Fjalor Shqip-Suedisht
Fjalor Shqip-Suedisht Autori: Sadulla Zendeli Daja, me rreth 35.000 fjalë, e botoi Shtëpia Botuese Toena në Tiranë më 2013. Fjalori pasuron dhe barazon leksikografitë e të dy gjuhësve, suedeze dhe shqiptare, dhe plotëson zbrazti të ndjeshme për fjalorë të këtij lloji, në të dy leksikografitë. Ka karakter shkencor e normativ, dy kritere me vlerë për leksikografinë e mirëfilltë bashkohore, teorike e praktike. Ky projekt përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen fjalorët dygjuhësorë bashkohorë. Është punuar me kujdes të veçantë sa i përket makrostrukturës së tij dhe përmban informacione shtesë për jetën, kulturën e psikologjinë e popullit shqiptar dhe suedez, me çka paraqet pasurim lëndor e me vlerë për përdoruesit. Fjalori ka anën e tij praktike të përdorimit, dhe këtë anë e siguron përzgjidhja e duhur teknike e trajtimit të lëndës gjuhësore.
Në fjalor janë trajtuar me kujdes njësitë leksiko-semantike, fusha e informacionit të çdo zëri leksikografik, përkufizimet e shpjegimet, sinonimet e antonimet. Një punë jo e vogël është bërë në plotësimin e strukturës semantike brenda fjalës. Rruga që është ndjekur në hartimin e këtij fjalori, shkurtazi është kjo: për njësitë leksikore të shqipes është bërë përpjekje të gjenden njësitë gjegjëse të suedishtes. Në pjesën suedishte është përfshirë leksiku aktiv, jo rrallë leksiku pasiv dhe ai potencial, për t´i dalë ballë fjalësit të shqipes. Në fjalor janë përfshirë edhe një numër fjalësh të reja, fjalësh pak të njohura, fjalësh të huaj me karakter ndërkombëtar, një numër dialektizmash në mbështetje të vlerës së tyre objektive brenda strukturës leksikore, dhe një numër termash më të përhapura profesionale. Është bërë përpjekje që të jepet gjithnjë kuptimi më i përgjithshëm e më i saktë, ngjyrimet kuptimore, kuptimi figurativ dhe përdorimet e tjera funksionale të fjalës;
Për shumicën e fjalëve leksikore është dhënë përdorimi i tyre në frazeologji dhe shembuj të shumtë ilustrues. Një vëmedje e veçantë i është kushtuar anës normative të fjalorit, e cila ka përfshirë të gjitha rrafshet e gjuhës: Fonetikë, morfologji, sintaksë, fjalëformim, për çka mendoj se do të ketë një rol të caktuar edhe në përvetësimin e normës së gjuhës letrare. Autori, Sadulla Zendeli Daja, thekson: "Shpresoj që edhe ana e përzgjedhjes teknike, organizimi i artikujve të fjalorit, topografia, paraqitja e informacioneve gramatikore dhe të tjera, do të jenë në funksion të anës praktike të fjalorit dhe do ta rradhisin atë ndër fjalorët bashkohorë".