Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1912-1913

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1912-1913 me Autor Muhamet Shatri. Botuar nga Shtëpia Botuese "Toena" Tiranë, 2012. Faqet e librit 676.

Dokumentet që po shohin dritën e botimit në këtë përmbledhje janë fryt i një pune sistematike hulumtuese-kërkimore dhe redaktuese të gjatë, që, me ndërprerje të vogla, ka zgjatur rreth pesë vjet. Problem më vete ka qenë sigurimi dhe plotësimi i dokumenteve, si dhe sistemimi i tyre në një tërësi të vetme, duke respektuar gjithnjë kriterin kronologjik.

Po kështu, një kohë të ndjeshme ka marrë edhe kërkimi i të dhënave për shpjegimet në tekst, të cilat i kam konsideruar të nevojshme për të përgatitur një përmbledhje dokumentesh sa më të vlefshme për studiuesit e specializuar të historisë diplomatike, por edhe për një spektër më të gjerë lexuesish.

Dokumentet britanike që botohen në këtë vëllim janë ballafaquar me dokumentet përkatëse të përmbledhjeve seriale me dokumentet diplomatike franceze, austro-hungareze, gjermane, si edhe me studimet monografike dhe kujtimet e aktorëve kryesorë të ngjarjeve të kohës, të pajisur me anekse dokumentare. Dokumentet e kësaj përmbledhjeje kanë ruajtur formën dhe orgjinalitetin e tyre burimor.

Është parë e arsyeshme që të bëhen ndërhyrje të vogla vetëm në rastet kur ka qenë e domosdoshme, si dhe janë bërë shkurtime të tekstit në pjesën kur ai nuk ka pasur të bëjë fare me çështjen shqiptare. shkurtimet i kemi shënuar me tri pika të vëna brenda kllapash.