencave, koncepteve e ideve letrare të popujve të ndryshëm, përmes takimeve letrare dhe kulturore të formatit të një shënjuesi kulturor e letrar, shpërfaq më së miri ngecjet dhe ecuritë përkatëse të tyre”.

Më tej ai nënvizoi se, “Një model i këtillë i ndërkomunikimit bashkëkohor letrar e kulturor është padyshim edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ’’Ditët e Naimit’’, i cili në krye të herës, e gjykoi si të domosdoshme rivendosjen e një infrastrukture moderne ndërkomunikimi me kulturën dhe letërsinë e huaj. Ky festival, ka marrë dimensionin e një institucioni të shquar kulturor, (…) aktivitet ky, ku takohen jo thjesht poetë e vendeve të ndryshme të botës, por para së gjithash, kulturat e popujve, si dëshmi komunikimi, njohjeje e stime reciproke. Ai u bë prurësi dhe përhapësi i llojit të vet të multikulturalizmit, ku kryefjala është poezia, kjo ’’formulë magjike që i lidh njerëzit dhe popujt’’.Gjithashtu

Në fillim të orës së madhe letrare ‘Globi poetik’, aktori Arsim Kaleci recitoi poezinë himn të Festivalit, “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit. Më pastaj, poetët e ardhur nga vende të ndryshme të botës, lexuan poezitë e tyre si; Antoine Simon (France), Fiona Sampson (Britani e Madhe), Tara Skurtu (SHBA), Tanya Ko Hong (Korea e Jugut/SHBA), Mohamed Rabie (Palestinë/SHBA), Manuel IRIS (Meksiko/SHBA), Aminur Rahman (Bangladesh), Maja Panajotova (Bulgari/Belgjikë), Jan Dost (Siri/Gjermani), Yoana Gruia (Spanjë), Rokiah Hashim (Malajzi), Silke BLumbach (Gjermani), Edvige Gioia (Itali), Xhuzepe Napolitano (Itali), Dorit Weisman (Izrael), Luan Bushkolaj (Holandë), Niki Papoulakou (Greqi) Josipa Gogiç (Kroaci), Abdelkarim Khalki (Tunis), Katerina Gogova (Maqedonia e Veriut), Naida Mujkiç (Bosnjë dhe Hercegovinë), Mitko Gogov (Maqedoni e Veriut), Besnik Mustafaj (Shqipëri), Arjan Kallço Shqipëri), Anton Papleka (Shqipëri), Kujtim Shala (Kosovë), Ndue Ukaj (Kosovë), Bujar Plloshtani dhe Burhanedin Xhemaili (Maqedoni e Veriut).

Ndërkaq, anëtari i Jurisë, Xhelal Zejneli, lexoi motivacionin që Juria e përbërë nga Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli (anëtarë) ia ndanë para një muaji poetes angleze Fiona Sampson, çmimin e madh letrar "Naim Frashëri". “Anëtari i Jurisë së Festivalit, profesor Xhelal Zejneli, paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”. Poetja Fiona Sampson “është shkrimtare dhe poete mjaft e njohur, që ka botuar deri më tani njëzet e shtatë libra dhe është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të ndryshme. Ajo është pranuar si anëtare e Urdhërit të Perandorisë Britanike për Shërbime ndaj Letërsisë dhe njëkohësisht, si anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë. Është profesoreshë e Poezisë në Universitetin e Roehampton-it; dhe gjithashtu një kritike, shkrimtare libretesh dhe redaktore botimesh. Ndër çmimet që ajo ka marrë deri më tani, përfshihen disa të tilla si: Njudigate Prize, Cholmondeley Auard, Hauthornden Fellouship, si dhe çmime ndërkombëtare në SHBA dhe në disa vende të tjera të botës. Poezia e Fiona Sampson, përcjell botën komplekse të njeriut të sotëm, me tërë vibracionet shpirtërore dhe relievin e botës egzistenciale të tij. Prej kësaj poezie, burojnë për te lexuesi kumte të thella, të endura këto me një gjuhë të pasur poetike, me larmi stilistike e shtresa të dendura kuptimore. Është poezi natyrale, që endet magjishëm në valëzimin e kaltër të liqeneve të dalë prej mitesh, që pastaj depërton në skutat e fshehta të botës, për të dëgjuar gjithëshka, deri edhe zërin e milingonave që nën pemë ngrenë foletë e tyre sekrete… Vlerësimi dhe vendimi i jurisë për dhënien e çmimit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”– për poeten nga Anglia, Fiona Sampson, është vlerësim për krijimtarinë e pasur dhe të çmuar të saj, si dhe shprehje e vlerësimit të lartë për gjuhën e bekuar të poezisë, e cila, me magjinë e artit të saj, ka aftësinë që që t`i kapërcejë kufijtë gjuhësorë dhe regjionalë dhe të kthehet në një pasuri shpirtërore për njerëzit, kudo në botë”.Më pas Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi çmimin e madh ‘Naim Frashëri’, i cili jepet për “Vlera të larta estetike dhe artistike”, si dhe ia dorëzoi titullin Anëtar Nderi të Festivalit, poetes së njohur angleze Fiona Sampson.

Me këtët rast, laureatja Sampson, falenderoi organizatorët dhe Jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit.

Titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Fatos Arapi (Shqipëri), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Ali Podrimja Kosovë), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali), Kuei shien Lee (Taivan), Xhorxh Uallas (SHBA) etj .

Gjithashtu, Drejtoria e Festivalit në këtë edicon ia akordoi titullin Anëtar Nderi që jepet për karierë letrare, intelektualit dhe poetit Besnik Mustafaj

Gjithashtu, në këtë natë magjike të poezisë, poetes boshnjake Naida Mujkiç, iu nda çmimi letrar "Silke/Liria", që jepet “Për shprehjen poetike”. Ky çmim ka qenë ngritur para pesë vitesh në mbështetje të perpjekjeve të betejës së poetes gjermane Silke Liria Blumbash për të mundur sëmundjen e rëndë të kancerit. Sot, ajo ka tejkaluar këtë sëmundje dhe Drejtoria ka vendosur që ta tërheqë këtë çmim. Para disa kohësh poeti Shaip Emërllahu u laurua me çmimin e madh të Festivalit të Bangladeshit. Ai, për çështje materiale nuk arriti të shkoj që ta marrë. Drejtori i këtij Festivali e kishte sjellë me veti dhe ja dorëzoi në skenën e Tetovës.

Në ditën e dytë të Programit, në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës u bë përurimi i 10 titujve të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”. Kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti në fjlalën e tij pasi përshëndeti poetët e Festivalit theksoi se Komuna e Tetovës gjithmonë e ka mbështetur kulturën dhe Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen që ta mbështesë. Librat e botuar, që u përuruan janë ato të laureatëve të Festivalit, poetit francez me origjinë bullgare, Athanase Vantchev de Thracy: ”Hapni dritaren”, poetes polake Eva Lipska: “Mësohu me vdekjen” dhe e poetit shqiptar Basri Çapriqi: “Perëndim dielli”, pastaj e poetëve të vlerësuar nga ana e e Festivalit si, poetit italian Xhuzepe Napolitano: “10 vjet në Tetovë”, e poetes malajziane Siti Rokiah Hashim: “Rëra e Sri Lavender” e poetit shiqptar Besnik Mustafaj: “Në kërkim të gjuhës”, e Kujtim Shalës “Lethe”, Ekrem Ajruli “Më josh jermia”, si dhe Antologjia e Edicionit të XXIII të Festivalit, "Pema e hijes" dhe Antologjia e poezisë bashkëkohore maqedone, të cilat i përgatiti Shaip Emërllahu. Për këto libra folën poetët dhe studjuesit Besnik Mustafaj, Arjan Kallço, Ndue Ukaj, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu, Bujar Plloshtani etj. Kryetarja e Komunës së Tetovës, poetit të njohur Italian Xhuzepe Napolitano i ndau Mirënjohjen "për kontributin e tij të madh në afirmimin e kultures, letërsisë dhe të qytetit të Tetovës". Mirënjohjen ia dorëzoi në emër të krytares, poeti Bardhyl Zaimi. Napolitane ka shkruar tre libra me ditare lirike për Tetovën dhe Festivalin "Ditëte Naimit", si dhe ka përkthyer e botuar në Itali një numër autorësh shqiptarë.

Pasdite poetët vizituan vendet kulturore dhe historike të qytetit të Tetovës. Ndërkaq, në mbrëmje në teqenë Arabati Baba u mbajt ora letrare "Poetë dhe vargje".

Të shtunën, poetët u nisën për në Korçë dhe rrugës vizituan qytetin e Ohrit. Në qytetin e Korçës u mbajt pjesa e dytë Programit të Festivalit në bashkorganizim me Bashkinë e Korçës.

Programi i Edicionit të 23-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u mbyll me orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’, e cila u mbajt në muzeun “Bratko” në Korçë, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe ku u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit. Këtë mbrëmje e hapi kordinatorja e Programit për Korçë, Jorida Dhëmbi, ndërsa një fjalë përshëndetëse mbajti edhe nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Torrova.

Çmimi që jepet për karrierë letrare ‘Ditët e Naimit’, iu nda poetit palestinez, Mohamed Rabie.

Çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetit, Aminur Rahman.

Çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik ‘Oaeneumi’ e mori poeti francez, Antoine Simon.

Çmimin letrar ‘Qiriu i Naimit’ për poezinë më të mirë iu dha poetit maqedon, Mitko Gogov.

Në ditën e katërt poetët pjesëmarrës në Korçë vizituan, shtëpinë muze të Shkollës së Parë Shqipe, muzeun Gjin Milli, Drilonin, shtatoren e poetëve Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli... Në mbrëmje, ata me autobus u kthyen në Tetovë.

Poezitë në gjuhën shqipe i lexoi aktori Arsim Kaleci, kurse me piano i shoqëroi pianistja Biondina Selami. Festivalin e moderoi Narta Emërllahu.

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Komuna e Tetovës, Bashkia e Korçës dhe sponzorët, JU-SM", “Arbi”, “Parajsa e Sharrit” dhe “Kurtishi”. Ai u ndihmua edhe nga Qendra për Kulturë, si dhe “Karnevalet Ilire”.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]