Jump to content

Enkelej

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

“Në këtë kala, që daton diku në shekujt e V-të dhe të IV-t para Erës sonë, ka rrënjët një nga qytetet më të bukura në Shqipëri: Pogradeci, apo Enkelana, qyteti i lashtë ilir, siç e kanë identifikuar arkeologë dhe studiues”.

Liqeni Lyhnid, siç quhej në lashtësi liqeni i Ohrit, mbante në rrethinat e tij shumë qytete antike ilire. Lynkestët, Enkelejtë, Dasaretët do të ishin zotërit vendas të këtyre qytetërimeve.

Historianët antikë, mes të cilëve edhe Polibi, përmendin Bojojën, Sationën, Kerakën, Lyhnidin e Enkelanën. Kjo e fundit ishte kryeqendra e Enkelejve, që njihen më së shumti gjatë mbretërimit të Mbretit ilir Bardhyl, e më pas djalit të tij, Klitit. Arkeologu i mirënjohur, Skënder Anamali, e identifikoi në këto anë qytetin e Enkelanës, edhe pse sot asgjë nuk tregon vlerën e vërtetë të këtij vendi.

Mbreti i madh i Enkelejve, Bardhyli, gjatë fillimit të shekullit të IV-t para Erës sonë mundi të krijonte një perandori të fuqishme, duke thyer shumë mbretër maqedonas e duke i detyruar t’i paguanin edhe haraçe, filluar nga Mbreti Amynta, Aleksandri i dytë, dhe Perdika i tretë. Të gjithë u thyen nga Bardhyli. Pas një periudhe të gjatë me dominim total, në mesin e shekullit të IV-t para Erës sonë, Bardhyli 90-vjeçar do të përplasej në një betejë të ashpër me Filipin e dytë të Maqedonisë. Edhe pse ky i fundit mundi të fitonte, pësoi aq shumë humbje, sa e pati të pamundur të ndiqte kundërshtarët ilirë.

Perandoria e Enkelejve ra pas vdekjes së Bardhylit, por ajo mundi të rimëkëmbej disi nga djali i tij, Kliti. Pas rënies edhe të këtij të fundit, Mbretëria e Enkelejve e humbi rëndësinë, por nuk u shua. Në këto vise do të dukej fisi tjetër ilir i Dasaretëve. Këta të fundit mendohet se i dhanë përforcime të reja kalasë së Enkelanës, e cila ka të dhëna se është restauruar edhe gjatë periudhës së dyndjeve barbare në shekullin e IV-t, edhe para dyndjeve sllave të fundit të shekullit të VI e atë të VII.

Qyteti, që deri në atë kohë ishte i vendosur në kala, nisi të zhvendosej nëpër kodra, e në shekujt në vazhdim do të zbriste poshtë, në rrëzë të kalasë, ku ngadalë do të merrte formë, përmes një toponimi sllav, Pogba Grada, që do të thoshte nënqytet. Pra, qyteti i ri ngrihej nën këmbët e qytetit të vjetër të Enkelanës