Fejzullah Krasniqi
Dr.Fejzullah Krasniqi u lind në fshatin Tugjec të Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje (më 1968), të mesmen (drejtimi i makinerisë) në Prishtinë në vitin 1972, ku i kreu edhe studimet në Fakultetin Teknik – Drejtimi i Makinerisë dhe diplomoi më 1977.
Studimet e magjistraturës i kreu në Shkup në vitin 1983, ndërsa disertacionin e doktoratës e mbrojti në Prishtinë më 1988.
Për herë të parë u punësua në Fabrikën e Pllakave të Qeramikës të Kamenicës (me 1977) si drejtor i sektorit të mirëmbajtjes. Në vitin 1979 ligjëroi në Shkollën e Lartë Teknike të Ferizajt. Po këtë vit u zgjodh asistent praktikant në Fakultetin Teknik-Seksioni i Makinerisë. Në vitin 1985 u zgjodh asistent , më 1986 ligjërues , më 1989 docent për lëndët Stabilimentet termoenergjetike dhe Ngrohja e klimatizimi , më 1994 profesor inordinar , ndërsa në vitin 1999 u zgjodh profesor ordinar për lëndën Ngrohja dhe klimatizimi.
Ka qenë anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Kamenicës, delegat i Kuvendit, anëtar i KE dhe anëtar i Komisionit për shkencat teknike-teknologjike të BVI-së së Punës Shkencore e Kosovës, shef i Katedrës (dy mandate), prodekan i Fakultetit (1992-94 dhe 1998-2000), anëtar i Senatit të UP (nga viti 1997), nënkryetar i Shoqatës së Termoteknikëve të Republikës së Shqipërisë dhe anëtar i Shoqatës së Termoteknikëve të Italisë (1999) dhe udhëheqës i Institutit të Makinerisë në kuadër të Fakultetit të Makinerisë (2000). Aktualisht është dekan i Fakultetit të Makinerisë (2001); mbikqyrës i drejtëpërdrejtë i laboratorit qendror të Universitetit të Prishtinës (2002), anëtar i Komisionit për Politikë Akademike të Universitetit dhe anëtar i Komisionit Qendror të UP të kreditimit të lëndëve mësimore sipas ECTS. Aktualisht, nga Administratori Ndërkombëtar i Kosovës, është caktuar anëtar i Këshillit drejtues për përgatitjen e strategjisë dhe politikës energjetike afatgjate të Kosovës.
Ka specializuar në Institutin e Energjetikës të Moskës (gjashtë muaj, te profesori me famë ndërkombëtare J.J.Sokolov) dhe në RF të Gjermanisë (dy muaj- në fabrikën e prodhimit të turbinave me avull “MAN”-Nyrnberg dhe në Universitetin Teknik të Mynihut).
Prof. F.Krasniqi ka qenë mentor dhe i udhëhoqi katër doktorate dhe dy magjistratura shkencore, anëtar i Komisionit të vlerësimit dhe të mbrojtjes së disertacionit të doktoratës për tre kandidatë dhe për një magjistraturë. Krahas punës në Fakultet ka mbajtur mësim edhe në Shkollën e Lartë Teknike të Mitrovicës dhe në atë të Ferizajt, në Fakultetin e Elektroteknikës, kurse tash mban mësim edhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës në lëndët e Katedrës. Mund të përdorë literaturë shkencore nga gjuhët e huaja: serbokorate, ruse, frënge, angleze dhe gjermane.
Në dhjetor të vitit 2012 zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.