Gezim Mara
Gëzim Mara - (15.12.1931 - 18.01.2020), ishte Ekonomist shqiptar, Profesor Universiteti, Doktor Shkencash, autor i disa teksteve dhe librave universitarë si dhe bashkëhartues dhe redaktor shkencor i Fjalorit Shumëgjuhësh të Termave të Transportit. U nda nga jeta në moshën 88 vjeçare.
*****
Gëzim Mara lindi në Tiranë më 15.12.1931, në gjirin e një familjeje qytetare tiranase. Familja Mara gjatë shumë brezash i ka dhënë Tiranës jo vetëm qytetarë dhe patriotë të mirë por edhe intelektualë dhe specialistë të shquar, siç është edhe rasti i mjekëve të parë tiranas, babë e bir që ishin nga kjo familje.
Që i vogël do të provonte humbjen e të atit, Arifit, dhe do të përfshihej si shumë bashkëmoshatarë të tij në lëvizjen Debatik. Pas mbarimit të shkollës së mesme, në 1950, dërgohet me bursë për të kryer studimet e larta për Ekonomi në Poloni. Studimet në Poloni do të ishin një mundësi e mirë për të studiuar në një nga Universitet më të mira jashtë vendit por edhe për të njohur nga brenda se si funksiononin gjërat në një nga vendet e kampit socialist. Polonia e shkatërruar nga lufta e dytë botërore që po rindërtohej vrullshëm do t'i linte shumë përshtypje. Mbas 4 vitesh studimi, në vitin 1954 mbaron me rezultate shumë të larta Universitetin dhe merr titullin Ekonomist për Transportin.
Po atë vit kthehet në atdhe dhe do të emërohet në Ministrinë e Tregtisë dhe Transportit. Për shumë vite do të merret me problemet e pagave dhe të normave të punës për transportin, si në Ministri ashtu edhe në grupet e punës apo Komitetet që do të krijohen nga Këshilli i Ministrave lidhur me punën dhe pagat. Gjatë kësaj kohe është bashkautor në hartimin e dy teksteve universitare Bazat e Organizimit të Punës dhe të Pagave; si dhe Ekonomia e Transportit.
Në shtator të vitit 1971 emërohet Pedagog në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, fillimisht pranë Katedrës së Industrisë, ku jep lëndën Bazat e Organizimit të Punës dhe Pagave. Ndërsa në vitin 1973 kalon si Pedagog Titullar në Katedrën e Planifikimit të Ekonomisë, ku për 17 vjet me radhë do të jetë pedagog përgjegjës për lëndën e Ekonomisë së Transportit.
Në vitin 1975 do të fillojë si pedagog i jashtëm edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, dhe dy vite më vonë, 1977 edhe në Universitetin Bujqësor në Kamëz, ku jep lëndën Ekonomia e Transportit Automobilistik pranë Fakultetit të Ekonomisë së këtij Universiteti. Për disa vite me radhë ka dhënë një cikël leksionesh për Ekonominë e Transportit edhe në degët e Fakultetit Ekonomik në Durrës dhe Vlorë.
Krahas punës mësimore ka marrë pjesë edhe në studimin e problemeve të ndryshme për transportin, duke qenë edhe anëtar i Kolegjiumit të Institutit të Transportit pranë Ministrisë së Komunikacioneve.
Është autor dhe bashkautor i shumë teksteve universitare për problemet e pagave dhe të punës; të planifikimit të transportit automobilistik, detar dhe hekurudhor; të organizimit dhe planifikimit të transportit të brendshëm në tregti etj.
Mbas mbrojtjes së Disertacionit fiton titullin Kandidat Shkencash dhe në vitin 1993 merr titullin Doktor i Shkencave Ekonomike.
Mes të tjerash është edhe bashkautor dhe redaktor shkencor në hartimin e Fjalorit Shumëgjuhësh për Termat e Transportit, përgatitur dhe botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2002.
Për punë të mirë është nderuar me shumë diploma dhe medalje të ndryshme si dhe me Urdhrin e Punës “Naim Frashëri” akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë. U nda nga jeta në Tiranë me 18 janar 2020.