Jump to content

Ratkoci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Drinas (Rahovec))
Fshati Ratkoc
Ratkoc
Fshat

Ratkoci është fshat në komunën e Rahovecit, të regjionit të Gjakovës. Fshati Ratkoc, shtrihet në bregun e majtë të Drinit të Bardhë, rreth 17 km në perëndim të Rahovecit. Është vendbanim fushor i tipit të grumbulluar. Lartësia mbidetare: 340 m. sipërfaqja: 11.3 km2

Fshati Ratkoc ka klimë mesatarisht të mirë, me 700-800 mm reshje në vit. Ky fshat ka një infrastrukturë të mirë rrugore. Nëpër Ratkoc kalon lumi Drini i Bardhë.

Fshati Ratkoc ka rreth mbi 7 mijë banorë dhe mbi 800 shtëpi.Mbi 95% e fshatit i përkasin popullsisë shumicë shqiptare, ndërsa 5% komunitetit RAE. Sa i perket mbiemrave topografikë(që i referohet prejardhjes sipas mbiemrit të tyre), kryesisht dominojnë mbiemrat si; Hoti, Morina, Krasniqi,Berisha, Kastrati etj. Fshati Ratkoc pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999 , llogaritet si fshati më i madh ne komunen e Rahovecit. Gjatë kohës së sistemit të regjimit komunist-socialist Jugosllav, emri i fshatit ka qenë i regjistruar si Ratkovc (Ratkovac), prej vitit 2000 pas disa tentimeve që ti ndryshohet emri ne Drinas, nuk u lejua nga UNMIK-u, ashtu që mbetet i regjistruar si fshati Ratkoc, pas redaktimit të emrit.

Në 10 vitet e fundit vërehet ulje e shtimit të popullsisë së fshatit, kryesisht për shkak të ndryshimeve socio-ekonomike dhe migrimit në vendet perendimore të popullsisë, sidomos të rinjëve.

Fshati Ratkoc është kryesisht regjion bujqësor,i cili njihet për prodhimin e produkteve bujqësore.

Fshati Ratkoc është vendbanim i lashtë antik dardan. Në pjesën veriore të fshatit, në vendin Nërkisha, janë gjetur mbeturina të kulturës materiale. Po ashtu në vendin Kisha, në veri të fshatit, në një kodër janë gjetur disa gur të mëdhenj, pranë tyre varreza të moçme, të mbuluara me zallë të lumit Dri. Ndoshta janë tuma ilire. Nuk janë bërë gjurmime arkeologjike. Edhe në vendin Shpatëza, në jugperëndim të fshatit, janë gjetur gur të mullinjve, mbeturina të qeramikës, tulla, tjegulla etj. Në dokumentet e shkruara, përkatësisht në Defterin kadastral të Vilajetit Vellk të vitit 1455, ku i takonte nahijes së Dollcit, ishte regjistruar me emrin Ratkovica me 27 shtëpi. Në defterin e dytë kadastral të vitit 1477 është regjistruar me emrin Ratkofci me 19 shtëpi dhe 2 beqarë. Në defterin e tretë kadastral të vitit 1478, ky vendbanim quhet me emrin Radkofci dhe kishte 21 shtëpi e 6 beqarë. Pastaj me emrin Ratkofc në kuadrin e Nahijes së Hoçës përmendet në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591 dhe kishte 39 shtëpi e bashtina, 7 beqarë e 3 qifte. Me emrin Rikofc është regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893-1896 dhe të vitit 1900. Në vitin 1936-1937 u kolonizuan 21 familje malazeze e serbe nga Mali i Zi (4 familje), nga Bosna e Hercegovina (3 familje) dhe optante sllave, nga Shqipëria (114 familje). Ndërsa sipas dokumentit arkivor në lokalitetin Ratkoci-Vranjaku-Nushpala u kolonizuan 24 familje me 116 anëtarë. Shënimet statistikore: Në vitin 1879 kishte 40 shtëpi (34 shqiptare e 4 rome); në regjistrimin e vitit 1913 – 592 banorë; në vitin 1919 – 50 shtëpi shqiptare me 500 anëtarë; sipas regjistrit të vitit 1921 – 76 shtëpi me 654 banorë; në vitin 1948 -150 shtëpi me 1.224 banorë; në vitin 1953 – 164 shtëpi me 1350 banorë; në vitin 1961 – 227 shtëpi me 1673 banorë (1.453 shqiptarë, 28 serbë, 182 malazezë, 10 të tjerë); në vitin 1971 – 240 shtëpi me 2.075 banorë (1.957 shqiptarë, 8 serbë, 108 malazezë, 2 të tjerë); në vitin 1981 – 250 shtëpi me 2.730 banorë (2.708 banorë shqiptarë, 22 malazezë). Sipas regjistrimit serb të vitit 1991 ishin të regjistruar 10 banorë serbë. Popullata shqiptare e kishte bojkotuar regjistrimin. Sipas vlerësimeve, në vitin 1991, Ratkoci kishte 3.549 banorë. Para agresionit serb në vitin 1998/99, ky vendbanim kishte rreth 400 shtëpi me 4.040 banorë shqiptarë. Nga agresori serb gjatë luftës së fundit për Çlirim, janë djegur rreth 90% të shtëpive. Vetëm 40 shtëpi kanë shpëtuar pa u djegur. Janë djegur edhe ambulanca dhe shtëpia e kulturës së fshatit. Janë grasatuar xhamia e fshatit (e ndërtuar në vitin 1870), ndërsa shkolla është demoluar.

Kultura dhe Arsimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fshatin Ratkoc gjenden institucionet arsimore SHFMU "Katër Dëshmorët" dhe SHML "12 Maji", si dhe Shtëpia e Kulturës.