Gryka e pusit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gryka e pusit roman, Autori: Arben Shehi. Botuesi: Toena. Faqet e librit 384.

Në mesin e viteve ‘80, Argent Boksi, një arkitekt i ri dhe i talentuar "i sjellë me grup pune" në Institutin Shtetëror të Projektimit, befas vihet në dijeni të disa thashethemeve në lidhje me një projekt të tij të para disa kohëve. Përpjekjeve të tij të kota për të marrë vesh diçka reale përtej këtyre thashethemeve i bashkohen edhe kolegët e zyrës: Hektori, miku i tij më i besuar dhe Diana Dardha, gruaja bukuroshe e një zyrtari të lartë të administratës partiake.

Duket absurde por, ndonëse vlerësuese për atë projekt, të cilin ai vetë e konsideronte pa vlera, janë pikërisht ato "vlerësime" që nëse do të vërtetoheshin, mund të rezultonin fatale për fatin e tij. I lodhur nga hamendjet zhbiruese për të vërtetën torturuese ai detyrohet të presë që gjithçka të rrjedhë sipas drejtimit, të cilin ai nuk ka më asnjë mundësi ta ndryshojë. Një seri ndodhish dhe meskinitetesh mbi të cilën është ndërtuar e gjithë thashethemnaja e çuditshme, do ta ndihmojnë për të kuptuar pusin e thellë e të pashpresë në të cilin duket se nuk është i vetëm...

Përmes absurdit të dramës së Argent Boksit, autori na rrëfen mjeshtërisht se, realiteti i asaj kohe nuk është gjë tjetër veçse një tërësi absurditetesh të kthyera në sistem. Simbolika e groteskut me një lojë artistike të përsosur të galerisë së absurdit te personazhet butaforikë si, Turhani, Qimo Kostari, Rufi, Aristidhi etj., shpesh herë merr përmasa përgjithësuese për tërë realitetin tragjikomik të kohës.