Jump to content

Dorët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Dorianët)

Dorët (greqisht:Δωριεῖς, Dōrieîs) ishin një nga katër grupet kryesore etnike në të cilat ndaheshin helenët (ose grekët) e Greqisë klasike (së bashku me eolët, akeanët dhe ionianët) .[1] Ata përmenden për herë të parë si "Dorianë", në veprën Odisea të Homerit, si banorë të ishullit të Kretës [2] që në kohën e luftës së Trojës.

Dialektet e lashta greke

Disa autorë antikë i konsiderojnë Dorët të ardhur nga veriu i Greqisë, ndoshta Maqedonia apo Epiri (zona folëse dorike), të tjerë me fjalën "veri" nënkuptojnë Thesalinë, e cila ndodhet në Greqinë Veriore. I vetmi autor modern që thotë se Dorët rrjedhin nga tokat epirote që prekin edhe ato ilire është historiani gjerman Karl Otfried Muller, mirëpo ai thotë se ata ishin grekë të pastër dhe në kohën që ata banonin në vendin që do quhej ILIRIA, ilirët nuk banonin aty, por erdhën 100 vjet më vonë.[3]

Herodoti që mbahet si babai i historisë shprehet qartë mbi përkatësinë greke të dorëve, ai thotë fjalë për fjalë: “Më të rëndësishmit ndër helenët (grekët) janë athinasit dhe spartanët, të parët vijnë nga fisi jonik, të dytët nga fisit dorik, jonianët janë me origjinë pellazge, ndërsa dorët me origjinë helene”.[4]

Ai tregon më tej që dorët rrjedhin nga personazhi mitik me emrin Doros, i cili ishte biri i Helenit dhe gruas së tij nimfës Phthias, ndërsa Apollodoros thotë se ky ishte djalë i Apollonit. Jo më kot Dorët kishin Apollonin si perëndinë kryesore dhe ishin pikërisht ata që themeluan tempullin dhe orakullin e Apollonit në Delfi. Thuhet se ata fillimisht janë vendosur dikur afër Delfit në një vend të quajtur Doris. Emri Doros në greqisht ka kuptimin dhuratë.

Herodoti në veprën e tij “Historitë" I,56, thotë:

“Helenët ishin një racë që lëviznin shumë. Kur mbreti i tyre ishte Deukalioni, ata jetonin në Fthia (Thesali), por në kohën e Dorit, birit të Helenit, ata banonin në rajonin e maleve Ossa dhe të Olimpit, që quhej Histiaia. Pastaj u dëbuan andej nga kadmianët, u vendosën në malin e Pindit dhe u quajtën Makednë. Më pas u shpërngulën në Driopidë (Dryopis), dhe prej Driopidës më në fund mbërritën në Peloponez dhe u bënë të njohur si Dorianë.”[5]

tjetër i madh grek, Tukididi, i konsideron Dorët si Heraklidë, pra pasardhës të Heraklesit (i njohur nga romakët si Herkuli), dhe një nga historitë kryesore antike greke që tregohet për dorët është miti i ‘Kthimit të Heraklidëve’. Kjo histori përmendet nga Herodoti, por burimi më i vjetër i mbijetuar që përmend këtë mit është poeti lirik i lashtë spartan Tyrtaios, i cili ka jetuar rreth vitit 650 pr.e.s.[6]

Miti thotë se Heraklesi ishte trashëgimtari i ligjshëm i fronit të mbretërisë së Tirynsit, e cila sundonte rajonin e quajtur Argolis në Peloponez. Megjithatë, perëndesha Hera siguroi që froni t'i kalonte kushëririt të Heraklesit, Euristeut. Pasi Heraklesi vdiq, Euristeu i detyroi pasardhësit e tij - të cilët njihen si Heraklidë - të iknin nga Peloponezi.

Heraklidët gjetën strehim në fshatin Trikorythos në Atikë. Kur Euristeu u përpoq të sulmonte Trikorythosin, Herakleidët dhe athinasit mundën ushtrinë e tij dhe vetë Euristeu vdiq në betejë. Heraklidët më pas u përpoqen të ktheheshin në Peloponez për të rimarrë territoret dhe zotërimet e tyre të ligjshme, por, pas vdekjes së Euristeut, Atreusi kishte pretenduar titullin e mbretit të Mikenës. Ai u përball me Heraklidët me ushtritë e tij në istmusin e Korinthit.

Për të parandaluar luftën e drejtpërdrejtë, Heraklidët ranë dakord të zhvillojnë një dyluftim të vetëm midis udhëheqësit të tyre, Hyllosit (bir i Heraklesit), dhe Ekhemosit, mbretit të Tegeas. Ekhemosi vrau Hyllosin dhe, si rezultat, Heraklidët e mbetur premtuan se nuk do të ktheheshin në Peloponez as për pesëdhjetë, as për njëqind vjet (në varësi të versionit të historisë). Heraklidët u vendosën për një kohë të gjatë në rajonin e quajtur Hestiaiotis në Thesali, në Greqinë veriore. Poema e Tyrtaios duket se më konkretisht thotë se ata u vendosën në një vend të quajtur Erineos.

Kur koha e mërgimit të Heraklidëve mori fund, pasardhësit e brezit të tretë të atyre që kishin marrë pjesë në pushtimin e dështuar të udhëhequr nga Hyllosi u kthyen në Peloponez dhe e pushtuan atë, duke i ndarë tokat e Peloponezit midis tyre. Pausanias dhe Herodoti të dy rrëfejnë legjendën se akeasit u detyruan të largoheshin nga atdheu i tyre nga Dorët, gjatë pushtimit legjendar Dorian të Peloponezit. Më pas ata u zhvendosën në rajonin e quajtur më vonë Akhaea.

Sipas kësaj llogaritjeje, dorët u kthyen rreth 100 vjet pas luftës së Trojes në atdheun e tyre fillestar, diku rreth shekullit XI pr.e.s, që studiuesit e shekullit 18-19 e kanë përshkruar gabimisht si ‘pushtimi dorian’, në vend të ‘rikthimi dorian’. Ata u dynden atje duke ngushtuar territoret e akeasve ku këta të fundit më pas shfaqen vetëm në Peloponezin verior. Pra ardhja e dorëve nga veriu nuk duhet interpretuar si të ardhur nga Epiri apo Maqedonia, por nga Thesalia siç pranojnë shumica e historianëve. Në Maqedoni dorët thuhet se kanë vajtur rreth shekullit VIII pr.e.s, dhe aty themeluan mbretërinë e parë e cila vinte nga Argosi, prandaj dhe dinastia e Aleksandrit të Madh e quante veten dinastia Argoide, apo Heraklide. Vetë Aleksandri mbante helmetë me figurën e luanit njësoj si Heraklesi.

Ndërsa, Herodoti thotë se Dorët ishin fillimisht një grup etnik në rajonin e Phthias (nga ku kishte vendlindjen edhe Akili) në Thesali. Vetë emri Phthia rrjedh nga e ëma e Dorosit. Platoni, nga ana tjetër, bën të duket sikur Dorët ishin në të vërtetë ushtarë nga qytete të ndryshme, kryesisht në Greqinë jugore, të cilët luftuan në Trojë dhe, kur u kthyen në shtëpi, zbuluan se nuk ishin të mirëpritur nga njerëzit e rinj që gjetën aty, dhe më pas u larguan prej aty duke marrë një emër tjetër ‘dorianë’.

Karl Beloch (historian gjerman i periudhës klasike) sugjeron se nuk ka pasur pushtim dorian, por përkundrazi Dorët e Peloponezit ishin Akeasit.[7]

Që dorët kanë qenë të hershëm në Greqi (në Kretë), e jo me origjinë nga veriu, kjo konfirmohet edhe në veprën Odiseja të Homerit. Kënga XIX, vargu 226, thuhet:

“Në mes të detit të errët është Kreta, një tokë e pasur, e bukur, e rrethuar me ujë, shumë e populluar, ka nja nëntëdhjetë qytete. Nuk flasin të gjithë njësoj, por gjuhët janë të përziera. Aty banojnë akeasit, kretanët vendas zemërgjerë, kidonët, dorët me xhufka të harkuara, dhe pellazgët hyjnorë. Në mes tyre ngrihet qyteti madhështor i Knosit..".[8] Përshkrimi i përket kohës së luftës së Trojës, pra shekulli XII pr.e.s.

Megjithatë historia e një migrimi masiv të Dorëve në Greqi nuk është vërtetuar kurrë dhe origjina e dorëve mbetet e panjohur. Dëshmi të forta arkeologjike të një pushtimi të tillë nuk janë vërtetuar.

Sipas studiuesit gjerman Paul Kretschmer, historian dhe ekspert i gjuhëve të vjetra, fiset jonike greke kanë ardhur në Greqi diku rreth vitit 2000 pr.e.s, akeasit diku rreth vitit 1600 pr.e.s, ndërsa dorët rreth vitit 1200 pr.e.s. Sipas tij, me kalimin e kohës, Greqia u bë sa më shumë helenike dhe sa më pak pellazgjike. Ai thotë se pellazgët nuk kishin gjuhë indoeuropiane [9], si grekët dhe shqiptarët.

Në kohën e të dhënave tona më të hershme të shkruara, kishte disa dialekte të ndryshme të gjuhës greke që fliteshin në të gjithë Greqinë. Në Peloponezin jugor dhe perëndimor - rajoni i Greqisë ku ishin vendosur shumë nga qytetet më të rëndësishme mikene - njerëzit flisnin dialektin dorik, i cili lidhet ngusht me dialektet e greqishtes që fliteshin në Greqinë veriperëndimore. Një emër njeriu në formën Dorieus e gjejmë në shkrimin më të vjetër grek, linear B. Kemi dhe fjalë të tjera të dielektit dorik të gjetur në këtë shkrim, si fjala damos (popull), për shembull.

Ndërkohë, njerëzit në rajonin e Akaisë në Peloponezin verior flisnin dialektin akaian, i cili ishte i ngjashëm me dialektin dorik. Njerëzit në pjesën më të madhe të ishujve të Egjeut dhe përgjatë pjesës më të madhe të bregut perëndimor të Azisë së Vogël në jug të Smirnës flisnin dialektin jonik, i cili ishte dukshëm i ndryshëm nga dialekti dorik në shumë mënyra. Njerëzit në rajonin e Atikes rreth Athinës flisnin dialektin atik, i cili lidhet ngusht me dialektin jonik.


Referimet

  1. ^ Apollodorus. Library I,7.3 (në anglisht).
  2. ^ Homer. Odyssey, book XIX, line 177 (në anglisht).
  3. ^ Müller, Karl Otfried. The History and Antiquities of the Doric Race, Vol. 1 of 2 by (në anglisht).
  4. ^ Herodoti. Historitë.
  5. ^ Herodoti. "Historitë, 1.56". Perseus (në anglisht).
  6. ^ Tukididi. Lufta e Peloponezit (në greqisht).
  7. ^ Beloch, Karl Julius (1912). Griechische Geschichte (në gjermanisht).
  8. ^ Homeri. Odisea, Libri XIX (rreshti 177).
  9. ^ Kretschmer, Paul (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache (në gjermanisht).