Jump to content

Etrita Ibrahimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Etrita Ibrahimi pianiste shqiptare. E lindur në Tiranë në një familje të njohur artistësh e filloi fare e re aktivitetin koncertal duke marrë pjesë dhe duke u nderuar me çmimin e parë në Koncertet e Majit në vitin 1980 dhe 1982. Në vitet në vazhdim ndoqi një seri koncertesh dhe çmimesh të fituara në konkurset kombëtare. Në 1989, pas dy viteve të para të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në klasën e Prof. Nora Çashku, fitoi një bursë studimi dhe u transferua në Itali për të vazhduar studimet në Konservatorin “G. Verdi” të Torinos, ku u diplomua në 1994 “cum laude”, në klasën e Prof. Remo Remoli, nxënësit të preferuar të A. B. Michelangeli. Ka luajtur disa herë me orkestrën e Radio Televizionit shqiptar. Ka realizuar shumë koncerte për të gjitha qytetet e krahinës së Piemonte-s dhe në shumë qytete të tjera të Italisë, në Austri, Spanjë, Çeki, Francë, Kosovë, Mal i Zi, Kroaci, Maqedoni, Shqipëri etj. Është klasifikuar në vendet e para në konkurse të ndryshme. Ka regjistruar shumë herë për Radio Televizionin shqiptar. E ftuar nga Brahmsgesellschaft në Baden-Baden ka qëndruar disa kohë në Brahmshaus, për të njohur më thellë jetën dhe veprën e Brahmsit. Ka studiuar klaviçembalo në klasën e Prof. Giorgio Tabacco në Konservatorin “G. Verdi” në Torino. Është specializuar në Ritmica Strumentale sipas metodës Suzuki. Ka qenë pjesëtare e jurisë në festivale të ndryshme. Ka qenë koncertmaestër në Konservatorin “G. Verdi” të Torinos dhe në konkurse të ndryshme si Concorso Internazionale në Asti, Torneo “Città di Grugliasco”, Concorso Internazionale “Marco Fiorindo”, etj. Ka qenë pedagoge e pianos dhe e metodologjisë Suzuki, në shumë institute muzikore në Torino, Aosta, Pavia, Vercelli, Romë, etj, si dhe Presidente e Associazione Suzuki Vercelli. Është shumë aktive në muzikën kontemporane, si edhe në përhapjen e muzikës shqiptare brenda dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë. Për aktivitetin artistik të zhvilluar në Itali, në vitin 2005 ka fituar çmimin ndërkombëtar për karrierën “Beato Angelico”, i akorduar nga Bashkia e Romës (Itali). Është Drejtoreshë Artistike e Festivalit Ndërkombëtar “PIANODROM”. Është Zv/Presidente e Fondacionit Kulturor “Feim Ibrahimi”.