Ferdinand Laholli
Ferdinand Laholli (lindur më 16 qershor 1960 në kampin e internimit Gradishtë dhe rritur në atë të Savrës, Shqipëri) është një autor shqiptar dhe përkthyes letrar.
Ferdinand Laholli u lind më 16 qershor 1960 në kampin e internimit Gradishtë, një zonë moçalore e Shqipërisë së mesme. Familjen e tij e transferuan atje nga Korça, si pasojë e ikjes së atit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vit më vonë tërë familjen e shpërngulin në kampin e internimit Savër, ku qe i detyruar të vuante për tridhjetë vite me radhë.
Shkollën tetëvjeçare e kreu në Savër, agronomiken në Lushnjë, e cila iu lejua vetëm pas letrave të njëpasnjëshme dërguar asokohe në Komitetin Qëndror. Si i internuar ia ndaluan ndër të tjera edhe studimin në universitet.
Në moshën 15 vjeçare kërkoi një shtëpi botimi për dorëshkrimin e tij të parë, por publikimin e librit të parë në Shqipëri e përjetoi vetëm pas rrëzimit të diktaturës.
Sot është autor i njëmbëdhjetë librave me poezi për të rritur e fëmijë dhe shqipërues i veprave të shumta letrare nga gjermanishtja.
Poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, italiane, angleze, suedeze, turke, hollandeze, kernte, rumanisht, frëngjisht dhe hungarisht.
Në Gjermani ka kryer punë nga më të ndryshmet, ku ndër të cilat mund të përmendet ajo e shoferit dhe magazinierit, e shqipëruesit me gojë e me shkrim dhe e mësimdhënësit të gjuhës gjermane.