Gjuha sumere

Sumeri (ose Shumeru) ishte një nga qytetërimet e hershme të Lindjes së Afërt të lashtë, që ndodhej në pjesën jugore të Mesopotamisë (sot Iraku juglindor) që nga koha e regjistrimeve më të hershme në mijëvjeçarin e katërt të epokës para e.s. deri në ngritjen e Babilonisë në mijëvjeçarin e tretë para e.s. Termi "sumere" vlen për të gjithë folësit e gjuhës sumere. Sumeri së bashku me Egjiptin e lashtë dhe Qytetërimin e Luginës Indit konsiderohet shoqëria e parë e ngulitur në botë që ka manifestuar të gjitha tiparet e nevojshme për t'u kualifikuar plotësisht si një "qytetërim". Zhvillimi i qytet-shtetit si një marrëveshje e organizuar shoqërore dhe politike mundësoi zhvillimin e artit dhe tregtisë, shkrimit dhe arkitekturës, duke përfshirë ndërtimin e tempujve (ziguratët). Historia e Sumerisë daton që nga fillimi i shkrimit dhe gjithashtu nga ligji, të cilët besohet se janë shpikur nga sumerët dhe ishin thelbësore për ruajtjen e rendit brenda qytet-shtetit.[1]
Termi sumerë është emri i zakonshëm që u jepet banorëve të lashtë jo-semit-folës të Mesopotamisë nga akadianët semito-lindorë-folës. Sumerët veten e tyre e quanin <ùĝ saĝ gíg ga> apo sang-ngiga, që ka kuptimin "njerëz kokë-zinj", dhe vendit të tyre i referoheshin si ki-en-gi, që fjalë për fjalë do të thotë "vendi i zotërinjve fisnikë". Akadët i quanin sumerët gjithashtu "njerëz me kokë të zezë" (tsalmat-kakkadi), në gjuhën semite akadiane. Fjala akade shumer mund të përfaqësojë emrin gjeografik në dialekt, por zhvillimi fonologjik që çon në termin akadian šumerû nuk është i sigurt. Fjala hebraike shinar, ajo egjiptiane sngr dhe hitite Šanhar(a), të gjitha duke iu referuar Mesopotamisë jugore, mund të jenë variante perëndimore të shumerit.
Sumerishtja është folur në zonën e quajtur Sumer, në jug të Mesopotamisë, ndoshta që nga mijëvjeçari i katërt para erës sonë deri në rreth 2000 para e.s., kur u zëvendësua nga akadishtja si gjuhë e folur, megjithëse do të vazhdonte të përdorej në shkrim për qëllime fetare, artistike dhe studimore deri në shekullin e parë të erës sonë. Sumerishtja nuk është e lidhur me ndonjë gjuhë tjetër të njohur kështu që nga gjuhëtarët është klasifikuar si një gjuhë izoluar.
Shkrimi kuneiform sumer është sistemi më i lashtë i shkrimit që njihet deri më sot. Origjina e saj mund të gjurmohet rreth 8,000 para e.s. dhe ajo është zhvilluar nga piktografe dhe simbole të tjera të përdorura për të përfaqësuar mallrat tregtare dhe bagëtinë në tablet prej argjileje. Fillimisht sumerët bënin figura (shënja) të vogla prej argjile për të përfaqësuar sendet. Këto figura mbaheshin së bashku në zarfe të mbyllur prej balte, dhe për të treguar atë që ndodhej brenda zarfeve, ata shtypnin figurat nga jashta baltës.
Me kalimin e kohës, ata kuptuan se figurat nuk ishin të nevojshme, pasi ata mund të bënin simbolet e tyre në argjilë. Ata gjithashtu zhvilluan një sistem numerik për të përfaqësuar raste të shumta të të njëjtit simbol sesa thjesht t'i shkruanin të gjitha. Simbolet u stilizuan me kalimin e kohës dhe përfundimisht evoluan në një sistem të plotë shkrimi. Tekstet më të hershme vijnë nga qytetet Uruk dhe Xhamdat Nasr dhe datojnë nga viti 3,300 para e.s.
Emri kuneiform do të thotë 'formë-kunje' dhe vjen nga fjala latine cuneus (pykë, kunj). Ajo bazohet në shfaqjen e goditjeve, të cilat janë bërë duke shtypur një maje pipëze në pllakë një argjile. Këto lloje simbolesh u shfaqën rreth vitit 3000 para e.s.
Rreth vitit 2.800 para e.s. disa nga glifet sumere përdoreshin për të përfaqësuar tingujt duke përdorur parimin rebus. Për shembull, simboli i shigjetës, i shqiptuar 'ti', përdorej për të përfaqësuar fjalën jetë (til). Kishte edhe shumë glife që lexoheshin njësoj por përfaqësonin fjalë të ndryshme. Më vonë një sistem përcaktues, që tregon kategorinë të cilës i përket një fjalë, dhe një (sistem) i përbërësve fonetikë, që tregonte se si të shqiptohet (lexohet) një fjalë, u zhvillua dhe ndihmoi për të qartësuar kuptimet e gilfeve.
Veçori të dukshme
• Lloji i sistemit të shkrimit: semanto-fonetik - simbolet përbëhen nga fonograme, që përfaqësojnë rrokjet e folura, përcaktuesit, të cilat tregojnë kategorinë të cilës i përket një fjalë dhe logogramet, të cilat përfaqësojnë fjalët.
• Drejtimi i shkrimit: i ndryshueshëm - tekstet e hershme janë shkruar vertikalisht nga lart poshtë, por rreth vitit 3.000 para e.s. drejtimi do të ndryshonte nga e majta në të djathtë në rreshta horizontale. Në të njëjtën kohë, shenjat janë rrotulluar 90 gradë në drejtim të kundërt të akrepave të orës dhe do të fillonin të formoheshin kryesisht nga pyka (kunja).
• Numri i simboleve: midis rreth 1000 në tekstet e vjetra, deri dhe 400 në tekstet e mëvonshme.
• Shumë nga simbolet kishin shqiptime të shumta.
• Përdoret për të shkruar: Sumerishten (gjuhën sumere).[2]
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referencat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Gjuha sumere". astro-al.page.tl.
- ^ "Sumerian Civilisation". newworldencyclopedia.org (në anglisht).