Ester Ledecká

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ester Ledecká është sportiste çeke në disiplinat e borës (gara me snoubord dhe skijim alpin). Lindi më 23 mars 1995 në Pragë. Babai i saj është Janek Ledecký, këngëtar dhe kompozitor i njohur çek. Gjatë fëmijërisë, Ester Ledecká nuk ndoqi asnjë shkollë fillore, por prindërit e saj përdorën sistemin e arsimimit në shtëpi. Provimet e maturës i bëri me sukses në Akademinë bankare në Pragë dhe sot vazhdon me studimet në Universitetin e Financave dhe Administratës.

Sporti i parë, me të cilin ajo u mor, është snoubordi. Karriera e saj në nivelin profesional filloi në vitin 2011, kur për herë të parë mori pjesë në Kampionatin Botëror të snoubordit në La Molina të Spanjës. Që nga fillimi i karrierës përqendrohet në dy disiplina: sllallom të madh paralel e sllallom paralel. Medaljen e parë të artë në Kampionatin Botëror në disiplinën e sllallomit paralel e fitoi në Kreischberg 2015 (Austri). Në sllallomin e madh paralel u vendos në vendin e pestë, megjithatë një vit më vonë fitoi edhe të artën nga kjo disiplinë në Sierra Nevada të Spanjës.

Në sportin e dytë, skijim alpin, filloi të marrë pjesë në garat prej vitit 2015. Në Kampionatin Botëror të këtij sporti u shfaq për herë të parë dy vite më pas, kur zuri vendin e njëzetë në disiplinën e kombinimit (lëshim i shpejtë “Downhill” bashkë me sllallom). Veç kësaj mori pjesë në disiplinat: sllallom, sllallom të madh dhe super-G.

Lojërat Olimpike Dimërore në Pjon Çeng 2018 janë deri tani suksesi më i madh i karrierës së Ester Ledeckës. Së pari, krejtësisht papritur, fitoi medaljen e artë në skijim alpin në disiplinë super-G, kur mposhti Anna Veithin nga Austria vetëm për një të njëqindtën e sekondës. Me këtë fitore të bujshme u bë medalistja e artë e parë çeke në skijim alpin. Por ngjarja kryesore ndodhi një javë më pas, kur të artës nga super-G i shtoi të artën nga sllallomi i madh paralel në snoubord. Me këtë, Ester Ledecká hyri në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore si garuesja e parë që fitoi medaljen e artë në dy sporte olimpike në të njëjtën Olimpiadë. Njëherësh u bë atleti i parë në Lojërat Olimpike, që merr pjesë në garat me snoubord bashkë me disiplinat e skijimit alpin.