Jump to content

Ferdije Zhushi Etemi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ferdije Zhushi Etemi është një biologe e shquar e Kosovës. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe ligjeron në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, në Departamentin e Biologjisë. Nga viti 2009 deri në vitin 2015 ajo ishte kryetare e Këshillit Shtetëror për Cilësi në Arsimin e Lartë të Kosovës. Më 2011 Ferdije Zhushi Etemi është shpallur nga revista "Kosovarja" si njëra ndër dhjetë femrat më të suksesshme të Kosovës.[1]

Ferdije Zhushi Etemi u lind më 25 maj 1960 në Mihaliq të Vushtrrisë.

Ajo është njëri nga shtatë fëmijtë e prindërve të saj.

Pas një viti familja e saj u vendos në Prishtinë, ku ajo e kaloi fëmijërinë e saj.

Ajo ishte një fëmijë energjik, e donte lojën me moshatarët e saj dhe ishte aktive. E adhuronte në veçanti natyrën dhe kafshët dhe ëndërronte ta bëjë një ekspeditë hulumtuese nëpër botë.[2]

Shkollimi fillor dhe i mesëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ferdije Zhushi Etemi ka përfunduar shkollën fillore dhe gjimnazin në Prishtinë.[3]

Ajo ishte një gjimnaziste e shkëlqyeshme. Merrej edhe me aktivitete të lira, e sidomos ishte aktive në grupin letrar, ku shquhej për shkruarjen e hartimeve të bukura.

Ferdije Zhushi Etemi ka studiuar biologjinë në Universitetin e Prishtinës. Si njëra nga studentet më të mira, ajo ishte edhe bursiste e Universitetit. Këto studime ajo i përfundoi më 1984.

Studimet postdiplomike i vijoi në Universitetin e Zagrebit[4] dhe në ate të Prishtinës, duke e fituar në vitin 2001 titullin shkencor - magjistre e shkencave. Ajo me këtë rast e mbrojti me sukses punimin e magjistratures me titull: "Pleshti i ujit (Daphnia pulex) si indikator i shkallës së ndotjes së lumit Sitnicë me ujëra industriale të termocentraleve "Kosova" në Obiliq."

Punimin e doktoratures me titull " Valorizimi biologjik i ujërave të lumit Sitnicë në bazë të përbërjes së faunës bentale" e mbrojti me sukses në Universitetin e Prishtines në vitin 2005.

Me qëllim të vlerësimit biologjik të ujërave të lumit Sitnicë, autorja e punimit të doktoratures ka kryer hulumtimet e faunes bentale në 10 lokalitete përgjatë rrjedhës së këtij lumi. Hulumtimet kanë përfshirë rrjedhën e epërme, rrjedhën e mesme dhe rrjedhën e poshtme të lumit.[5]

Gjatë studimeve të doktoratures ajo ka patur një qëndrim njëmujor studimor, me një bursë austriake, në Departamentin e Ekologjisë të Fakultetit të Shkencave të Natyres, në Universitetin e Vjenës.[6]

Puna në Universitetin e Prishtinës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ferdije Zhushi Etemi e filloi punën në Universitetin e Prishtinës më 1984 si asistente. Në vitin 2002 ajo ishte ligjeruese, më 2006 profesoreshë asistente, nga viti 2011 ajo ishte profesoreshë e asocuar dhe nga viti 2021 ajo është profesoreshë e rregullt dhe ligjeron në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, në Departamentin e Biologjisë.[7]

Aktivitetet në organizimin e arsimit të lartë në Kosovë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ferdije Zhushi Etemi ka ushtruar detyra të rëndësishme në lëmin e organizimit të arsimit të lartë të Kosovës.

Ajo ishte drejtoreshë e Zyrës për Cilësi dhe Zhvillim Akademik në Universitetin e Prishtinës (2007-2008), ushtruese e detyrës së drejtoreshes së Agjencisë së Akredimit të Kosovës (2008-2009) dhe kryetare e Këshillit Shtetëror për Cilësi në Arsimin e Lartë të Kosovës (2009-2015).[8]

Ka dhënë kontribut të veçantë në procesin e pranimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës në ENQA[9] (Rrjeti Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë).[10]

Gjatë ushtrimit të aktiviteteve në organizimin e arsimit të lartë në Kosovë, ajo u ndesh me shqetësime të ndryshme. Kështu, më 25 nëntor 2014, ajo arrestohet si e dyshuar per marrje ryshfeti. U lirua të nesërmen. Këto dyshime e akuza ajo i ka kundërshtuar zëshëm, kudo dhe kategorikisht. Është shpallur e pafajshme me vendimin e Gjykates Themelore të Prishtines të datës 29.01.2019.[11] Gjykata e Apelit e shpalli ate përfundimisht të pafajshme me vendimin e datës 03.10.2019.[12]


Punimet shkencore dhe publikimet tjera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Contribution to the knowledge of Nymphalidae fauna (Lepidoptera: Rhopalocera) in Kosovo,botuar në Trakia Journal of Sciences, 2017;
  • Contribution to the knowledge of the Lycaenidae fauna of central part of Kosovo, botuar në Macedonian Journal of Ecology and Environment, 2016;
  • New Records of Araschnialevana (Linneaus, 1758) (Lepidoptera: Nymphalidae) in Kosovo, botuar në J. Int. Environmental Application & Science, 2017;
  • New Distribution and Species Records of Caddisflies (Insecta: Trichoptera) from the Republic of Kosovo, botuar në Entomological News, 2015;
  • Three new country records from the genus Limnephilus Leach, 1815 (Trichoptera: Limnephilidae) from the Republic of Kosovo, botuar në Biodiversity Data Journal, 2014;
  • Heavy metals concentration in mosses and their impact on the lichen value in the Prishtina region, botuar në Physiologia Pentarum, 2008;
  • The ichtiyofauna of Drini i Bardhë River (Kosovo), botuar në "Ribarstvo", 68 (4); 149-158; 2010;
  • The Impect of Agricultural Pollution in the Water Quality of Rimnik River Based on Macrozoobenthos as a Bio-Indicator, botuar në J.Int.Environmental Application & Science, Vol 5 (4); 586-593 (2010);
  • Fauna e Oligoheteve në rrjedhën e mesme të lumit Sitnicë, Buletini 13 FSHMN, 2003:
  • Fauna e plecopterave dhe distrbuimi hapësiror në rrjedhën e epërme të lumit Drini i Bardhë, Buletini 13 FSHMN, 2003;
  • Hyrje në Entomologji, skriptë për studentët e biologjisë, financuar nga projekti CDP + (WUS Austria), 2005;
  • Limnologjia, skriptë për studentët e biologjisë, financuar nga projekti CDP + (WUS Austria), 2007;
  • Biologjia për klasën e 10 dhe 11 të gjimnazit, Libri shkollor, Prishtinë, 2003;[13]

Pjesëmarrja në konferencat shkencore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ferdije Zhushi Etemi ka qenë pjesëmarrëse e shumë konferencave shkencore të karakterit ndërkombëtar e kombëtar, në të cilat ajo është paraqitur me punimet e saja shkencore.[14]

Të dhënat tjera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ferdije Zhushi Etemi pos gjuhës shqipe, e flet edhe gjuhën angleze dhe serbokroate si dhe ka njohuri bazike të gjuhës gjermane dhe italiane. Ajo është anëtare e Shoqatës së Lepidopterologëve të Europës.[2]

.

  1. ^ Angazhimi i Ferdijes për arsim cilësor, gazeta "Shqiptari eu", publikuar më 12 prill 2016 (Google).
  2. ^ a b Po aty.
  3. ^ Më shumë lidhur me këtë, po aty.
  4. ^ Në Universitetin e Zagrebit ajo ka studijuar nga viti 1989 deri në vitin 1991 dhe i ka kaluar me sukses shumicën e provimeve të parapara. Këto studime ajo u detyrua t´i ndërpres për shkak të fillimit të luftës në Kroaci dhe i ka vazhduar në Universitetin e Prishtinës ( më shumë për këtë: Ferdije Zhushi Etemi, "Valorizimi biologjik i ujërave të lumit Sitnicë në bazë të përbërjes së faunës bentale", faqe 118; Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore,stafi akademik, curriculum vitae, Ferdije Zhushi Etemi (Google)).
  5. ^ Ferdije Zhushi Etemi, Valorizimi biologjik i ujërave të lumit Sitnicë në bazë të përbërjes së faunes bentale, Disertacioni i doktoraturës, Prishtinë, 2005, faqe 99 (Google).
  6. ^ Ferdije Zhushi Etemi, vepra e cituar, faqe 118.
  7. ^ Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore, stafi akademik, Curriculum vitae, Ferdije Zhushi Etemi (Google).
  8. ^ Po aty. Shiko edhe: Procesi i akreditimit, emisioni "Jeta në Kosovë", 2009 (Youtube).
  9. ^ ENQA - European Association for Quality Aussurance in Higher Education.
  10. ^ Angazhimi i Ferdijes për arsim cilësor, gazeta "Shqiptari eu", publikuar më 12 prill 2016 (Google); shiko edhe: Mysafire e mëngjesit Ferdije Zhushi Etemi, RTK 2015 (Youtube).
  11. ^ Kallxo.com, publikuar më 29.01.2019.
  12. ^ Llapi.inf, publikuar më 03.10.2019.
  13. ^ Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, stafi akademik, curriculum vitae, Ferdije Zhushi Etemi
  14. ^ Më shumë për këtë, po aty.