Emil Zatopek
Emil Zátopek (19 shtator 1922 - 22 nëntor 2000) ishte një vrapues çekosllovak, i njohur më së shumti për tri medalje të arta të fituara në Olimpiadën Verore të vitit 1952 në Helsinki. Fitoi medaljen e artë në 5.000 metra dhe 10.000 metra, por medalja e tij përfundimtare erdhi kur në momentin e fundit vendosi të garonte në maratonën e parë të jetës së tij. Ai u quajt "lokomotiva çeke". Në vitin 1954, Zátopek ishte vrapuesi i parë që theu rekordin 29 minutash në 10.000 metra. Tri vite më parë, në vitin 1951, kishte thyer rekordin një orësh për vrapim 20 km. Ai ishte një nga vrapuesit më të mëdhenj të shekullit të 20-të dhe ishte gjithashtu i njohur për metodat e tij të trajnimit brutalisht të vështira. Ishte krijuesi i trajnimit të intervalit dhe trajnimit të hipoventilimit. Në shkurt të vitit 2013, redaktorët në Runner's World Magazine e zgjodhën atë si vrapuesin më të madh të të gjitha kohërave. Ai është i vetmi person që fitoi 5.000 metra, 10.000 metra dhe maratonën në Olimpiadën e njëjtë.
Vitet e hershme
Zátopek ishte fëmija i shtatë në një familje modeste. Në moshën 16 vjeçare, filloi të punonte në fabrikën e këpucëve Baťa në Zlín. Zátopek thoshte: "Një ditë, trajneri i sportit të fabrikës, i cili ishte shumë i rreptë, zgjodhi katër djem, duke përfshirë edhe mua, dhe na urdhëroi që të garonim në një garë. Unë protestova se isha i dobët dhe nuk isha i aftë për të marrë pjesë, por trajneri më dërgoi për një ekzaminim fizik, dhe mjeku tha se isha krejtësisht mirë, kështu që më duhej të vrapoja dhe kur fillova, ndjeva se doja të fitoja, por dola i dyti. Kështu gjithçka filloi." Zátopek doli i dyti nga 100 garues. Pas kësaj, ai filloi të interesohej më seriozisht për vrapim. U bashkua me klubin lokal të atletikës, ku zhvilloi programin e tij të trajnimit, modeluar në atë që kishte lexuar në lidhje me olimpikun e madh finlandez Paavo Nurmi. Vetëm katër vite më vonë, në vitin 1944, Zátopek theu rekordet e Çekosllovakisë për 2.000, 3.000 dhe 5.000 metra. Në fund të luftës, u bashkua me Ushtrinë Çekosllovake, ku iu dha gradualisht më shumë kohë për regjimin e tij të stërholluar të stërvitjes.
Garat
Zátopek u përzgjodh për ekipin kombëtar të Çekosllovakisë për Kampionatin Europian të vitit 1946 në Oslo dhe përfundoi i pesti në 5.000 m në 14:25.8, duke thyer rekordin çekosllovak 14:50.2. Në Olimpiadën Verore të 1948-s në Londër, Zátopek fitoi në 10.000 m dhe përfundoi i dyti pas Gaston Reiff nga Belgjika në 5.000 m. Vitin pasues Zátopek theu rekordin botëror në 10.000 m dy herë, dhe vazhdoi të përmirësojë rekordin e tij tri herë gjatë katër sezoneve të ardhshme. Ai gjithashtu vendosi rekorde në 5.000 m (1954), 20.000 m (dy herë në 1951), një orë vrapim (dy herë në 1951), 25.000 m (1952 dhe 1955) dhe 30.000 m (1952). Ai fitoi në 5.000 m dhe 10,000 m në Kampionatin Europian 1950 dhe 10.000 m në Kampionatin e ardhshëm Evropian, para Jozsef Kovacs dhe Frank Sando. Në Olimpiadën Verore të vitit 1952 në Helsinki, Zátopek fitoi medaljen e artë në 5.000 m, 10.000 m dhe maratonë, duke thyer rekordet olimpike në çdo disiplinë. Zátopek është personi i vetëm që fitoi këto tri disiplina në distancë të largët në të njëjtat lojëra olimpike. Fitorja e tij në 5.000 m erdhi pas një xhiroje të egër të fundit në 57,5 sekonda, gjatë së cilës ai shkoi nga vendi i katërt në të parin në finale, duke kaluar së pari Alain Mimoun nga Franca, pastaj Herbert Schade nga Gjermania Perëndimore dhe në fund Chris Chataway nga Britania e Madhe. Medalja e fundit e Zátopek-ut erdhi kur në momentin e fundit vendosi të garonte në maratonë për herë të parë në jetën e tij. Strategjia e tij për maratonën ishte e thjeshtë. Garoi së bashku me Jim Peters-in, mbajtësin botëror të rekordeve britanike. Zátopek fitoi garën dhe vendosi një rekord olimpik. Zátopek u përpoq të mbrojë medaljen e artë të maratonës së vitit 1956, megjithatë ai pësoi një lëndim të rëndë gjatë trajnimit dhe u shtrua në spital për gjashtë javë. Ai rifilloi trajnimin një ditë pas largimit nga spitali, por kurrë nuk e rimori formën e tij. Ai përfundoi i gjashti në maratonën që u fitua nga rivali i tij i vjetër dhe miku Alain Mimoun. Zátopek u tërhoq nga garat në vitin 1957. Stili i vrapimit të Zátopek-ut ishte i veçantë dhe shumë në kundërshtim me atë që konsiderohej si stil efikas në atë kohë. Koka e tij shpesh rrokullisej, fytyra i shtrembërohej nga mundimi, ndërsa trupi i tij luhatej nga njëra anë në tjetrën. Ai shfrynte në mënyrë të zhurmshme gjatë kohës që vraponte, gjë që i dha atij pseudonimet e "Emili i tmerrshëm" ose "Lokomotiva Çeke". Kur e pyetën për shprehjet e tij të fytyrës, Zátopek iu përgjigj: "Nuk është gjimnastikë apo patinazh artistik, ju e dini". Përveç kësaj, ai stërvitej në çdo mot, duke përfshirë edhe borën, dhe shpesh mbathte çizme të rënda të punës, në vend të këpucëve të veçanta të vrapimit. Ai ishte gjithmonë i gatshëm t´u jepte këshilla vrapuesve të tjerë. Për shembull, për të qenë të qetë gjatë vrapimit, u këshillonte të bashkonin majën e gishtit të madh me majën e gishtit tregues apo të mesëm. Vetëm në këtë mënyrë krahët dhe shpatullat mbeteshin të relaksuara.
Jeta personale
Gruaja e tij Dana Zátopková (e lindur në të njëjtën ditë dhe vit si burri i saj) fitoi një medalje të artë në hedhjen e shtizës në Lojërat Olimpike të 1952, vetëm pak çaste pas fitores së Emilit në 5.000 m. Përfundoi e dyta në Olimpiadën e vitit 1960. Zátopek ishte i njohur për personalitetin e tij miqësor dhe të shoqërueshëm dhe për aftësinë e tij për të folur gjashtë gjuhë. Ai u vizitua rregullisht në shtëpinë e tij në Pragë nga atletët ndërkombëtarë që kishte takuar nëpër gara. Një hero në vendin e tij të lindjes, Zátopek ishte një figurë me ndikim në Partinë Komuniste. Megjithatë, mbështeti krahun demokratik të partisë dhe pas Pranverës së Pragës më 1968, ai u hoq nga radhët e saj dhe u dëbua nga ushtria. U largua nga të gjitha pozitat e rëndësishme dhe u detyrua të punonte në një minierë uraniumi. Më 9 mars 1990, Zátopek u rehabilitua nga Václav Havel. Zátopek vdiq në Pragë më 22 nëntor 2000 në moshën 78 vjeç, nga ndërlikimet e një sulmi në tru. Funerali i tij në Teatrin Kombëtar të Pragës ishte i mbushur me figura drejtuese nga bota sportive dhe ndërkombëtare. Ai u shpërblye me çmimin Pierre de Coubertin në vitin 1975. Në vitin 2012, u emërua midis dymbëdhjetë atletëve të parë që do të futeshin në Hall of Fame të IAAF. Një statujë prej bronzi me madhësinë e trupit të njeriut kushtuar Zátopekut u zbulua në Stadiumin e Rinisë në Zlín në shtator të vitit 2014.