Jump to content

Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës Gjinia: Histori. Autori: Dorian Koçi. Shtëpia botuese: "Streha". Viti i botimit 2014. Faqet e librit 240. ISBN 978-9928-4206-1-9

Mbi librin:

"Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës", është një libër, me të cilin studiuesi Dorian Koçi plotëson një pjesë të rëndësishme në fushën e kërkimeve rreth pashait karizmatik, i cili me bëmat e tij tërhoqi vëmendjen e poetëve dhe artistëve më në zë të kohës së tij. Në thelbin e këtij libri është një poemë që mban pikërisht titullin "Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës", rëndësinë e zbulimit të së cilës e shpjegon që në parathënie Prof. Dr. Irakli Koçollari.

"Këto dekada gjetjet dokumentare për Ali Pashë Tepelenën kanë qenë aq të shumta, sa mund të thuhet se ato përherë e më shumë po reformojnë thellësisht dhe tërësisht profilin e kësaj figure karizmatike, e cila gjer dje është prezantuar nën vlerësimet e kundërshtarëve politikë dhe të ekzekutorëve të tij, francezëve, osmanëve, etj. Në radhën e këtyre prurjeve me vlerë është edhe poemthi që sjell studiuesi Dorian Koçi, autori i këtij studimi krejt të veçantë nga natyra e tij".

Sipas Koçollarit ky punim është shumë më i gjërë nga sa mund të afronte analiza e thjeshtë e poemthit, "është shumë më i thellë në dimensionet hulumtuese, sesa mund të sjellë fokusi i përqëndruar vetëm në biografinë e pashait. Ai shkon më tej dhe rihedh vështrimet e tij në çështjet që nuk janë thënë gjer më tash, janë thënë ndryshe, apo janë cekur kalimthi. Dhe këtë gjë studiuesi D. Koçi e bën duke iu referuar burimeve të shumta, autorëve të njohur e të panjohur, dokumenteve të herëshme, por edhe atyre të shfaqura rishtazi, duke qëmtuar me kujdes çdo fjalë dhe nëntekstin e çdo fjalie, për t'i shkuar kështu saktësisht të vërtetës deri në fund".

Ndër të tjera Prof. Dr. Koçollari thekson: "Studiuesi Dorian Koçi na e sjell poemthin e përkthyer, mbi gjenealogjinë e Ali Pashës, qysh në fillim të librit, për t'ia bërë prezent lexuesit të renë që ai promovon dhe që në faqet pasardhëse do të jetë objekt i qëmtimit të hollësishëm prej tij. Në përkthimin e saj duket qartë se autori ka synuar të ruajë saktësinë e fjalës, por edhe vlerat artistike të poemës.

E thënë më qartë, duke qënë se poemthi është një kronikë historike në vargje, në procesin e vështirë të përkthimit të saj, ai është përpjekur t'i qëndrojë korrekt të dy gjinive që përfshin në natyrën e tij ky krijim, poemthi, si dokument dhe kronikë historike.

Kjo kërkon përkthimin me korrektësi dhe fjalë për fjalë të materialit historik si të tillë dhe poemthi, si krijim artistik ç'ka kërkon ruajtjen dhe respektimin e gjinisë artistike në dimensionet e saj, rimën, metrikën, ritmin, etj. S'ka dyshim se kjo është një ndërmarrje e vështirë, bile më e vështira në radhën e përkthimeve, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë thjesht me përkthimin e një poeme të zakonshme, në gjininë e letërsisë artistike. Por, gjithashtu nuk kemi të bëjmë as thjesht me përkthimin e një dokumenti, si kronikë historike".